Gjermania hodhi poshtë të hënën mundësinë e miratimit të shpejtë të sanksioneve të reja të Bashkimit Evropian ndaj vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar. Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, deklaroi se kufizimet ndaj importeve nga këto vendbanime duhet të miratohen vetëm me konsensus të plotë nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.
Wadephul tha se prioriteti i tij mbetet dialogu me qeverinë izraelite dhe jo vendosja e sanksioneve të reja, duke sinjalizuar kundërshtimin e Berlinit ndaj masave tregtare të mbështetura nga vende si Spanja, Belgjika dhe Irlanda.
Komisioni Evropian përgatiti një sërë opsionesh për ministrat e Jashtëm të BE-së, të mbledhur të hënën në Bruksel, mes të cilave edhe kufizime ose ndalim të importeve të mallrave që vijnë nga vendbanimet izraelite.
Qëndrimi i Gjermanisë e bën të pamundur që këto propozime të avancojnë me shpejtësi.
Nëse kufizimet tregtare do të klasifikoheshin zyrtarisht si sanksione në kuadër të politikës së jashtme të BE-së, ato do të kërkonin miratim unanim, çka do t’i jepte Gjermanisë dhe vendeve të tjera skeptike mundësinë për t’i bllokuar.
Megjithatë, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, deklaroi se ekzistojnë interpretime të ndryshme juridike mbi këtë çështje. Sipas saj, Shërbimi Juridik i BE-së vlerëson se masat e propozuara tregtare mund të miratohen me shumicë të cilësësuar dhe jo domosdoshmërisht me unanimitet.
Kjo do të kërkonte mbështetjen e të paktën 15 nga 27 shtetet anëtare të BE-së, të cilat së bashku përfaqësojnë të paktën 65% të popullsisë së bllokut.
Edhe pse kundërshtoi vendosjen e sanksioneve të reja, Wadephul përsëriti kritikat ndaj politikës së Izraelit për zgjerimin e vendbanimeve, duke theksuar se ajo nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Ai shtoi se Gjermania pret që qeveria izraelite të ndërmarrë masa vendimtare kundër kolonëve të dhunshëm dhe se këtë mesazh ia kishte përcjellë autoriteteve izraelite gjatë vizitës së tij në Izrael javën e kaluar.
Bashkimi Evropian ka prej muajsh vështirësi të arrijë një qëndrim të përbashkët lidhur me zgjerimin e vendbanimeve izraelite. Megjithëse shtetet anëtare pajtohen gjerësisht se këto vendbanime janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, deri më tani ato nuk kanë arritur konsensus për vendosjen e sanksioneve më të gjera.
/Argumentum.al




























































