发展—[fāzhǎn]—zhvillim
Pjesëmarrja e presidentit të Kinës Xi Jinping në Samitin e BRICS-it në Indi, ka një rëndësi strategjike për orientimin e zhvillimit cilësor të bashkëpunimit të zgjeruar të organizatës, deklaroi të dielën Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi.
Vizita në Azinë Jugore gjithashtu forcoi bashkimin midis vendeve të Jugut Global, tha Wang.
Kryediplomati kinez i bëri komentet teksa informoi gazetarët mbi vizitën e presidenti Xi në Indi për të marrë pjesë në Samitin e 18-të të BRICS, nga e shtuna deri të dielën.
Sipas tij, së pari, vizita i ka shtuar forcë të re nxitëse bashkëpunimit të BRICS. Presidenti e përgjithësoi zhvillimin e BRICS-it gjatë dy dekadave të fundit me tre përcaktime kyçe: vetëmbështetja e vetëforcimi, qëndrimi të bashkuar në kohëra të vështira dhe arritja e rezultateve frytdhënëse.
Duke u nisur nga një pikë e re historike, Xi u bëri thirrje vendeve të BRICS-it të jenë pioniere në përparimin e zhvillimit të nxitur nga inovacioni, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, në lehtësimin e mësimit të ndërsjellë midis qytetërimeve, si dhe në reformimin dhe përmirësimin e qeverisjes globale, tha Wang.

Foto nga Xinhua
Në vitin 2027 ky mekanizëm do të hyjë në “Vitin e Kinës” për herë të katërt. Presidenti Xi njoftoi se Kina do ta shfrytëzojë këtë mundësi për të punuar me të gjitha palët për të ndërtuar konsensus, për të hapur perspektiva për të ardhmen dhe për të çelur dekadën e tretë të artë të bashkëpunimit të BRICS, tha Wang.
Së dyti, vizita fuqizoi Jugun Global.
Presidenti Xi paraqiti katër propozime të rëndësishme për të forcuar Jugun Global: mbrojtjen e përbashkët të sundimit të ligjit në çështjet ndërkombëtare dhe garantimin e zbatimit të ligjit dhe rregullave ndërkombëtare për të gjithë; mbajtjen lart të flamurit të multilateralizmit dhe mbrojtjen e autoritetit të Kombeve të Bashkuara; angazhimin ndaj një filozofie zhvillimi që vë njerëzit në qendër dhe përpjekjen për të përmbushur Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm; si dhe avancimin e përbashkët të qeverisjes së sigurisë dhe përballimin e kërcënimeve tradicionale dhe jo-tradicionale të sigurisë, tha Wang.
Duke u fokusuar tek raundi i ri i revolucionit shkencor e teknologjik dhe transformimit industrial, Xi propozoi nisma si: nisma e BRICS-it për industrializimin e ri të fuqizuar nga inteligjenca artificiale (AI), nisma për AI me burim të hapur dhe gjithëpërfshirës, nisma për bashkëpunim në industrinë digjitale dhe nisma për bashkëpunim në prodhimin inteligjent, tha Wang.
Së treti, vizita udhëhoqi marrëdhëniet Kinë-Indi, tha Wang.

Foto nga Xinhua
Ai vuri në dukje se presidenti Xi dhe kryeministri i Indisë Narendra Modi zhvilluan një shkëmbim të sinqertë dhe të thellë pikëpamjesh mbi çështjet strategjike, afatgjata dhe të drejtuara në lidhje me marrëdhëniet Kinë-Indi, duke vënë në dukje se konsensusi më i rëndësishëm që arritën ishte se Kina dhe India duhet të jenë partnere.
Sipas tij, presidenti Xi tha se Kina dhe India mund të përplotësojnë kërkesat reciproke, të mbështesin dhe të ndihmojnë njëra-tjetrën për të patur sukses dhe të ndjekin zhvillim të përbashkët.
Wang tha se udhëheqësit e të dy vendeve ranë dakord të ruajnë së bashku paqen dhe qetësinë në zonat kufitare, ndërsa të dy vendet do të mbështesin njëra-tjetrën si kryetarë me radhë të BRICS-it./cgtn





















































