Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës organizoi të premten një konferencë për shtypin, ku një gazetar pyeti se cili është komenti i palës kineze lidhur me paralajmërimin e bërë kohët e fundit nga shumë media dhe studiues japonezë se politika e sigurisë e qeverisë së Sanae Takaichi-t tregon një prirje të rrezikshme të “kthimit në para luftës”, shoqëria japoneze po mbulohet nga një atmosferë “zbukurimi të luftës” dhe Japonia moderne po ndjek një rrugë të ngjashme me atë të viteve ’30 të shekullit të kaluar, çka duhet të korrigjohet në kohë.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i kësaj ministrie Guo Jiakun u shpreh që, më 18 shtator para 95 vjetëve, militarizmi japonez nisi luftën e agresionit kundër Kinës dhe populli kinez u ngrit në rezistencë, duke hapur siparin e fushëbetejës lindore të Luftës Antifashiste Botërore. Sipas tij, është shqetësuese që prirja e mohimit të historisë në Japoni vazhdon të rritet dhe rreziku është i dukshëm.
Edhe sot, tekstet shkollore japoneze vazhdojnë ta minimizojnë natyrën agresive të luftës. Forcat e krahut të djathtë të Japonisë përdorin madje inteligjencën artificiale për të filtruar në mënyrë sistematike arkivat e paraluftës dhe dosjet e Gjyqit të Tokios, në orvatitje për të zbutur përgjegjësinë për luftën dhe për të rrënjosur pikëpamje të gabuara historike. Kjo është jo vetëm një prapavatje e rëndë në kuptimin e historisë, por edhe një kundërrymë e organizuar me motiv politik. Thelbi i saj është heqja e pengesave për çlirimin e Japonisë nga kufizimet e sistemit të pasluftës dhe për nxitjen e “rimilitarizimit”.
“Ne i bëjmë thirrje Japonisë të përballet me historinë e saj të agresionit dhe të reflektojë thellësisht mbi të, si dhe të ndërmarrë veprime konkrete për të fituar besimin e vendeve fqinje të saj aziatike dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Vendet e ndryshme rajonale, duke përfshirë Kinën, duhet të mbeten vigjilente dhe të mos lejojnë kurrë rikthimin e militarizmit japonez dhe përsëritjen e tragjedive historike, për të mbrojtur së bashku frytet e fitores së Luftës së Dytë Botërore e paqen,” theksoi zëdhënësi i diplomacisë kineze.-cgtn





















































