Grupi Mediatik i Kinës (CMG) publikoi të dielën 10 lajmet kryesore të vitit 2025.
1. Diplomacia e kryetarit të shtetit të Kinës nxit paqen dhe zhvillimin global
Më 1 shtator, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping propozoi Nismën e Qeverisjes Globale, gjatë kryesimit të samitit “Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) Plus” në qytetin Tianjin në Kinën Veriore. Kjo nismë, së bashku me tre nismat e tjera të propozuara nga kryetari Xi, përkatësisht nismat e zhvillimit, sigurisë dhe qytetërimit global, i kanë dhënë një impuls të fortë ndërtimit të një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit.
2. Kina organizon paradë masive për të shënuar 80-vjetorin e fitores në Luftën e 2-të Botërore
Kina organizoi një paradë ushtarake në Pekin më 3 shtator për të shënuar 80-vjetorin e fitores së Luftës së Rezistencës të Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez dhe Luftës Antifashiste Botërore. Kjo veprimtari rikonfirmoi angazhimin e Kinës për zhvillim paqësor në mes të pasigurisë globale. Vende dhe rajone në të gjithë botën organizuan veprimtari përkujtimore për këtë përvjetor.
Foto nga VCG
3. Konflikti në Gazë vazhdon mes përpjekjeve për armëpushim
Në fund të vitit 2025, një armëpushim në Rripin e Gazës duket se po respektohet. Megjithatë, vëzhguesit kanë vënë re se furnizimet e vazhdueshme me armë dhe qëndrimet diplomatike të ShBA-së kontribuuan në zgjatjen e luftimeve dhe përkeqësimin e krizës humanitare. Në qershor, sulmet amerikane mbi objektet bërthamore iraniane, së bashku me sulmet izraelite, shkaktuan një përshkallëzim 12-ditor, pavarësisht bisedimeve të tërthorta mes Uashingtonit dhe Teheranit.
4. Konflikti Rusi-Ukrainë
Rusia dhe Ukraina mbetën të bllokuara në cikle të luftimeve dhe negociatave, ndërsa ndryshimet në politikën e ShBA-së zgjeruan ndarjet midis Uashingtonit dhe aleatëve të tij evropianë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha më 26 dhjetor se do të shqyrtonte mundësinë e mbajtjes së një referendumi mbi një plan paqeje nëse Rusia do të pranonte një armëpushim prej së paku 60 ditësh, ndërsa zyrtarët rusë thanë se propozimi nga Kievi ndryshonte shumë nga planet e diskutuara midis Moskës dhe Uashingtonit.
5. OBSh-ja dhe BRICS-i zgjerojnë anëtarësimin, duke forcuar solidaritetin dhe ndikimin e Jugut Global
Samiti i 17-të i BRICS-it u mbajt në Rio-de-Zhanejro të Brazilit nga 6 deri më 7 korrik. Ky samit dhe zgjerimi i fundit i BRICS-it, i cili tani përfshin Indonezinë si anëtare më të re dhe 10 vende partnere shtesë, pasqyrojnë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit midis ekonomive në zhvillim. Liderët në Takimin e 24-t të Këshillit të Krerëve të Qeverive të Shteteve Anëtare të OBSh-së, i cili përfundoi më 18 nëntor, gjithashtu shprehën mbështetje për një lloj të ri marrëdhëniesh ndërkombëtare që karakterizohen nga respekti i ndërsjellë, drejtësia, barazia dhe bashkëpunimi me përfitim reciprok.
6. Ngjarjet e motit ekstrem shtohen në mbarë botën, ndërsa Kina njofton Kontributet e Përcaktuara në Shkallë Kombëtare për 2035-n
Ngjarjet e motit ekstrem u intensifikuan në mbarë botën. Në shtator, Kina njoftoi Kontributet e Përcaktuara në Shkallë Kombëtare, me synime ambicioze për vitin 2035, duke përfshirë uljen e lëshimeve të gazrave serrë në mbarë ekonominë me 7 % deri në 10 % nga nivelet maksimale. Kina gjithashtu synon të rrisë pjesën lëndëve djegëse jofosile në konsumin total të energjisë mbi 30 % deri më 2035 dhe të 6-fishojë kapacitetin e instaluar të energjisë së erës e diellore nga nivelet e vitit 2020. Lëvizja e Kinës tregon angazhimin e saj për zhvillim të gjelbër dhe ofron udhëheqje për qeverisjen globale klimatike.
Foto nga VCG
7. Masat tarifore të ShBA-së shkaktojnë kritika globale
Përdorimi i zgjeruar i tarifave nga ShBA-ja shkaktoi gjerësisht kritika, dhe vëzhguesit po paralajmërojnë se masa të tilla minojnë rregullat e OBT-së dhe pengojnë tregtinë globale. Përballë pengesave të mëdha ndaj tregtisë globale dhe pesimizmit të gjerë në pritshmëritë e tregut, ekonomia kineze ka pasur një nisje të mirë në vitin 2025. Ajo ka ruajtur një ritëm të qëndrueshëm mes shenjave të mëkëmbjes, duke treguar përkushtim ndaj zhvillimit me cilësi të lartë dhe duke i sjellë besim shumë të nevojshëm një ekonomie botërore të mbushur me pasiguri.
8. Deklaratat e gabuara të Sanae Takaichi-t mbi Tajvanin e Kinës
Komentet nga kryeministrja japoneze Sanae Takaichi më 7 nëntor mbi rajonin e Tajvanit të Kinës shkaktuan kundërshtim të fortë në Kinë dhe shqetësim në disa pjesë të shoqërisë japoneze. Komuniteti ndërkombëtar gjithashtu ka shprehur shqetësime serioze mbi revizionizmin historik dhe rreziqet e sigurisë në rajonin e Azisë-Paqësorit.
9. Strategjia e Sigurisë Kombëtare e ShBA-së i jep përparësi hemisferës perëndimore
Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare e ShBA-së që u publikua në nëntor, shënon një ndryshim strategjik drejt rilindjes së “Doktrinës Monro”, duke e vendosur përparësinë e ShBA-së në hemisferën perëndimore dhe duke forcuar praninë ushtarake në Amerikën Latine. Ekspertët paralajmëruan që Strategjia e Sigurisë Kombëtare po e vendos ShBA-në në rolin e “xhandarit të botës”.
Foto nga VCG
10. Mbyllja e qeverisë federale amerikane arrin një kohëzgjatke rekord ndërsa ndarjet shoqërore thellohen dhe dhuna politike rritet
Dhomë e Përfaqësuesve e ShBA-së miratoi më 12 nëntor një paketë shpenzimesh të aprovuar më parë nga Senati, duke përfunduar bllokimin e Kongresit që çoi në mbylljen më të gjatë të qeverisë në historinë e ShBA-së. Megjithatë, lufta mes dy partive për pushtet nuk tregon shenja zbutjeje. Paraliza e qeverisjes ka rritur pakënaqësinë publike dhe ka zbuluar problemet strukturore në sistemin politik amerikan./cgtn





























































