Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagoi sot në lidhje me dhunën dhe agresionet ndaj gazetarëve gjatë protestave të zhvilluara tri ditët e fundit.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncoi goditjet fizike ndaj gazetares Doriana Bezat, ndërsa raportonte protestën e sotme.
Gjithashtu, goditje e reporterëve në detyrë gjatë ditës së sotme ndodhi edhe në Durrës, ndaj gazetares Vali Qyrfyçi, kryetare e UGSH së qarkut të Durrësit.
UGSH thekson se rastet e sulmeve fizike, agresionet verbale dhe sidomos risqet ndaj integritetit fizik të reporterëve dhe punonjësve të medieve janë rritur në mënyrë alarmuese gjatë dy ditëve të protestave të dhunshme në Tiranë, Durrës dhe në disa tubime e protesta të tjera.
Në dy ditët e mëparshme episode të tjera u raportuan nga shumë medie.
“Rastet e kolegëve Enkelejda Mema, Alice Taylor, Bekim Bici, Anesti Bajramemaj, dhe operatori Heri Simota, Xhoi Malsia, Izmir Akulli të ndodhura në harkun kohor të dy ditëve të fundit, janë të lidhura me sjellje të papërgjegjshme, akte brutale dhe veprime të dhunshme të individëve me uniformën e policisë së shtetit.
Ndërkohë që operatori Elvin Kamberi, Fatime Halmusaj kanë pësuar dëmtime dhe ekipi i Report TV është sulmuar në krye të detyrës nga protestues të dhunshëm”, njoftoi UGSH.
UGSH thekson se në kordinim me të gjitha degët në 12 qarqet po përgatit një raport specifik për rastet dhe situatën e gazetarëve në kushtet e kësaj situate të pazakontë.
Gjithashtu UGSH shpreh solidaritetin e plotë me kolegët dhe apelon për moscenim dhe mospengim të askujt dhe prej askujt që është në detyrën raportuese.
“U bëjmë thirrje të gjithë provokuesve, agresorëve, militantëve kërcënues dhe fytyrave që fshihen nën maska kriminale me qëllim kërcënimin, goditjen, pengimin dhe shantazhimin e gqzetarëve, se do të përballen me procese ligjore dhe ndëshkim të pashmangshëm”, njoftoi UGSH.
UGSH u bën thirrje punonjësve të policisë që në çdo rast dhe kurdo të respektojnë detyrën e gazetarëve dhe medieve dhe të bëhen solidarë kundër çdo agresori ndaj tyre.
© 2026 Argumentum





















































