Në botë ekziston vetëm një Kinë dhe Tajvani është pjesë e Kinës, u shpreh zëdhënësi i Zyrës së Çështjeve të Tajvanit të Këshillit të Shtetit të Kinës Chen Binhua në një konferencë shtypi të mërkurën në Pekin, kur iu kërkua të komentonte lidhur me deklaratat e bëra prej kryeministres japoneze Sanae Takaichi në parlamentin e Japonisë.
“Komentet e lideres japoneze në seancën parlamentare janë në kundërshtim të rëndë me parimin e ‘një Kine’ dhe përbëjnë një ndërhyrje brutale në punët e brendshme të Kinës. Ne shprehim pakënaqësi të fortë e kundërshtim kategorik për këtë dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës ka paraqitur demarsh serioz,” tha Chen Binhua.
Tajpei, kryeqendër e rajonit të Tajvanit/Foto nga VCG
Sipas tij, Japonia mban përgjegjësi historike ndaj popullit kinez për çështjen e Tajvanit dhe për krimet e panumërta mizore të kryera gjatë sundimit kolonial 50-vjeçar në ishullin e Tajvanit. “Tetëdhjetë vjet më parë, ne i mundëm pushtuesit japonezë, çliruam Tajvanin dhe i dhamë fund pushtimit e plaçkitjes së Tajvanit nga agresorët japonezë. Tetë dekada më vonë, kushdo që përpiqet të sfidojë interesat thelbësorë të Kinës ose të pengojë ribashkimin e vendit do të përballet me kundërshtimin e vendosur nga qeveria, populli dhe ushtria kineze. Japonia duhet të reflektojë thellësisht mbi të kaluarën, të nxjerrë mësime nga historia, t’i përmbahet si duhet parimit të ‘një Kine’ dhe frymës së katër dokumenteve politike midis Kinës e Japonisë, të mbajë premtimet e saj politike për çështjen e Tajvanit dhe ta trajtojë atë me kujdesin më të madh,” theksoi zëdhënësi. Ai paralajmëroi po ashtu autoritetet e Partisë Demokratike Progresive në Tajvan që çdo përpjekje për ta ndarë Tajvanin nga atdheu me anën e forcave të jashtme do të dështojë patjetër./CGTN




























































