Në prag të Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSH) 2026, Sekretari i Përgjithshëm i OBSH-së Nurlan Yermekbayev dha një intervistë në Pekin për CMG.
OBSH u themelua më 15 qershor 2001. Deri tani, numri i anëtarëve të “familjes së OBSH-së” ka arritur në 27 nga gjashtë në fillim. OBSH është zhvilluar në një organizatë gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit rajonal me territorin më të gjerë, popullsinë më të shumtë dhe potencialin e madh të zhvillimit. Gjatë 25 vjetëve, duke përmbajtur “Shpirtin e Shangait”, bashkimin dhe bashkëpunimin gjithëpërfshirës, vendet anëtare kanë hapur me sukses një rrugë të bashkëpunimit rajonal të tipit të ri duke vendosur një model për marrëdhëniet ndërkombëtare të tipit të ri. Samiti i këtij viti do të zhvillohet në Bishkek të Kirgistanit, në të cilin pritet të marrin pjesë udhëheqësit e ardhur nga mbi 20 vende.
Gjatë intervistës, Sekretari i Përgjithshëm Nurlan Yermekbayev u shpreh se gjatë 25 vjetëve, OBSH ka krijuar me sukses një hapësirë të besimit të ndërsjellë dhe ka vendosur një mekanizëm të veçantë bashkëpunimi shumënivelësh në një gamë të gjerë fushash. “Ne shohim shumë vende që tregojnë interes të madh për anëtarësimin në OBSH. OBSH nuk vendos kufirin bazuar në madhësinë e një vendi apo forcën ekonomike, të gjitha vendet gëzojnë statusin e barabartë. Këto janë pikërisht vlerat dhe magjia e OBSH-së,” tha Nurlan Yermekbayev.
Duke folur për Nismën e Qeverisjes Globale, Nurlan Yermekbayev tha se kjo nismë e paraqitur nga presidenti kinez Xi Jinping ka rëndësi të madhe, ndikim të thellë dhe erdhi pikërisht në kohën e duhur.
Kur u thelemua OBSH në vitin 2001, ruajtja e paqes dhe sigurisë rajonale ishte tema kryesore e vendeve anëtare të saj. Sot, tema e bashkëpunimit është zgjeruar në fusha të ekonomisë, tregtisë, shkencave, teknologjisë, shkëmbimeve njerëzore etj.
Nurlan Yermekbayev u shpreh se aktualisht ekonomia digjitale, inteligjenca artificiale dhe zhvillimi i gjelbër janë fusha kryesore që nxitin bashkëpunimin ekonomik të OBSH-së. Kjo organizatë ka hartuar një sërë dokumentesh që mbulojnë ekonominë digjitale, transformimin digjital dhe aplikimet e inteligjencës artificiale.
Nurlan Yermekbayev shprehu shpresën se samiti i këtij viti do të miratojë një sërë dokumentesh të rëndësishme dhe praktike për të forcuar më tej bashkëpunimin midis vendeve anëtare duke pasur rezultate të frytshme./cgtn





















































