Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Komunikacionit i Bullgarisë, Grozdan Karadjov dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski nënshkruan sot një marrëveshje për përgatitjen, ndërtimin dhe funksionimin e një tuneli hekurudhor ndërkufitar midis dy vendeve.
Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të Komisionit Evropian, misioneve diplomatike të vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s në Bullgari si dhe përfaqësues të Bankës Evropiane të Investimeve, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Botërore.
Nikoloski tha se ishte i kënaqur që pa një hap tjetër drejt lidhjes së qyteteve të Sofjes dhe Shkupit nëpërmjet një hekurudhe, pasi ky korridor ka një rëndësi të konsiderueshme strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike për Ballkanin dhe për Evropën në tërësi.
Ai theksoi se seksioni prej 31 kilometrash midis Kumanovës dhe Beljakovcës në Republikën e Maqedonisë së Veriut tashmë është përfunduar.
“Duke nënshkruar këtë marrëveshje, ne po ringjallim një ide 138-vjeçare nga planifikimi i hekurudhës së parë ballkanike dhe nisja e lidhjes midis Sofjes dhe Shkupit”, deklaroi Kardjov.
Ministri shprehu mirënjohjen e tij për partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet financiare, për ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s për rinovimin e projektit.
Tuneli ndërkufitar është një element kyç i korridorit të transportit Ballkani Perëndimor-Mesdheu Lindor dhe Korridorit strategjik VIII.
Zbatimi i tij do të sigurojë lidhjen hekurudhore që mungon midis Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe do të përmirësojë aksesin në transport midis Detit të Zi dhe Adriatikut.
Gjatësia e planifikuar e tunelit është rreth 2,4 kilometra, gjysma e të cilit ndodhet në Bullgari.
Ndërtimi i tij pritet të mbështesë zhvillimin ekonomik të rajonit dhe të forcojë integrimin e rrjeteve të transportit në nivel BE-je dhe NATO-je.





























































