Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri organizoi më 23 shtator një pritje me rastin e 77-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës. Në aktivitet morën pjesë mbi 400 të ftuar, përfshirë përfaqësues të institucioneve shqiptare, trupit diplomatik, komunitetit kinez, institucioneve kineze dhe miq të marrëdhënieve shqiptaro-kineze.
Në fjalën e saj, ambasadorja kineze në Tiranë, Pang Chunxue, vuri theksin te zhvillimi ekonomik i Kinës, hapja ndaj botës dhe roli që Pekini synon të luajë në ekonominë globale, ndërsa e cilësoi miqësinë tradicionale mes Kinës dhe Shqipërisë si një “thesar të çmuar” për të dyja vendet.
Duke iu referuar nisjes së Planit të 15-të Pesëvjeçar, ambasadorja tha se ekonomia kineze po përballet me një mjedis gjithnjë e më kompleks, por sipas saj ka vijuar të ruajë një ritëm të qëndrueshëm zhvillimi, të shoqëruar me inovacion dhe optimizim strukturor. Ajo theksoi gjithashtu rritjen e investimeve në teknologji dhe përparimin e Kinës në renditjet globale të inovacionit.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua katër nismave globale të Kinës: Nismës së Zhvillimit Global, Nismës së Sigurisë Globale, Nismës së Qytetërimit Global dhe Nismës së Qeverisjes Globale.
Sipas ambasadores Pang, këto nisma synojnë të adresojnë atë që Kina e përshkruan si “deficitin e paqes, zhvillimit, sigurisë dhe qeverisjes” në botë. Ajo tha se nismat plotësojnë njëra-tjetrën dhe synojnë të kontribuojnë në ndërtimin e një bote më të qëndrueshme përmes zhvillimit, sigurisë, shkëmbimit ndërmjet qytetërimeve dhe reformimit të qeverisjes globale.
“Kina, përmes qëndrueshmërisë dhe sigurisë së zhvillimit të saj, ka ofruar stabilitet të çmuar për një botë të mbushur me pasiguri”, deklaroi ambasadorja.
Pang Chunxue u ndal edhe te roli i Kinës në tregtinë globale, duke kundërshtuar narrativën se Kina është vetëm një eksportuese e kapaciteteve prodhuese. Ajo theksoi se ekonomia kineze është njëkohësisht një qendër e madhe prodhimi dhe një treg i rëndësishëm për mallrat nga vende të ndryshme të botës.
Në këtë kontekst, ambasadorja përmendi edhe produktet shqiptare që kanë hyrë në tregun kinez, duke veçuar verën, mjaltin dhe produkte të tjera agro-ushqimore.

Marrëdhëniet Kinë–Shqipëri
Duke folur për marrëdhëniet dypalëshe, ambasadorja Pang tha se Kina dhe Shqipëria ndajnë një miqësi të thellë tradicionale, ndërsa vuri në dukje zhvillimet e reja në komunikimin politik dhe bashkëpunimin ekonomik.
Sipas të dhënave të publikuara nga pala kineze, tregtia dypalëshe në vitin 2025 arriti rreth 1.6 miliardë dollarë, me një rritje prej rreth 21% krahasuar me vitin 2024. Kina mbeti partneri i dytë më i madh tregtar i Shqipërisë.
Ambasadorja theksoi gjithashtu rritjen e importeve kineze nga Shqipëria. Sipas statistikave kineze të cituara në fjalim, ato arritën në rreth 160 milionë dollarë në shtatë muajt e parë të vitit 2026, 90.3% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në fjalën e saj, Pang përmendi edhe rritjen e lëvizjeve turistike dhe pjesëmarrjen e kompanive shqiptare në Panairin e Kantonit, duke e paraqitur këtë si pjesë të zgjerimit të kontakteve ekonomike dhe njerëzore mes dy vendeve.


Ajo veçoi edhe interesin në rritje të konsumatorëve shqiptarë për markat kineze, duke përmendur BYD dhe Xiaomi, ndërsa nënvizoi potencialin për zgjerimin e eksporteve shqiptare drejt tregut kinez.
Në përfundim, ambasadorja kineze deklaroi se Kina do të vijojë të ndjekë zhvillimin me cilësi të lartë dhe një politikë më të gjerë hapjeje ndaj botës.
“Kina është e gatshme të ndajë mundësitë e zhvillimit me të gjitha palët, përfshirë Shqipërinë, dhe të punojë krah për krah me to për ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin”, tha Pang Chunxue.
Pritja u mbyll me një dolli për paqen dhe begatinë e Kinës dhe Shqipërisë, miqësinë shqiptaro-kineze dhe shëndetin e të gjithë të ftuarve.
© 2026 Argumentum





















































