Goran Stojanoviç-Vreme[i]
Eksperienca e punës në qeverinë e Zoran Xhinxhiçit nuk lë hapësirë për rrëfim ngushëllues mbi Pesë Tetorin (përmbysja e Sllobodan Millosheviçit. Shën. i përkth.) . Për atë tani nuk mund të flitet si për një kujtim të bukur, as për një festë të pakryer të demokracisë. Pesë tetori nuk dështoi sepse nuk ishte fitore. Ishte fitore që ç’ke me të, madje e madhe dhe historike. Por fitorja rrëzon pushtetin; ndryshimi i shtetit ndërton rendin të cilin e prodhon ky shtet, e ushqen dhe e mbron.
Atëherë u fitua momenti politik, por nuk u fitua thellësia institucionale. U ndryshuan njerëzit në majë, por nuk ndryshuan sa duhet dhe mjaftueshëm shpejt rregullat, shërbimi, flukset e parave dhe zakonet e dëgjueshmërisë. Ky dallim mes fitores mbi regjimin dhe ndryshimin e shtetit na kushtoi shtrenjtë.
Pushteti dhe shteti
Sot, pas fitores së Listës Studentare, ky dallim nuk duhet kurrsesi të humbasë nga fusha e shikimit. Vërtetë se situata nuk është e njëjtë. Pushteti i Xhinxhiçit lindi si rezultat i një koalicioni të gjërë i cili diti të rrëzonte, por nuk kishte të njëjtën përgjigje për pyetjen se çfarë shteti duhej ndërtuar. Lista Studentore vjen me shumicën absolute. Kjo nuk do të thotë se puna do të jetë e lehtë, porse do të ketë më pak justifikime.
Gabimi më i madh pas Pesë Tetorit nuk qëndornte në atë se nuk dihej çfarë duhej bërë. Dihej madje mirë. Problemi ishte në faktin se besohej që fitorja politike do të prodhonte vetvetiu rendin institucional. Nuk e prodhoi. Sepse shteti ka inercinë e tij. Ai mban mend kuadrot, besnikërinë, zakonet, hierarkinë joformale. Në kuptimin sociologjik rregjimi nuk është vetëm një grumbull njerëzish në pushtet, por rrjet interesash, institucione, frikëra dhe simbolikë fuqie. Nëse kjo rrjetë mbetet e paprekur, atëherë i mbijeton edhe rrëzimit të udhëheqësit.
Shteti nuk ndryshon me hyrjen në kabinet. Ai ndryshon aje ku rregjimi është i rrënjosur më thellë: nëpër dosje, shërbime sekrete, paratë publike, frekuencat, sipërmarrjet publike, konkurset të cilët të cilët janë urdhëra partie dhe kanë fuqinë e ligjit. Nëse këto mekanizma nuk shpërbëhen, rregjimi mbijeton edhe rrënimin e vet. Humbet fytyrën në krye, por ruan reflekset, njerëzit, paratë, arkivat dhe frikën.
Prandaj fitorja mbi Vuçiçiun nuk matet vetëm me atë se ai paska humbur zgjedhjet. Matet edhe me atë se makina e tij do të mbetet pa karburant. Por kjo makinë nuk ka për të ndaluar vetvetiu. Ajo disponon kapitalin të cilin Millosheviçi, në vitin 2000 , nuk e pati në të njëjtën formë: mediatike, kadrovike, lokale dhe të informimit. Këto janë televizionet, tabloidët, ndërmarrjet publike, të fuqishmit lokalë, firmat e mësuara me punë që u jep shteti, komisarët partiakë, rrjetet e boteve dhe njerëzit të cilët janë mësuar që pushteti të mos pyetet, por t’i shërbehet.
Të veprohet menjëherë
Ky kapital do të përpiqet të blejë kohë, rrëfime dhe frikë. Përpjekja e parë e mbijetesës politike nuk do të vijë si program por si narrativ. Fjala se lustrimi është hakmarrje, hetimi përndjekje, hapja e dosjeve të marrëveshjeve kaos, ndryshimi i drejtorëve të paligjshëm spastrim, kontrolli mbi paratë publike sulm ndaj stabilitetit, çlirimi i mediave dhunë ndaj mediave. Në këtë inversion do të përmbahet edhe beteja e parë politike e periudhës kalimtare.
Për këtë Lista Studnetore nuk duhet kurrsesi të prodhojë hakmarrje të tilla, por as nuk, mund të presë që sistemi ta marrë veten. Nevojitet një dorë e qetë dhe prerje precize; më të shpejta se obstruksioni, më të ngadalta se zemërimi.
Në kuptimin filozofik këtu nuk bëhet fjalë për hakmarrje, por për rinovim të rendit publik. Drejtësia nuk duhet kurrsesi të jetë revansh, por as pajtim me krimin e shtetit kundër qytetarëve të tij. Drejtësia duhet të zëvendësojë dëshirën, procedura hakmarrjen, prova thirrjen politike.
Për këtë periudha kalimtare duhet të nisë atje ku fillon çdo përgjegjësi: në sigurimin e provave. Nëpër ministri, ndërmarrjet publike, polici, shërbimin sekret, organet tatimore, kadastër, prokurori, organet rregullatore dhe fondet shtetërore duhet me njëherë të ruhet gjithë dokumentacioni.
Duhet siguruar gjurma digjitale dhe të dihet kush ka patur akses në lëndët, marrëveshjet, aktet e pagesave dhe shënimet zyrtare. Pa prova, çdo reformë bëhet fjalim moral. Dhe fjalimet morale në Serbi vazhdojnë derisa t’i gëlltisë ndonjë titull tabloidësh pasardhës.
Aparati forcës
Njëkohësisht, duhet shtruar çështja e aparatit të forcës. Pikërisht këtu, Pesë Tetori u pengua më shumë. Kryengritja e Njësisë për Operacione Speciale (JSO) ishte paralajmërim i hershëm se pushteti demokratik nuk duhet të mbështetet në aparatin i cili në momentin vendimtar sillet si qendër fuqie më vete. Sot ndoshta kjo nuk do të duket njëlloj. Nuk duhet të ketë kolona me njerëz të armatosur. Mjafton që policia të mos i’a dorëzojë të dhënat prokurorisë, që rregjistrimet zyrtare të humbasin, që dëshmitari të frikësohet, që hetimi të flejë. Aparati autoritar nuk duhet të qëllojë me armë që të mbrohet. Nganjëherë është e mjaftueshme të heshtë.
Prandaj policia e veçantë prokuroriale nuk është çështje teknike. Kjo është çështje nëse prokuroria do të ketë dorën e saj apo do të duhet edhe më tej t’u lutet atyre që duhet t’i hetojë. Por këtu nuk duhet të ketë kurrsesi improvizime. Pushteti i ri nuk guxon të formojë policinë e tij partiake në vend të asaj të tyre. Duhet të ndërtojë shërbimin i cili i përgjigjet vetëm ligjit, prokurorit dhe gjykatësit, dhe jo fituesit të zgjedhjeve.
Lustracioni vjen vetëm atëherë kur kjo fjalë e madhe përkthehet në procedurë precize. Eksperienca e pas vitit 2000 është e parrëzueshme: ligji ekzistonte, komisioni nuk u bë i gjallë, dosjet nuk u hapën, përgjegjësia nuk u vërtetua. Nëse Lista Studnetore dëshiron lustracionin, duhet menjëherë të thotë se cili është objekti i tij, për cilat vepra kriminale, në cilën procedurë, me çfarë provash, para cilit organ dhe me çfarë mbrojtjeje juridike. Nuk duhet kurrsesi të ndëshkohet përkatësia, por keqpërdorimi i fuqisë publike. Nuk, mund të barazohet njeriu i shantazhuar për të marrë pjesë në miting me njeriun që e ka organizuar shantazhimin.
Me shumë vëmendje duhet ndërprerë lidhja mes shtetit dhe parave. Sistemi i Vuçiçit jetonte jo vetëm nga propaganda. Jetonte nëpërmjet furnizimeve publike, ligjeve të veçanta, marrëveshjeve ndërshtetërore, ndërmarrjeve publike, subvencioneve, reklamave, konkurseve të stisura dhe frikës së furnitorëve.
Korrupisoni nuk është vetëm cen moral. Ai është mënyrë drejtimi. Prodhon drejtorë të dëgjueshëm, media të varura, punonjës të shantashuar dhe ndërmjetës të pasur. Nëse mbette e njëjta mënyrë e disponimit të parave, ndryshimi i pushtetit do të prodhojë vetëm një klasë të re të paprekshmish.
Mediat
As mediat nuk çlirohen me ndryshimin e redaktorit. Nuk duhet kurrsesi të ketë hakmarrje prej fitimtari dhe marrje politike të frekuencave. Por gjithashtu nuk duhet patur kurrsesi neutralitet të rrejshëm ndaj sistemit i cili e ka shndërruar informimin publik në fabrikë frike. Liria mediatike vendoset me zbulimin e pronarit, heqjen e financimeve të fshehta të të dëgjueshmëve, me reformën e REM (Regulatorno Telo za Eletronske Medie- Enti rregullator i Mediave elektronike), çlirimin e servisit publik dhe bërjen publike të flukseve të lajmërimeve shtetërore. Frekuenca kombëtare nuk është plaçkë lufte.
Pas gjithë kësaj qëndron sektori publik, baza më e gjërë shoqërore e autoritarizmit. Këtu shihet në mënyrën më të qartë sistemi, sepse e godet njeriun me grusht në bark. Qytetari i cili e di se puna e tij varet nga mesazhet e partisë nuk është qytetar i lirë. Formalisht, ai mund të votojë si dëshiron. Por nëse drejtori sheh me vëmendje se cili nuk ka marrë pjesë në tubim, nëse kontrata i mbaron pas tre muajsh, liria e tij e mbetet e shkruar në ligj, por jo edhe në jetë. Për këtë, depolitizimi i sektorit publik nuk është reformë administrative, por mbrojtje shoqërore e lirisë. Megjithatë, më e rëndësishmja është që shumica e re të pranojë menjëherë kufizimet e fuqisë së saj. Nëse Lista Studentore dëshiron të shpërbëjë sistemin e Vuçiçit, duhet të nisë nga rregulli i cili nuk do të jetë në fuqi vetëm për humbësit por edhe për fitimtarët. Pushteti ndryshon kur njerëz të tjerë ulen në të njëjtat kabinte. Por shteti ndryshion kur këta njerëz të tjerë nuk mund të bëjnë më ato gjëra për të cilat kanë kritikuar paraardhësit.
Shans historik për vetëkufizim
Lista Studentore ka një përparësi të rrallë politike: fitoren e cila nuk erdhi nga rutina partiake, por nga revolta shoqërore kundër përbuzjes, korrupsionit dhe dhunës. Por pikërisht për këtë duhet patjetër të ruhet nga iluzioni më i rrezikshëm i cili është: se mbifuqia morale i rregullon vevtetiu institucionet. Nuk i rregullon! Institucionet rregullohen me rregulla, prova, afate, transparencë publike të punës dhe gatishmërinë e pushtetit të humbasë madje edhe ndonjë bejetë para një organi të pavarur.
Nëse rendi i vërtetë do të jetë vetëm zëvendësimi i njerëzve, sistemi pervertit do të mbijetojë. Nëse ndër vendimet e para do të jetë mbrojtja e provave, zbulimi i flukseve të parave, hetimet e pavarura, lustracioni publik, servisi i lirë publik dhe konkursi në vend të emërimit partiak, atëherë fitorja do të nisë t’i ngjasë ndryshimit të shtetit.
Testi më i rëndëishëm i Listës Studentore nuk do të jetë sesa shpejt do të ndëshkojë njerëzit e Vuçiçit. Testi më i rëndësishëm do të jetë ai sesa shpejt do të jetë në gjendje ai të formojë institucionet, të cilët sot, por edhe nesër, do të jenë të afta të kontrollojnë përfaqësuesit e saj në pushtet. Vetëm atëherë, humbja e një autokrati nuk do të jetë thjesht ndërrim pushteti, por fundi i një modeli autoritar të shtetit kundër të cilit votuam në zgjedhje.
Autori ka qënë zëvendësministër i punës në qeverinë e Zorfan Xhinxhiçit.
[i] https://vreme.com/vesti/peti-oktobar-studentska-lista-zoran-djindjic-drzava/
Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
© 2026 Argumentum





















































