Shtëpia e Bardhë tha të martën se presidenti Donald Trump po shtjellon mundësitë për përvetësimin e Grenlandës, përfshirë edhe përdorimin e mundshëm të ushtrisë amerikane.
Uashingtoni i ka ringjallur synimet e kamotshme së voni për ta marrë ishullin strategjik, pavarësisht kundërshtimeve nga Evropa.
Trump e sheh përvetësimin e Grenlandës si prioritet për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, gjë që është e nevojshme për t’i “frenuar kundërshtarët tanë në rajonin e Arktikut”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.
“Presidenti dhe ekipi i tij po shqyrtojnë një sërë mundësish për ta ndjekur këtë synim të rëndësishëm të politikës së jashtme dhe, natyrisht, përdorimi i ushtrisë amerikane është gjithmonë opsion në dispozicion të komandantit të përgjithshëm”, tha Shtëpia e Bardhë.
Grenlanda ka theksuar vazhdimisht se nuk dëshiron të jetë pjesë e Shteteve të Bashkuara.
Udhëheqës nga fuqitë kryesore evropiane dhe Kanadaja u rreshtuan përkrah Grenlandës të martën, duke thënë se ky ishull u përket njerëzve të vet.
Grenlanda është territor danez dhe pushtimi i saj ushtarak nga SHBA – e cila është aleate e hershme e Danimarkës, do të shkaktonte tronditje të mëdha në aleancën e NATO-s dhe do të thellonte ndarjet mes Trumpit dhe udhëheqësve evropianë.
/Argumentum.al





























































