Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi sot se zgjedhjet parlamentare do të shpallen para përfundimit të mandatit aktual të parlamentit, ndërsa zgjedhjet lokale do të mbahen brenda pesë deri gjashtë muajve në disa komuna të vendit.
“Do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Para përfundimit të mandatit të parlamentit aktual, qytetarët do të kenë mundësinë të vlerësojnë punën tonë,” tha Vuçiç në Pallatin e Serbisë, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari.
Ai shtoi se zgjedhjet do të jenë një mundësi për qytetarët të vendosin “nëse duan të jetojnë në një Serbi të mirë dhe normale” dhe theksoi rëndësinë e përgatitjes serioze dhe të bazuar në hulumtime për të siguruar plane dhe programe më të mira sesa ato të kundërshtarëve.
Deklarata e presidentit vjen në një kohë të tensionuar politike, ndërsa opozita kërkon ndryshime dhe zgjedhje të reja. Analistët parashikojnë se zgjedhjet e ardhshme do të jenë një test kyç për qeverinë aktuale dhe për mbështetjen publike ndaj presidentit dhe partisë së tij.
/ Argumentum.al





























































