Në fjalimin e mbajtur të enjten në ceremoninë e hapjes së Forumit të 13-të të Paqes Botërore në Universitetin Tsinghua në Pekin, zv.presidenti kinez Han Zheng bëri thirrje për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, mbrojtjen e paqes botërore dhe nxitjen e lulëzimit të përbashkët.
Han vuri në dukje se ky vit shënon 80-vjetorin e fitores së Luftës së Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez dhe të Luftës Antifashiste Botërore, si edhe 80-vjetorin e themelimit të OKB-së. Në këtë sfond, Kina është e gatshme të punojë me të gjitha vendet për të çuar përpara së bashku paqen dhe zhvillimin, duke ndërtuar një botë më të bukur.
Han Zheng theksoi më tej që duhet të nxirren mësime nga historia për të mbrojtur së bashku rendin ndërkombëtar të pasluftës, duke bërë thirrje për mbrojtjen e sistemit ndërkombëtar me OKB-në në thelb, të ligjit ndërkombëtar dhe të normave të marrëdhënieve ndërkombëtare të bazuara në Kartën e OKB-së.
Ai i kërkoi gjithashtu bashkësisë ndërkombëtare të forcojë solidaritetin dhe bashkërendimin, të mbrojë multilateralizmin e vërtetë dhe të punojë për një sistem më të drejtë e më efektiv të qeverisjes globale, në bazë të respektit të ndërsjellë dhe të konsultimeve të barabarta.
Zv.presidenti kinez theksoi rëndësinë e hapjes e bashkëpunimit, duke nxitur një mjedis ndërkombëtar të qëndrueshëm e të hapur për të mbështetur rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse, për të mbrojtur tregtinë shumëpalëshe e për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm të zinxhirëve globalë industrialë dhe furnizues.
Han Zheng bëri thirrje po ashtu që vendet e ndryshme ta ndihmojnë njëri-tjetrin në rrugën drejt modernizimit, ta vendosin zhvillimin në një pozicion thelbësor të rendit global dhe të kujdesen për shqetësimet e vendeve në zhvillim, me qëllim që të pakësohen pabarazitë dhe çekuilibrat.
Në forum morën pjesë rreth 400 veta, duke përfshirë ish-kryeministrin japonez Yukio Hatoyama, ish-kryeministrin belg dhe ish-president i Këshillit Evropian Herman van Rompuy, diplomatë të huaj dhe studiues kinezë e të huaj./cgtn