Sot, para Kryeministrisë, Edi Rama rreshtoi karriget e zeza, një ditë pasi protestuesit përmbysën ato të kuqe. Një skenë që përsëritet, ndërsa palët mbeten në pozicione të kundërta, kryeministri këmbëngul te dialogu, protestuesit te kërkesa për dorëheqjen e qeverisë.
Kryeministri Edi Rama kërkoi sërish sot dialog me studentët dhe pedagogët që vijojnë protestën, duke dënuar aktet e dhunës dhe paralajmëruar pasoja ligjore e financiare për personat që dëmtojnë pronën publike dhe private.
Rama riktheu karriget përpara Kryeministrisë, të cilat protestuesit i rrëzuan një ditë më parë, duke përsëritur se është i gatshëm të zhvillojë bisedime me protestuesit, së bashku me qeverinë.
“Ka 1001 pakënaqësi, ka 1001 halle, 1001 probleme. Mund të ketë edhe 1001 arsye për të protestuar, por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën. Çdo arsye është një argument më shumë për dialog, për dialogun mes njerëzve që ndajnë të njëjtin atdhe, mes njerëzve që kanë të njëjtën shtëpi të përbashkët, mes njerëzve që duan të njëjtën gjë, në fund të fundit: si ta bëjnë Shqipërinë më të mirë”, u shpreh Rama me anë të një mesazhi në rrjetet sociale.
Kryeministri theksoi se e drejta e protestës është e pamohueshme, ndërsa dhuna është një akt i ndëshkueshëm.
“E drejta e protestës është e pamohueshme. Dhuna është krim i ndëshkueshëm. Dje dialogu mori përgjigjen e dhunës. Sot dialogu është këtu përsëri. Dora ime është e shtrirë për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga unë dhe që mendojnë ndryshe nga shumica e terrorizuar nën trysninë e dhunës”, deklaroi ai.
“Por, në të njëjtën kohë, çdo gjë që kërkojmë të bëjmë më mirë, çdo gjë që kërkojmë të bëjmë më shumë, çdo gjë që kërkojmë të bëjmë më shpejt, bëhet me punë, bëhet me të ardhurat nga puna. Bëhet duke i çuar ato të ardhura aty ku ka probleme që kërkojnë zgjidhje”, tha Rama.
Rama u bëri thirrje studentëve dhe pedagogëve të distancohen nga dhuna, ndërsa paralajmëroi se personat që shkaktojnë dëme do të mbajnë përgjegjësi.
“Distancohuni nga dhuna dhe, nga ana tjetër, çdo dhunues do të marrë përgjigjen e merituar”, theksoi ai.

“Përgjigjja nuk do të vonojë dhe do të jetë konstante. Përgjigjja do të jetë ligjore, përgjigjja do të jetë financiare. Kush dëmton pronën e përbashkët do të paguajë. Kush dëmton pasurinë e tjetrit do të paguajë”, tha Rama.
Ai nënvizoi se përmirësimi i kushteve dhe zgjidhja e problemeve kërkojnë punë dhe përdorimin e të ardhurave për të adresuar nevojat e vendit.
“Shqipëria është e të gjithëve. Në Shqipëri, secili do ta ketë vendin e vet, por, nga ana tjetër, liria e askujt nuk mund të shtrihet aty ku fillon liria e të tjerëve. E drejta e askujt nuk mund të imponohet aty ku të tjerët kanë të drejtë të jetojnë nën qiellin e përbashkët të bashkëjetesës demokratike dhe të bashkëjetesës paqësore”, u shpreh kryeministri.
© 2026 Argumentum





















































