Zyra e Komisionerit të Ministrisë së Jashtme të Kinës në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut (HKSAR) shprehu të shtunën kundërshtimin e vendosur dhe dënimin e ashpër ndaj komenteve të pajustifikuara që cenojnë sundimin e ligjit dhe lirinë në Hong-Kong, shkruan CGTN.
Këto deklarata erdhën pasi gjykata e HKSAR-it dha vendimin për dënimin e ish-anëtarëve të “Aleancës së Hong-Kongut” për nxitje të përmbysjes së pushtetit.
Një zëdhënës i Zyrës së Komisionerit tha se “Aleanca e Hong-Kongut” dhe të pandehurit janë përfshirë prej kohësh në aktivitete kundër Kinës dhe që destabilizojnë Hong-Kong-un, duke shtuar se krimet e tyre përbënin një sfidë serioze për rendin kushtetues të HKSAR-it, të krijuar bashkërisht nga Kushtetuta e Kinës dhe Ligji Themeltar, si dhe shkelje të rënda të Ligjit të Sigurisë Kombëtare të Hong-Kong-ut.
Zëdhënësi theksoi se organet e zbatimit të ligjit, prokuroria dhe organet gjyqësore të HKSAR-it i kryejnë detyrat e tyre në përputhje të rreptë me ligjin, përmes procedurave të hapura, transparente, të drejta dhe të paanshme.

Foto nga Zyra e Komisionerit të Ministrisë së Jashtme të Kinës në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut (HKSAR)
Zyra e Komisionerit u bëri thirrje serioze palëve përkatëse që të përballen me realitetin, të respektojnë sinqerisht sovranitetin e Kinës dhe sundimin e ligjit në Hong-Kong, të ndalojnë menjëherë bërjen e komenteve të papërgjegjshme lidhur me procedurat gjyqësore dhe të heqin dorë nga çdo formë ndërhyrjeje në sistemin gjyqësor të Hong-Kong-ut dhe në punët e brendshme të Kinës.
Të shtunën, qeveria e HKSAR-it shprehu gjithashtu pakënaqësi të madhe dhe kundërshtim të vendosur ndaj palëve përkatëse që nisën sulme keqdashëse, akuza të pabaza dhe shpifje lidhur me çështjen e “Aleancës së Hong-Kongut”.
Nxitja e përmbysjes së pushtetit është një vepër penale jashtëzakonisht e rëndë, tha një zëdhënës i qeverisë së HKSAR-it, duke shtuar se vendimi i fajësisë dhe dënimi në këtë çështje kanë pasqyruar plotësisht përgjegjësinë penale të të pandehurve dhe kanë ushtruar një efekt të fuqishëm parandalues. Është detyrim i përbashkët i gjithë popullit të Kinës, përfshirë bashkatdhetarët e Hong-Kong-ut, të mbrojnë sovranitetin, unitetin dhe integritetin territorial të Republikës Popullore të Kinës, tha zëdhënësi./cgtn





















































