Lideri i GERB-it, Boyko Borisov, deklaroi sot se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nuk janë armiq dhe se rruga përpara kalon përmes respektimit të Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë dhe Miqësisë mes dy vendeve.
“Ekziston Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë dhe Miqësi me Republikën e Maqedonisë së Veriut, e nënshkruar nga unë dhe kryeministri i tyre. As ne, as Komisioni Evropian nuk kërkojmë asgjë tjetër përveç respektimit të kësaj marrëveshjeje. Ne nuk jemi armiq, përkundrazi”, tha Borisov.
Ai iu referua edhe propozimit francez, duke e cilësuar atë si të qartë, ndërsa kërkoi që çështjet mes dy vendeve të trajtohen përmes dialogut dhe mjeteve diplomatike. Borisov solli si shembull marrëdhëniet e Bullgarisë me Greqinë gjatë procesit të anëtarësimit të Bullgarisë në BE.
“Unë do t’u drejtohesha kolegëve në Maqedoninë e Veriut që ta përdorin Bullgarinë. Sepse ne nuk jemi armiq, përkundrazi”, shtoi ai.
Deklarata vjen në një moment kur integrimi europian i Maqedonisë së Veriut mbetet i lidhur me ndryshimet kushtetuese dhe marrëdhëniet me Bullgarinë. Shkupi pret raportin e ri të Komisionit Evropian, ndërsa çështja e ndryshimeve kushtetuese vazhdon të mbetet një nga pengesat kryesore në rrugën drejt hapjes së negociatave.
Më 2 tetor, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi Shkupin dhe zhvilloi bisedime me kryeministrin Hristijan Mickoski, duke e vendosur integrimin europian të vendit sërish në qendër të agjendës politike.
© 2026 Argumentum




















































