Tërheqja e ShBA-së nga organizatat ndërkombëtare nuk është më lajm, theksoi në një konferencë për shtypin të enjten zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Mao Ning. Ajo e tha këtë kur iu kërkua të komentonte lidhur me deklaratën e Shtëpisë së Bardhë që presidenti Donald Trump ka urdhëruar tërheqjen e ShBA-së nga 66 organizata ndërkombëtare që “nuk përputhen me interesat e ShBA-së”, duke ndaluar financimin e organizatave që sipas tij i japin përparësi agjendës globale mbi agjendën amerikane.
Sipas zëdhënëses, rëndësia e organizatave ndërkombëtare dhe e institucioneve shumëpalëshe qëndron në faktin që ato nuk përfaqësojnë interesat private të ndonjë vendi, por mbrojnë interesat e përbashkët të vendeve anëtare. Pikërisht për këtë arsye, shtoi ajo, sistemi ndërkombëtar me OKB-në në thelb ka ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë botërore gjatë mbi 80 vjetëve, duke nxitur zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe duke mbrojtur të drejtat e të gjitha vendeve.
Zëdhënësja e diplomacisë kineze u shpreh më tej që situata ndërkombëtare ka dëshmuar edhe një herë se funksionimi efektiv i sistemit shumëpalësh mund të parandalojë përhapjen e “ligjit të xhunglës”, duke siguruar mosdrejtimin e rendit ndërkombëtar nga parimi “Fuqia është e drejtë dhe forca vendos drejtësinë”. Kjo është ajo për të cilën kanë më shumë nevojë shumica e vendeve, veçanërisht ato të vogla dhe të dobëta.
“Pavarësisht se si ndryshon situata, Kina do t’i përmbahet gjithmonë multilateralizmit, do ta mbështesë OKB-në të luajë një rol thelbësor në çështjet ndërkombëtare dhe do të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për të promovuar ndërtimin e një sistemi më të drejtë e të barabartë të qeverisjes globale,” tha Mao Ning./cgtn





























































