Ministri i Jashtëm japonez Motegi Toshimitsu mbajti një fjalim me rastin e 10-vjetorit të “Vendimit të Arbitrazhit të Detit të Kinës Jugore”, ku e mbështeti hapur vendimin e paligjshëm dhe dënoi masat e ligjshme të Kinës, duke thënë që Japonia është palë e interesuar në çështjen e Detit të Kinës Jugore. Kina e dënon dhe e kundërshton me vendosmëri fjalimin e palës japoneze.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës u shpreh se Japonia nuk është palë e interesuar në çështjen e Detit të Kinës Jugore dhe nuk ka të drejtë të kritikojë sovranitetin dhe të drejtat e interesat e Kinës mbi Detin e Kinës Jugore. Japonia orvatet të ndërhyjë në çështjen e Detit të Kinës Jugore me pretekstin e “palës së interesuar”, dhe kjo vetëm do t’u kujtojë popujve të botës edhe një herë historinë e agresionit të Japonisë, duke qëndruar vigjlentë për “rimilitarizimin” e saj.
Sovraniteti i Kinës mbi ishujt e ndryshëm të Detit të Kinës Jugore dhe të drejtat e interesat përkatëse mbi këtë det janë përcaktuar gjatë një historie të gjatë dhe kanë baza të plota historike e juridike. Veprimet përkatëse të ndërmarra nga Kina në Detin e Kinës Jugore janë të arsyeshme e të ligjshme dhe nuk mund të kritikohen. Kina nuk e pranon dhe nuk e njeh “vendimin” përkatës dhe kundërshton çfarëdo veprimi të bazuar në këtë vendim.
Zëdhënësi shtoi se Kina do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri sovranitetin territorial dhe të drejtat e interesat e veta detare në Detin e Kinës Jugore. Çdo orvatje për sfidimin e të drejtave dhe interesave të ligjshme të Kinës dhe për shkatërrimin e paqes e të qëndrueshmërisë në Detin e Kinës Jugore do të dështojë patjetër./cgtn





























































