
Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç zhvilluan bisedime të hënën në Pekin, duke vlerësuar miqësinë e hekurt mes dy vendeve dhe duke premtuar që të forcojnë bashkëpunimet, që nga transporti deri tek shkëmbimet njerëzore.
Vuçiç po zhvillon vizitën e parë shtetërore në Kinë në datat 24 – 28 maj. Ai ka udhëtuar edhe herë të tjera në Kinë për aktivitete ndërkombëtare. Vuçiç vizitoi Kinën në shtator 2025 për përkujtimet që shënuan 80-vjetorin e fitores në Luftën e Rezistencës së Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez dhe Luftën Botërore Antifashiste.
Xi tha se të dyja palët kanë hapur së bashku një kapitull të ri në ndërtimin e një komuniteti Kinë-Serbi me një të ardhme të përbashkët në epokën e re, që nga vizita e tij shtetërore në Serbi në vitin 2024, duke u sjellë dobi të dy popujve dhe duke vendosur një model marrëdhëniesh mes dy vendeve.
Xi theksoi se miqësia e fortë midis Kinës dhe Serbisë është unike, e mbështetur në një logjikë të thellë historike dhe një themel të fortë praktik, duke shtuar se të dyja palët duhet të vazhdojnë të mbështesin fort njëra-tjetrën.
“Kina mbështet Serbinë në ndjekjen e një rruge zhvillimi të përshtatshme për kushtet e saj kombëtare dhe është e gatshme të forcojë shkëmbimet e përvojave në qeverisje”, tha Xi.

Gjatë vizitës së Vuçiç, Xi i dha atij Medaljen e Miqësisë, medalja më e lartë nderi e Republikës Popullore të Kinës që u jepet shtetasve të huaj.
Xi theksoi se kjo medalje nuk është vetëm një njohje e lartë e kontributeve të Presidentit Vuçiç në miqësinë Kinë-Serbi, por gjithashtu mbart pritshmëritë e sinqerta të të dy popujve për ndërtimin e një bashkësie Kinë-Serbi me një të ardhme të përbashkët në epokën e re.
Presidenti Vuçiç i ka dhënë gjithmonë Kinës mbështetjen e tij më të fortë dhe më të qartë për çështjet që lidhen me interesat thelbësore dhe shqetësimet kryesore të Kinës, duke fituar respektin e popullit kinez, tha Xi.
Vuçiç, nga ana e tij, tha se ky është një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij dhe medalja nuk është vetëm nderi më i lartë për të, por edhe një njohje e përpjekjeve të Serbisë për sovranitet, pavarësi dhe zhvillim.
Duke vënë në dukje se Kina gjithmonë i respekton vendet më të vogla, qëndron pranë popullit serb në kohë të vështira dhe e ndihmon Serbinë të zhvillohet, Vuçiç tha se Serbia nuk do ta harrojë kurrë mbështetjen dhe ndihmën e Kinës dhe se do të vazhdojë t’i përkushtohet miqësisë Serbi-Kinë dhe të punojë me Kinën për të çuar përpara ndërtimin e një komuniteti Serbi-Kinë me një të ardhme të përbashkët.
Ish-Ministri i Jashtëm i Jugosllavisë Zivadin Jovanoviç tha se vizita e Vuçiç tregon vazhdimësinë e dialogut politik të nivelit më të lartë midis Serbisë dhe Kinës. Natyra e marrëdhënieve Kinë-Serbi reflektohet në bashkëpunimin shumëplanësh në fushat dypalëshe dhe shumëpalëshe, tha
Duke vënë në dukje se Plani i 15-të Pesëvjeçar i Kinës (2026-2030) përcakton marrëveshje gjithëpërfshirëse për zhvillim me cilësi të lartë, Xi tha se Kina dhe Serbia duhet të harmonizojnë më mirë strategjitë e zhvillimit, të zbatojnë planin e veprimit afatmesëm për bashkëpunimin “Një Brez, një Rrugë” dhe të përparojnë bashkëpunimin në infrastrukturën e transportit dhe energjisë, ndër të tjera.
Në sfondin e një revolucioni të ri shkencor dhe teknologjik dhe transformimit industrial, të dyja palët duhet të zgjerojnë bashkëpunimin në sektorë në zhvillim si inteligjenca artificiale, ekonomia dixhitale, energjia e gjelbër dhe prodhimi i përparuar për të krijuar nxitës të rinj të rritjes, tha ai.
Xi u bëri thirrje gjithashtu të dy vendeve të shfrytëzojnë politikat e përjashtimit të vizave, marrëveshjen e tregtisë së lirë dhe fluturimet direkte për të zgjeruar bashkëpunimin e gjithanshëm në kulturë, arsim, sport, turizëm dhe shkëmbime nënkombëtare.
Peizazhi ndërkombëtar fluid dhe i trazuar, kërkon koordinim dhe bashkëpunim më të ngushtë midis Kinës dhe Serbisë në çështjet globale, tha Xi, duke shtuar se të dy vendet duhet të praktikojnë multilateralizmin e vërtetë dhe të përpiqen të përparojnë pa lëkundje një botë shumëpolare të barabartë dhe të rregullt dhe një globalizim ekonomik universalisht të dobishëm dhe gjithëpërfshirës, si dhe ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.
Duke përshëndetur miqësinë e fortë midis dy vendeve, Vuçiç shprehu vlerësim për ndërmarrjet kineze që marrin pjesë dhe kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin e Serbisë.
Serbia mezi pret të punojë me Kinën për të thelluar bashkëpunimin me cilësi të lartë në “Një brez, një rrugë”, për të nxitur projekte të mëdha dhe për të forcuar shkëmbimet midis njerëzve për të arritur rezultate më të prekshme në marrëdhëniet dypalëshe, tha ai.
Ai gjithashtu theksoi se Serbia mbështet nismat kryesore globale të paraqitura nga Presidenti Xi dhe është e gatshme të forcojë më tej koordinimin shumëpalësh me Kinën për të mbështetur paqen ndërkombëtare, si dhe drejtësinë.
“Në botën e sotme, Kina luan një rol unik si një motor kryesor i rritjes ekonomike globale dhe një promovuese e multilateralizmit. Me fjalë të tjera, Kina funksionon si një faktor kyç i stabilitetit dhe rritjes ekonomike”, tha Gordana Mishev, drejtoreshë në detyrë e Institutit të Politikës dhe Ekonomisë Ndërkombëtare në Serbi.

Pas bisedimeve, krerët e dy shteteve morën pjesë së bashku në nënshkrimin e mbi 20 dokumenteve të bashkëpunimit në fusha si politika, ekonomia dhe tregtia, shkenca dhe teknologjia, arsimi, çështjet ligjore dhe kultura.
Të dyja palët lëshuan gjithashtu një deklaratë të përbashkët mbi promovimin e vazhdueshëm të ndërtimit të një komuniteti Kinë-Serbi me një të ardhme të përbashkët në epokën e re, dhe një deklaratë të përbashkët mbi promovimin e përbashkët të zbatimit të Nismave Globale të Zhvillimit, Sigurisë, Civilizimit dhe Qeverisjes.
Përpara bisedimeve, Xi dhe bashkëshortja e tij Peng Liyuan mbajtën një ceremoni mirëseardhjeje për Vuçiçin dhe bashkëshorten e tij Tamara Vuçiç në Sallën e Madhe të Popullit. Xi dhe Peng gjithashtu shtruan një banket mirëseardhjeje për ta në mbrëmje.
CGTN




























































