Rama kritikon opozitën për qëndrimin ndaj protestave, pretendon për ndikim rus dhe iranian në rrjetet sociale dhe njofton shpërblim prej 2 500 eurosh për policët e angazhuar në vijën e parë.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi mëngjesin e sotëm një takim në Ministrinë e Punëve të Brendshme me ministrin Ervin Demo dhe strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit, lidhur me protestat e ditëve të fundit në kryeqytet.
Kreu i qeverisë shprehu mirënjohjen për punën e policisë, duke theksuar se shteti nuk mund të negociojë me dhunën dhe se pasojat e saj mund të lënë plagë që kërkojnë vite për t’u shëruar.
“Me këtë nuk negociohet. Dhe me kudo që vjen përpara, këtë nuk negociohet. Sepse në momentin kur shteti negocion me këtë, ka rënë. Dhe në momentin kur fiton ky, atëherë logjika e këtij bëhet vetë shteti. E ka parë Shqipëria këtë film më shumë se një herë dhe ka parë se si pasojat e këtij janë plagë që duan vite të tëra për t’u shëruar”, tha Rama, duke iu referuar gurit që mbante në dorë dhe që, sipas tij, ishte marrë gjatë protestave në bulevardin kryesor të Tiranës.

Kryeministri theksoi se dhuna nuk ka lidhje me arsyet legjitime që mund t’i shtyjnë qytetarët të shprehin pakënaqësinë dhe të kërkojnë më shumë nga qeveria.
“Më mirënjohje dhe respekt për gjithë ju edhe për të gjithë ata që në drejtimin tuaj po përballen me dinjitet, me forcë, me kurajë, me një valë dhune e cila nuk ka të bëjë aspak me asnjë nga arsyet që janë legjitime të qytetarëve në një vend të lirë e demokratik, për të pasur pakënaqësi dhe për të kërkuar më shumë nga qeveria”, u shpreh ai.
Rama: “Fatkeqësi kombëtare”, akuzon partitë politike për mbështetje të dhunës
Rama e cilësoi situatën e protestave si një “fatkeqësi kombëtare”, duke thënë se efektivët e Policisë së Shtetit po përballen jo vetëm me sulme fizike, por edhe me atë që ai e përshkroi si sulm “nga ekranet”, përmes mbështetjes publike për dhunën.
“Unë do ta quaja një fatkeqësi kombëtare sot që forcat e policisë, që djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë, dhe mbi të gjitha, të gjithë ju në uniformë që jeni aty për të mbrojtur shtetin, jeni jo vetëm nën sulmin e gurëve, por jeni dhe nën sulmin e ekraneve”, deklaroi kryeministri.
Ai pretendoi se, ndryshe nga Franca, Italia, Portugalia dhe Belgjika, ku sipas tij janë shfaqur protesta të ngjashme, në Shqipëri ka parti politike që mbajnë anën e personave të përfshirë në akte të dhunshme dhe justifikojnë sulmet ndaj institucioneve.
Rama dënoi përdorimin e molotovëve, llastiqeve me vida dhe saçme kundër efektivëve të policisë, si dhe sulmet ndaj bizneseve.
Sipas tij, personat e maskuar që përfshihen në akte të dhunshme nuk përfaqësojnë studentët dhe të rinjtë që kërkojnë një Shqipëri më të mirë.
“…adhurojnë molotovin, adhurojnë ato llastiqet me vida, me saçme që godasin kafkat e policëve, adhurojnë rrëmujën dhe kaosin, dhe pastaj iu turren dyqaneve, si brumbuj që brejnë jetën, brejnë ëndrrën, brejnë gjakun e familjeve që jetojnë në ato dyqane”, tha Rama.
Pretendimet për Antifa-n dhe ndikimin e huaj
Kryeministri akuzoi grupe radikale, shërbime të huaja dhe forca që i cilësoi si armiq të Shqipërisë se po shfrytëzojnë të rinjtë për qëllime politike. Ai përmendi lëvizjen Antifa, të cilën e lidhi me atë që e përshkroi si një frymë radikale të shfaqur në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.
“Janë të rinj dhe të reja të ideologjizuar, të ekstremizuar në trysninë apo në frymëzimin e asaj force të errët dhe të reja që është shfaqur në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, të cilën presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka shpallur organizatë terroriste, Antifa. Organizatë terroriste e ka shpallur presidenti i Shteteve të Bashkuara”, tha Rama.
Megjithatë, ai theksoi se të rinjtë që marrin pjesë në protesta nuk mund të cilësohen automatikisht si terroristë.
“Kjo nuk do të thotë që vajzat dhe djemtë që mendojnë se jeta është TikTok dhe se me TikTok dhe pa lidhur dot shtatë fjalë bashkë mund ta bëjnë Shqipërinë më të mirë, janë terroristë, aspak. Janë studentë dhe studente, po patjetër. Janë nxënës dhe nxënëse, po patjetër”, u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se, sipas tij, një pjesë e të rinjve janë ndikuar nga një ideologji që synon shkatërrimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit ekzistues.
“Janë pengje të një fryme, të një ideologjie të re, e cila ka vetëm një mision: shkatërro, kthe gjithçka në përmbysë, rrëno gjithçka, bëj rrafsh se do ta fillojmë nga e para”, tha Rama.
Rama akuzon Rusinë dhe Iranin për ndikim në rrjetet sociale
Gjatë takimit, kryeministri u ndal edhe te ndikimi i Rusisë dhe Iranit, duke pretenduar se këto vende nuk kanë interes për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe integrimin e saj në Bashkimin Evropian.
“Rusia nuk është aleat e Shqipërisë, Rusia nuk është partnere e Shqipërisë, Rusia nuk është një vend që e do Shqipërinë më të mirë, që e do Shqipërinë stabël, që e do Shqipërinë me investime, që e do Shqipërinë me ekonomi, që e do Shqipërinë në Bashkimin Europian”, deklaroi ai.
Rama pretendoi gjithashtu se në rrjetet sociale janë aktivizuar mijëra profile të rreme, të krijuara për t’u paraqitur si qytetarë shqiptarë dhe për të ndikuar në debatet publike.
Sipas tij, kjo valë ndikimi u shfaq paralelisht me pakënaqësinë e qytetarëve dhe protestat për mbrojtjen e natyrës.
“Me mijëra e mijëra, e dhjetëra mijëra profile fallso të krijuara enkas si shqiptarë që kërkonin të mbronin natyrën, u vu në lëvizje. Ashtu sikundër u vu në lëvizje me mijëra e mijëra të tjera nga Republika terroriste e Iranit, për të mbrojtur natyrën në Shqipëri”, tha Rama.
Kryeministri nuk paraqiti gjatë deklaratave prova konkrete për të mbështetur pretendimet për përfshirjen e Rusisë dhe Iranit apo për koordinimin e profileve të rreme.



Shpërblim prej 2 500 eurosh për çdo efektiv në vijën e parë
Në përfundim të takimit, Rama njoftoi se çdo efektiv i Policisë së Shtetit i angazhuar në vijën e parë gjatë protestave do të përfitojë një shpërblim prej 2 500 eurosh.
“Me buxhetin e ri, nga 1 janari, paga juaj do të rritur në mënyrë të konsiderueshme. Ne do vëmë në dispozicion një shumë prej 2500 eurosh, për çdo efektiv në front. E vendosëm kështu, për të mos bërë asnjë diferencë. Jeni një, dhe një për të gjithë. Shteti do ta fitojë këtë betejë”, deklaroi Rama.
Ai tha se shuma do të jetë e njëjtë për të gjithë efektivët e angazhuar në vijën e parë, pa dallime mes tyre, dhe njoftoi gjithashtu një rritje të konsiderueshme të pagave të policisë nga 1 janari, pa specifikuar masën e saj.
Deklaratat e kryeministrit vijnë pas disa ditësh protestash dhe përplasjesh në Tiranë. Rama e përqendroi qëndrimin e tij te mbështetja për policinë dhe dënimi i akteve të dhunshme, ndërsa akuzat për ndikim të huaj dhe organizim të koordinuar mbetën pretendime të tij, pa prova konkrete të paraqitura gjatë takimit.
© 2026 Argumentum

















































