Forcat amerikane goditën të dielën dy lëshues raketash iranianë në ishullin Larak, në ngushticën e Hormuzit, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), në sulmin e parë të konfirmuar publikisht ndaj Iranit pas disa javësh.
Zëdhënësi i CENTCOM-it, kapiteni Tim Hawkins, tha për TIME se forcat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) “u vëzhguan duke u përgatitur të lëshonin raketa me mina detare” në ngushticë.
Sipas tij, forcat amerikane përfunduan javën e kaluar operacionin për pastrimin e minave detare nga rrugët ndërkombëtare të lundrimit në Hormuz.
“Forcat amerikane po monitorojnë nga afër zonën dhe mbeten të gatshme të mbrojnë qarkullimin e lirë të tregtisë përmes kësaj rruge jetike ujore”, tha Hawkins.
CENTCOM e cilësoi sulmin si një “veprim të kufizuar dhe të saktë” kundër forcave iraniane që po vendosnin mina dhe që, sipas SHBA-së, përbënin një kërcënim të menjëhershëm për ngushticën.
Irani paralajmëron hakmarrje
Pas sulmit amerikan, Garda Revolucionare Islamike deklaroi se Irani do t’i përgjigjej goditjes në Larak me “ndëshkimin e agresorit”.
Më vonë, sipas një zyrtari amerikan të cituar nga Axios, Irani lëshoi raketa balistike drejt një baze amerikane në Jordani.
Forcat e armatosura jordaneze njoftuan se kishin interceptuar tetë raketa që hynë në hapësirën ajrore të vendit në orët e para të së hënës.
Përshkallëzim i ri
Sulmi në Larak ishte goditja e parë e konfirmuar nga SHBA-ja ndaj territorit iranian që prej 29 korrikut, kur CENTCOM njoftoi një valë të gjerë sulmesh ndaj dhjetëra objektivave të IRGC-së, përfshirë qendra komanduese, objekte raketore dhe dronësh, si dhe sisteme bregdetare të vëzhgimit dhe mbrojtjes.
Më 1 gusht, Presidenti Donald Trump tha se kishte rënë dakord të pezullonte përkohësisht sulmet ndaj Iranit pas kërkesës së aleatëve amerikanë në Lindjen e Mesme.
Por goditja e së dielës shënon një përshkallëzim të ri të konfliktit, i cili ka nisur më 28 shkurt.
Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës para luftës kalonte rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë, mbetet në qendër të përplasjes. Konflikti ka sjellë një bllokadë të ngushticës dhe ka ndërprerë rëndë një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë.
© 2026 Argumentum



















































