Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka përgëzuar ish-kryeprokurorin e SPAK, Altin Dumani, për punën e tij gjatë mandatit në krye të institucionit. Në reagimin e saj, ambasada vlerëson kontributin e Altin Dumanit gjatë kohës që drejtoi Prokurorinë e Posaçme, duke theksuar se puna e tij ka qenë e rëndësishme në forcimin e bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës.
“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Altin Dumanin për shërbimin e tij të pashembullt si Kryeprokuror i SPAK. Integriteti dhe guximi i tij në mbajtjen e kriminelëve përgjegjës kanë forcuar bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, duke na bërë më të sigurt nga kërcënimi i krimit ndërkombëtar dhe trafikut të drogës,” thuhet në deklaratë.

Ambasada amerikane ka shprehur gjithashtu mbështetjen për kryeprokurorin e ri të Posaçëm, Klodian Braho, i cili u zgjodh sot në krye të SPAK. “Ne presim me kënaqësi të vazhdojmë partneritetin tonë të fortë me Kryeprokurorin e ri të Posaçëm, Klodian Braho, në rolin e tij të ri në krye të SPAK,” theksohet në reagim.
SHBA ka rikonfirmuar edhe një herë angazhimin e saj për të vijuar bashkëpunimin me institucionet e drejtësisë në Shqipëri në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
/Argumentum.al




























































