Për herë të parë në historinë 81-vjeçare të Kombeve të Bashkuara, presidenti i një vendi në luftë aktive me Shtetet e Bashkuara iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme nga Nju Jorku. Një ditë pasi Donald Trump përdori të njëjtën foltore për të kërcënuar Iranin me “asgjësim”, presidenti iranian Masoud Pezeshkian iu përgjigj me një fjalim të ashpër, duke akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për sulme ndaj Iranit dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Pezeshkian tha se Irani nuk do të dorëzohet dhe hodhi poshtë akuzat amerikane se vendi i tij është terrorist.
“Ne kemi qenë viktima të terrorizmit”, tha ai, duke iu referuar sulmeve ndaj Iranit. Presidenti iranian akuzoi SHBA-në dhe Izraelin se kanë goditur objektiva civile, duke përmendur edhe një shkollë ku, sipas tij, “fëmijët vdiqën nën bomba”.
Ai tha se Irani ishte kundërpërgjigjur vetëm në kuadër të vetëmbrojtjes dhe se nuk kishte goditur popullsinë civile.
Në një moment të fjalimit, delegacioni amerikan u largua nga salla.
Pezeshkian kundërshtoi gjithashtu kritikat ndaj programit bërthamor iranian, duke deklaruar se Teherani kërkon teknologji bërthamore për energji dhe zhvillim, jo për prodhimin e armëve.
“Jo armë bërthamore dhe jo kufizime ndaj teknologjisë bërthamore paqësore”, tha ai, duke shtuar se Irani nuk do të heqë dorë nga ajo që e konsideron të drejtën e tij.
Presidenti iranian paralajmëroi ndërkohë se zgjerimi i luftës nuk do të sjellë siguri dhe foli për rëndësinë strategjike të Ngushticës së Hormuzit, duke kundërshtuar përdorimin e saj si mjet presioni ndaj Iranit.
Pjesa më e drejtpërdrejtë e fjalimit iu kushtua atyre që, sipas Pezeshkianit, kanë kryer “agresion” ndaj Iranit.
“Ata kanë testuar forcën dhe qëndrueshmërinë e Iranit dhe kanë mësuar se Irani nuk mund të detyrohet të dorëzohet”, tha ai.
“Ne nuk do të ulim kokën dhe nuk do të gjunjëzohemi kurrë”, deklaroi presidenti iranian, duke theksuar se Irani nuk e ka nisur luftën dhe se ka qenë i gatshëm për negociata.
Por, krahas retorikës së ashpër, Pezeshkian la të hapur edhe rrugën e diplomacisë.
“Irani është gati për dialog, diplomaci dhe negociata – pa pranuar gjuhën e forcës”, tha ai.
Mesazhi vjen në një moment kur SHBA-ja dhe Irani kanë rifilluar kontaktet përmes ndërmjetësve në Nju Jork. Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi zhvilloi bisedime me të dërguarin amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner, në një përpjekje për të gjetur një rrugë drejt rifillimit të negociatave.
© 2026 Argumentum





















































