Këshilli i Atlantikut të Veriut miratoi të mërkurën, më 22 korrik, Planin e Burimeve të Financimit të Përbashkët të NATO-s për periudhën 2027–2031, i cili përcakton prioritetet e investimeve të Aleancës për pesë vitet e ardhshme.
Sipas NATO-s, plani u ofron aleatëve një panoramë afatgjatë të nevojave financiare të Aleancës dhe siguron që financimi i përbashkët të përputhet me objektivat e rritura të NATO-s në një mjedis sigurie gjithnjë e më sfidues.
Në kuadër të këtij vendimi, aleatët miratuan tavanet e financimit për vitin 2027 për Buxhetin Ushtarak, Buxhetin Civil dhe Programin e Investimeve të Sigurisë së NATO-s (NSIP), duke e çuar financimin total të përbashkët deri në 6.5 miliardë euro.
Këshilli miratoi gjithashtu Planin e Programit të Kapaciteteve të Zinxhirit të Furnizimit me Karburant të NATO-s, një investim prej 27 miliardë eurosh, që synon modernizimin e rrjetit ekzistues të magazinimit dhe shpërndarjes së karburanteve.
Investimi do të mbështesë ndërtimin e objekteve të reja, përfshirë tubacione dhe kapacitete të tjera logjistike në pjesët lindore dhe juglindore të Aleancës, me qëllim garantimin e furnizimit energjetik për forcat e NATO-s dhe rritjen e gatishmërisë operacionale.
NATO deklaroi se financimi i përbashkët mbështet kapacitetet dhe infrastrukturën që kontribuojnë në sigurinë e rreth një miliard qytetarëve të vendeve aleate, duke forcuar parandalimin dhe mbrojtjen kolektive, operacionet e Aleancës dhe proceset e komandës e kontrollit.
Plani i ri përfshin gjithashtu financime për mbështetjen e Ukrainës, përmes Nismës së NATO-s për Asistencë të Sigurisë dhe Trajnim për Ukrainën (NSATU) dhe Qendrës së Përbashkët NATO–Ukrainë për Analizë, Trajnim dhe Edukim (JATEC).
/Argumentum.al




























































