Kina do të marrë me vendosmëri të gjitha masat e nevojshme për t’iu përgjigjur çdo kufizimi të padrejtë tregtar nga Mekanizmi i Rregullimit të Kufirit të Karbonit i Bashkimit Evropian, tha të enjten një zëdhënës i Ministrisë kineze të Tregtisë.
Ai i bëri këto deklarata në përgjigje të pyetjeve të mediave lidhur me Mekanizmin e Rregullimit të Kufirit të Karbonit, i cili pritet të hyjë zyrtarisht në fuqi më 1 janar 2026. Kohët e fundit, BE-ja ka publikuar një sërë propozimesh legjislative dhe rregullash zbatimi në lidhje me këtë mekanizëm, duke përfshirë përcaktimin e vlerave standarde fillestare për intensitetin e lëshimeve të karbonit dhe planet për zgjerimin e gamës së produkteve të përfshira.

Foto nga VCG
Zëdhënësi theksoi që BE-ja ka shpërfillur arritjet e dukshme të Kinës në zhvillimin e gjelbër dhe me karbon të ulët, duke vendosur vlera standarde fillestare dukshëm më të larta për intensitetin e lëshimeve të karbonit të produkteve kineze dhe duke planifikuar rritjen e tyre vit pas viti gjatë tre vjetëve të ardhshëm. Sipas tij, këto masa nuk pasqyrojnë realitetin aktual dhe trajektoren e ardhshme të zhvillimit të Kinës, duke përbërë një trajtim të padrejtë dhe diskriminues ndaj saj.
Praktikat e BE-së dyshohet se shkelin parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë, duke përfshirë parimin e trajtimit të kombit më të favorizuar dhe trajtimin kombëtar, si dhe bien ndesh me parimin e “përgjegjësive të përbashkëta, por të ndryshme” të përcaktuar në Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, tha zëdhënësi.

Foto nga VCG
Ai shtoi që BE-ja, me justifikimin e parandalimit të “rrjedhjes së karbonit”, po promovon forma të reja të proteksionizmit tregtar, duke shpërfillur përgjegjësitë historike për lëshimet dhe dallimet në fazat e zhvillimit e kapacitetet teknologjike të vendeve të ndryshme, si edhe duke imponuar standardet e veta të karbonit ndaj vendeve në zhvillim. Kjo ka sjellë konflikte midis rregullave të qeverisjes klimatike dhe atyre tregtare, ka rritur kostot e veprimeve klimatike për vendet në zhvillim dhe ka minuar seriozisht besimin ndërkombëtar, duke rënë ndesh me përpjekjet e përbashkëta për të përballuar ndryshimet klimatike dhe për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm.
Kina i bën thirrje BE-së të respektojë rregullat përkatëse ndërkombëtare mbi klimën dhe tregtinë, të heqë dorë nga unilateralizmi e proteksionizmi, t’i mbajë tregjet të hapura dhe të promovojë liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë e të investimeve në sektorët e gjelbër në një mënyrë të drejtë, shkencore e jodiskriminuese, tha zëdhënësi./cgtn





























































