“S’kam nevojë për ligjin ndërkombëtar” deklaroi presidenti amerikan Donald Trump gjatë një interviste të fundit për “New York Times”, disa ditë pas sulmit të ushtrisë amerikane në Venezuelë dhe marrjes me forcë të presidentit Nicolas Maduro. Kjo deklaratë pasqyron në mënyrë të përsosur unilateralizmin dhe hegjemoninë e ShBA-së. “New York Times” vuri në dukje që deklarata e Trump-it për lirinë e tij për të përdorur çdo mjet të fuqisë ushtarake, ekonomike ose politike për të çimentuar supremacinë amerikane, ishte pranimi më i hapur deri më tani i botëkuptimit të tij.
Në një sondazh të opinionit publik global të kryer nga CGTN-i, 93.5 për qind e pjesëmarrësve besojnë që ShBA-ja, duke ndjekur unilateralizmin, e ka vënë veten në kundërshtim me bashkësinë ndërkombëtare. Gjithashtu, 91.7 për qind mendojnë se reformimi i sistemit të qeverisjes globale është një përparësi e ngutshme.
Vetëm një ditë më parë, ShBA-ja shpalli tërheqjen e saj nga 66 organizata ndërkombëtare, duke vendosur një rekord të ri për tërheqjen e saj nga angazhimet shumëpalëshe. Këto organizata përfshijnë ndër të tjera fusha si ajo e klimës, energjetikës dhe qeverisjes globale. Trump-i theksoi se funksionimi i tyre shkon kundër interesave kombëtarë, sovranitetit dhe begatisë ekonomike të ShBA-së.
Si përgjigje, 84.1 për qind e të anketuarve theksuan që nuk habiten nga kjo lëvizje e ShBA-së, 88.9 për qind e cilësuan atë si një hap tjetër radikal në kuadër të doktrinës “Amerika e para”, ndërsa 93 për qind besojnë që qëndrimi i ShBA-së për t’i përdorur sistemet ndërkombëtare kur janë të dobishme dhe për t’i braktisur ato kur nuk janë, minon rëndë rendin ekzistues ndërkombëtar dhe drejtësinë e barazinë globale. Gjithashtu, 88.3 për qind vunë në dukje që tërheqja e ShBA-së zbulon përsëri se ajo është një fuqi e madhe e papërgjegjshme, duke i shkaktuar një goditje të rëndë reputacionit të saj ndërkombëtar, kurse 88.5 për qind besojnë që kjo pasqyron qëndrimin negativ të ShBA-së ndaj qeverisjes globale.
Vargu i fundit e veprimeve të njëanshme dhe frikësuese nga qeveria amerikane ka shkaktuar alarm dhe pakënaqësi të gjerë në bashkësinë ndërkombëtare. Zbatimi prej ShBA-së i “ligjit të xhunglës”, ku “fuqia është e drejtë”, po dëmton rëndë sistemin e qeverisjes globale. Në sondazh, 89.9 për qind e të anketuarve pranojnë që multilateralizmi, i bazuar në koordinim dhe bashkëpunim, mbetet çelësi për trajtimin e sfidave të tanishme të qeverisjes globale. Ndërkohë, 94.4 për qind besojnë që është me rëndësi kyçe përparimi i reformës së sistemit të qeverisjes globale, respektimi i së drejtës ndërkombëtare dhe rritja e efektivitetit të mekanizmave shumëpalëshe, ndërsa 90 për qind mendojnë që fuqitë e mëdha duhet të mbajnë përgjegjësi më të madhe dhe të luajnë një rol më konstruktiv në nxitjen e reformës së qeverisjes globale.
Ky sondazh u krye në platformat e CGTN-it në anglishte, spanjishte, frëngjishte, arabishte dhe rusishte, duke tërhequr rreth 24 mijë pjesëmarrës brenda 24 orëve./cgtn





























































