Pjesëmarrja e presidentit Xi Jinping në Takimin e 32-të Ekonomik të Liderëve të APEC-ut në Korenë e Jugut dhe vizita shtetërore në këtë vend kanë përcaktuar kursin për bashkëpunimin e Azi-Paqësorit dhe kanë demonstruar përgjegjësinë e Kinës si një vend i madh, tha ministri i Jashtëm kinez Wang Yi kur informoi medien lidhur me udhëtimin e kreut të shtetit kinez në Korenë e Jugut.
Duke vënë në dukje që Xi mori pjesë në më shumë se 10 veprimtrari dypalëshe e shumëpalëshe gjatë tre ditëve të fundit, Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, tha se ky udhëtim pragmatik dhe i frytshëm ka konsoliduar miqësinë e fqinjësisë së mirë dhe ka arritur një sukses të plotë. Ai theksoi që bashkësia ndërkombëtare e ka vlerësuar lart këtë udhëtim, duke besuar se Kina i ka sjellë qëndrueshmëri shumë të çmuar botës së mbushur me pasiguri. Përballë kundërrymës së proteksionizmit, Kina promovon begatinë e përbashkët nëpërmjet përfshirjes dhe mbështet drejtësinë me një ndjenjë të fortë përgjegjësie, ndërsa ndikimi e kapaciteti i saj formësues në rendin ndërkombëtar dhe në bashkëpunimin rajonal në Azi-Paqësor po rritet vazhdimisht, tha ai.
Promovimi i së ardhmes së përbashkët për rajonin e Azi-Paqësorit
Duke kujtuar dy fjalimet e presidentit kinez gjatë Takimit të 32-të Ekonomik të Liderëve të APEC-ut, Wang tha se Xi i nxiti të gjitha palët të ndajnë mundësitë dhe të arrijnë përfitime të përbashkëta nëpërmjet zhvillimit të hapur, të mbështesin globalizimin ekonomik gjithëpërfshirës që u sjell dobi të gjithëve, dhe të angazhohen për ndërtimin e Bashkësisë së Azi-Paqësorit.
Propozimet kryesore të paraqitura nga Xi janë vizionare e të qarta, duke kundërshtuar në mënyrë efektive retorikën e antiglobalizimit, duke hartuar një kurs të qartë për rajonin Azi-Paqësor për të përparuar së bashku me anë të zhvillimit të integruar dhe duke frymëzuar besim në mbështetjen e multilateralizmit, tregtisë së lirë e ekonomisë së hapur botërore, theksoi Wang. Xi njoftoi gjithashtu se qyteti kinez i Shenzhen-it do të presë Takimin e 33-të Ekonomik të Liderëve të APEC-ut në nëntor të vitit të ardhshëm, duke theksuar që Kina është e gatshme të shfrytëzojë mundësinë e organizimit të kësaj veprimtarie për të punuar me të gjitha palët për të ndërtuar së bashku Bashkësinë e Azi-Paqësorit, tha ministri i Jashtëm kinez.
Foto nga VCG
Media ndërkombëtare e pranon gjerësisht që Kina, si një partnere kryesore tregtare për shumë ekonomi të Azi-Paqësorit dhe një nyjë jetike në zinxhirët rajonalë të industrië e të furnizimit, ka përparuar vazhdimisht integrimin rajonal me një frymë hapjeje e bashkëpunimi, vuri në dukje Wang.
Duke nxitur rritjen nëpërmjet risive teknologjike dhe duke punuar me të gjitha palët për të krijuar një ekonomi të hapur të Azi-Paqësorit, Kina është bërë një shtyllë kryesore e bashkëpunimit të APEC-ut, tha ai.
Takimi Xi-Trump, një moment ‘historik’ për lidhjet dypalëshe
Takimi midis presidentit Xi Jinping dhe presidentit të ShBA-së Donald Trump në Busan ishte një moment historik për marrëdhëniet kino-amerikane dhe një ngjarje e rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare, u shpreh kryediplomati kinez. Wang vuri në dukje që takimi u bë kryetitull i mediave globale dhe suksesi i tij është mirëpritur gjerësisht. “Përgjithësisht ai shihet si shumë i rëndësishëm, duke dërguar sinjale pozitive dhe duke lehtësuar tensionet.”
Marrëdhëniet Kinë-ShBA pritet të jenë të qëndrueshme e nën kontroll në një periudhë të ardhshme, theksoi Wang, duke shtuar që rikthimi i të dy palëve në dialog mbi çështjet ekonomike e tregtare ka rritur besimin në tregun global. Takimi midis krerëve të shteteve luan një rol të pazëvendësueshëm në uljen e gjykimeve e përllogaritjeve të gabuara dhe parandalimin e luhatjeve të mëdha në lidhjet dypalëshe, tha ai.
Foto nga VCG
Një “kapitull i ri” në lidhjet Kinë-Kore e Jugut
Ministri i Jashtëm kinez vuri në dukje se udhëtimi shënoi gjithashtu vizitën e parë shtetërore të Xi Jinping-ut në Korenë e Jugut në 11 vjet, gjatë së cilës ai pati shkëmbime të thella pikëpamjesh me homologun e vet koreanojugor Lee Jae-myung në një atmosferë miqësore. Të dy presidentët arritën një sërë konsensusesh të rëndësishme mbi bashkëpunimin, duke përfshirë ritheksimin e partneritetit strategjik bashkëpunues Kinë-Kore e Jugut, tha Wang. Faktet kanë treguar që Kina dhe Koreja e Jugut duhet të ndjekin zhvillim të përbashkët në bazë të respektit të ndërsjellë dhe të kërkojnë bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella, duke lënë mënjanë dallimet, shtoi ai.
Kjo vizitë gjithashtu promovoi bashkëpunimin praktik midis Kinës dhe Koresë së Jugut, tha Wang, pasi të dyja palët ranë dakord të përshpejtojnë negociatat e fazës së dytë të marrëveshjes së tregtisë së lirë Kinë-Kore e Jugut, të përmirësojnë më tej bashkërendimin shumëpalësh, të mbështesin sistemin shumëpalësh e të mbrojnë tregtinë e lirë. Sipas tij, gjatë udhëtimit, të dyja palët kanë thelluar mirëkuptimin e ndërsjellë, duke shkruar një kapitull të ri në marrëdhëniet kino-koreanojugore.
Foto nga VCG
Krijimi i perspektivave për bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta
Gjatë vizitës, Xi Jinping-u shpjegoi gjithashtu parimet udhëzuese të plenumit të katërt të Komitetit të 20-të Qendror të Partisë Komuniste të Kinës nëpërmjet formave të ndryshme, duke përfshirë bisedimet dypalëshe, takimet, fjalimet publike dhe fjalimet me shkrim, tha Wang. Sipas tij, Xi theksoi se ekonomia kineze është si një oqean i gjerë e do të vazhdojë të sjellë më shumë mundësi zhvillimi për komunitetin global të biznesit, dhe se investimi në Kinë do të thotë investim në të ardhmen.
Kreu i shtetit kinez u takua gjithashtu me udhëheqësit e Kanadasë, Tajlandës e Japonisë dhe pati shkëmbime miqësore me përfaqësues nga ekonomi të tjera, për të rritur besimin e ndërsjellë, për të formuar konsensusin dhe për të nxitur bashkëpunimin, bëri të ditur Wang. Pavarësisht se si ndryshojnë rrethanat ndërkombëtare, Kina do të qëndrojë gjithmonë fort në anën e duhur të historisë, në anën e zhvillimit të përbashkët të botës dhe në anën e përparimit të qytetërimit njerëzor, dhe gjithmonë do të mbrojë me vendosmëri drejtësinë e barazinë ndërkombëtare dhe do të promovojë ndërtimin e një bashkësie me të ardhme të përbashkët për njerëzimin, shtoi ai.





























































