Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO nuk i tremb dot Rusinë dhe Kinën, tha sot presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ndërsa nënvizoi se të gjithë ishin me fat që ai e kishte rindërtuar ushtrinë amerikane në mandatin e tij të parë, sipas NDTV.
Udhëheqësi republikan u kujtoi gjithashtu kombeve të NATO-s se si, pas presionit të fortë, shtetet anëtare ranë dakord zyrtarisht të rrisnin objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 përqind të PBB-së deri në vitin 2035.
Angazhimi i ri zëvendëson objektivin prej 2 përqind të vendosur në vitin 2014.
“Mbani mend, për të gjithë ata adhurues të mëdhenj të NATO-s, ata shpenzonin 2% të PBB-së, dhe shumica nuk po i paguanin faturat e tyre, derisa erdha unë. SHBA-ja, pa mend, paguante për ta!”, tha Trump.
Në kritika të ashpra në “Truth Social”, presidenti i SHBA-së Donald Trump shënjestroi vendet e NATO-s – pasi Danimarka paralajmëroi se një sulm nga Amerika do të thoshte fundi i NATO-s.
Ai tha se Rusia dhe Kina nuk kishin frikë nga NATO dhe dyshonin nëse NATO do të ishte aty për SHBA-në nëse do të ishte e nevojshme.
“Mbani mend gjithashtu, unë i dhashë fund i vetëm tetë luftërave, dhe Norvegjia, një anëtare e NATO-s, zgjodhi në mënyrë të pamend të mos më jepte Çmimin Nobel për Paqen”, shkroi Trump.
“Por kjo nuk ka rëndësi! Ajo që ka rëndësi është se kam shpëtuar miliona jetë. Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO nuk i tremb dot Rusinë dhe Kinën”, tha ai.
Ai tha gjithashtu se pa SHBA-në, Rusia do të kishte të gjithë Ukrainën tani.
“Ne do të jemi gjithmonë aty për NATO-n, edhe nëse ata nuk do të jenë aty për ne”, shkroi Trump.
“Presidenti Trump po shqyrton mënyrat se si të marrë kontrollin e Groenlandës dhe përdorimi i ushtrisë amerikane është “gjithmonë një opsion”, tha dje Shtëpia e Bardhë, duke rritur më tej tensionet me aleatin e NATO-s, Danimarkën.
/Argumentum.al





























































