Ekonomia e Kinës ka treguar qëndrueshmëri përballë goditjeve të jashtme, theksoi kryeministri kinez Li Qiang të mërkurën.
Duke folur në një simpozium me përfaqësuesit e biznesit në Takimin e 16-të Vjetor të Kampionëve të Rinj, i njohur gjithashtu si Davosi Veror, në qytetin Tianjin të Kinës Veriore, Li u shpreh që, në sfondin e pasigurive në rritje në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar ndërkombëtar, qëndrueshmëria e mjedisit të biznesit është bërë tepër vendimtare.
Li vuri në dukje se rritja e proteksionizmit, unilateralizmit dhe ndjenjave antiglobalistë ka krijuar sfida të ndjeshme për zhvillimin e biznesit.
Megjithatë, ai vuri në dukje që, në sfondin e këtyre ndryshimeve, ekonomia kineze ka treguar qëndrueshmëri të veçantë kundër goditjeve të jashtme, duke ruajtur ritmin e vet të rritjes.
Kjo qëndrueshmëri pasqyrohet më tej në angazhimin e palëkundur të Kinës për t’u hapur, duke u mundësuar korporatave shumëkombëshe të arrijnë sukses më të madh dhe zhvillim të qëndrueshëm në tregun kinez, tha ai.
Li vuri në dukje që situata e tanishme ndërkombëtare po pëson ndryshime të thella e komplekse, duke krijuar sfida të mëdha për zhvillimin ekonomik global.
Ekonomia kineze ka ruajtur rritjen e qëndrueshme, duke u mbështetur jo vetëm te një bazë e fortë qëndrueshmërie e përmirësimi, si edhe në makropolitikat proaktive e efektive, por edhe te shfrytëzimi efektiv i forcave të tregut dhe burimeve të ndërmarrjeve, duke përfshirë kontributet e konsiderueshme nga ndërmarrjet me investime të huaja, tha kryeministri kinez.
Në të njëjtën kohë, Kina ofron një platformë të gjerë për zhvillimin e ndërmarrjeve me investime të huaja, vuri në dukje Li.
Ai u shpreh që, përballë një bote plot ndryshime dhe çrregullime, “është thelbësore të përshtatemi me ndryshimin e kohës dhe t’u përgjigjemi në mënyrë proaktive e efektive sfidave dhe rreziqeve të ndryshme, duke krijuar një mjedis të favorshëm për zhvillimin e biznesit”.
Në kontekstin e ristrukturimit të thelluar të zinxhirit industrial global, cilësia dhe efikasiteti i strukturës së ofertës industriale janë parësore, tha Li, duke shtuar se Kina ka aftësi të forta mbështetëse industriale, me zinxhirët e saj industrialë dhe furnizues të përmirësuar vazhdimisht.
Ndërsa theksoi rëndësinë e shpejtësisë së përdorimit të teknologjive të reja dhe aftësisë për përditësimin teknologjik, Li vuri në dukje që Kina ka një bazë të gjerë përdoruesish për produkte dhe shërbime të ndryshme, duke lehtësuar ndërveprimin efikas ndërmjet novacionit teknologjik dhe novacionit industrial.
Ai tha se ka hapësirë të konsiderueshme dhe mundësi të mëdha për kompanitë nga e gjithë bota për të marrë pjesë në bashkëpunimin shkencor e teknologjik dhe novacion bashkëpunues në Kinë.
Li shprehu shpresën që ndërmarrjet nga vende të ndryshme do të ofrojnë produkte dhe shërbime më cilësore për tregun kinez, duke forcuar kështu bashkëpunimin teknologjik e industrial me kompanitë kineze dhe duke koordinuar më mirë ofertën e kërkesën, për leverdi të ndërsjellë dhe përparim të përbashkët në zhvillimin teknologjik dhe konkurrueshmërinë industriale.
Kina do të vijojë të mirëpresë investimet e ndërmarrjeve të huaja, tha kryeministri.
Përfaqësuesit në simpozium vunë në dukje që ata ruajnë besimin lidhur me perspektivën ekonomike e hapjen e Kinës dhe bashkëpunimin në Kinë, duke shtuar që do të rrisin investimet në risitë teknologjike dhe do të sigurojnë funksionimin normal të zinxhirëve industrialë e furnizues, për të arritur kështu një zhvillim më të madh gjatë integrimit në procesin e zhvillimit me cilësi të lartë të Kinës.
Rreth 160 përfaqësues të biznesit nga më shumë se 30 vende dhe rajone morën pjesë në simpozium./cgtn