Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallin sot aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në procesin gjyqësor për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Seanca nis në orën 10:00 dhe do të jetë publike, ndërsa vendimi pritet të shënojë një nga momentet më të rëndësishme të këtij procesi gjyqësor.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin sot aktgjykimin në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Seanca për shpalljen e aktgjykimit është caktuar të nisë në orën 10:00, sipas njoftimit zyrtar të Dhomave të Specializuara. Seanca do të jetë publike dhe do të transmetohet online në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat, sipas aktakuzës, lidhen me periudhën nga marsi 1998 deri në shtator 1999. Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Aktakuza përfshin 10 pika, gjashtë prej të cilave lidhen me krime kundër njerëzimit, përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë, ndërsa katër pika lidhen me krime lufte.
Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së nisi në prill 2023. Procedurat e provave u mbyllën në dhjetor 2025, ndërsa deklaratat përmbyllëse u zhvilluan në shkurt të këtij viti. Sipas Dhomave të Specializuara, në proces kanë dëshmuar 134 dëshmitarë.
Në prag të vendimit, në Kosovë janë paralajmëruar edhe tubime në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa zhvillimet pritet të shoqërohen me masa të shtuara sigurie.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se KFOR-i do të vijojë të jetë i pranishëm në Kosovë për të kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, pavarësisht zhvillimeve që mund të pasojnë aktgjykimin.
Shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë do të zhvillohet në selinë e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke shënuar një tjetër moment kyç në procesin gjyqësor ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
/Argumentum.al





















































