Kina shprehu të dielën mbështetje për një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pas një sulmi ushtarak të ShBA-së kundër Venezuelës, duke shprehur shqetësim të thellë për trajtimin nga Uashingtoni të presidentit venezuelas Nicolas Maduro dhe duke kërkuar respektimin e së drejtës ndërkombëtare.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze, Lin Jian, tha në një konferencë për shtypin se Kina mbështet thirrjen nga Këshilli i Sigurimit të një sesioni urgjent për veprimin ushtarak të ShBA-së kundër Venezuelës dhe përkrah përmbushjen e detyrimeve të këtij Këshilli.
Pritet që mbledhja urgjente të mbahet të hënën, raporton “Xinhua”.
Lin theksoi që Kina është shumë e shqetësuar për kapjen me forcë nga ShBA-ja të Maduros dhe bashkëshortes së tij dhe dërgimin e tyre jashtë Venezuelës. Ai e përshkroi këtë veprim si një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare, të normave themelore që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, si edhe të qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së.
Sipas zëdhënësit, Kina e nxit ShBA-në që të garantojë sigurinë personale të Maduros dhe bashkëshortes së tij, t’i lirojë ata menjëherë, të ndalojë përpjekjet për të përmbysur qeverinë e Venezuelës dhe t’i zgjidhë mosmarrëveshjet nëpërmjet dialogut e negociatave.
Pala kineze është e gatshme të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare për të mbrojtur me vendosmëri Kartën e OKB-së, për të ruajtur kufijtë moralë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe për të mbrojtur barazinë e drejtësinë ndërkombëtare, vuri në dukje Lin./cgtn





























































