Ambasada e Kinës në Australi kritikoi të enjten një deklaratë të publikuar nga Departamenti australian i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë (DFAT), duke thënë se ajo shtrembëron faktet dhe ngatërron të drejtën me të gabuarën, dhe i bëri thirrje palës australiane të respektojë angazhimet e saj politike lidhur me çështjen e Tajvanit.
Të mërkurën DFAT-i bëri një deklaratë, ku shprehte shqetësim për stërvitjet e fundit ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare Popullore (UÇP) të Kinës rreth ishullit të Tajvanit të Kinës.
Kina shpreh indinjatë të fortë dhe kundërshtim të vendosur ndaj kësaj deklarate dhe i ka paraqitur palës australiane demarsh solemn, tha zëdhënësi i ambasadës kineze në uebsajtin e saj zyrtar.
Zëdhënësi theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë shpallur së fundmi një shitje të madhe armësh për Tajvanin, në shkelje të parimit të “një Kine”, tre komunikatave të përbashkëta Kinë-ShBA dhe angazhimeve të marra nga udhëheqësit amerikanë. Veprime të tilla inkurajojnë forcat separatiste të “pavarësisë së Tajvanit” të kërkojnë shkëputje nëpërmjet forcimit ushtarak dhe mbështetjes së jashtme, duke e shndërruar Tajvanin në një “fuçi baruti” dhe një “depo municionesh”, shtoi ai.

Foto nga VCG
Sipas zëdhënësit, aktivitetet separatiste për “pavarësinë e Tajvanit” dhe ndërhyrjet e jashtme përbëjnë veprimet më të mëdha të njëanshme që ndryshojnë statukuonë në të dy brigjet e Ngushticës së Tajvanit. Blerjet masive dhe të dëshpëruara të armëve nga forcat separatiste të “pavarësisë së Tajvanit” zbulojnë edhe më qartë natyrën e tyre të vërtetë si provokatorë, sabotatorë të paqes dhe nxitës të luftës, gjë që duhet dënuar nga të gjitha palët, tha ai.
Duke ritheksuar se Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e Kinës, zëdhënësi tha që çështja e Tajvanit është thjesht një punë e brendshme e Kinës dhe në të nuk lejohet asnjë ndërhyrje të huaj.
Stërvitjet përkatëse ushtarake të UÇP-së janë një paralajmërim serioz për forcat separatiste të “pavarësisë së Tajvanit” e për forcat që ndërhyjnë nga jashtë, dhe përbëjnë veprime të ligjshme për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të Kinës, shtoi ai.

Foto nga VCG
Ambasada theksoi gjithashtu që parimi i “një Kine” përbën themelin politik të marrëdhënieve Kinë–Australi.
Pala kineze i bën thirrje të fortë palës australiane të respektojë angazhimet politike, të ndalojë ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës, të mos tolerojë aktivitetet separatiste për “pavarësinë e Tajvanit” dhe të krijojë një mjedis të favorshëm për zhvillimin e shëndetshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë–Australi, thuhet në deklaratë./cgtn





























































