Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi të premten Shkupin, ku u takua me kryeministrin Hristijan Mickoski, në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor. Në qendër të takimit ishin procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, reformat dhe hapat e nevojshëm për avancimin e negociatave të anëtarësimit.
Von der Leyen përcolli një mesazh të qartë politik: “Maqedonia e Veriut i përket tryezës evropiane”, duke theksuar se Bashkimi Evropian e mirëpret vendin me identitetin, gjuhën dhe kulturën e tij.
“Ju i përkisni Evropës”, tha ajo, duke vlerësuar vendimet që Shkupi ka marrë ndër vite, përfshirë Marrëveshjen e Prespës dhe anëtarësimin në NATO. Sipas saj, Maqedonia e Veriut ka treguar se është një vend që është i gatshëm të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e tij.
Por, për të avancuar në procesin e anëtarësimit, sipas presidentes së Komisionit Evropian, mbetet një hap kyç për t’u ndërmarrë nga Shkupi, në mënyrë që të hapet grupi i parë i negociatave, “Fundamentals”.
Von der Leyen tha se e kupton ndjeshmërinë politike të kësaj çështjeje, por nënvizoi se pozicioni i BE-së është i qartë: “Ne e mirëpresim Maqedoninë e Veriut me identitetin dhe gjuhën e saj.” Ajo shtoi se kultura dhe gjuha maqedonase e bëjnë Bashkimin Evropian më të pasur, duke iu referuar parimit evropian të “unitetit në diversitet”.
Plani i Rritjes dhe integrimi gradual
Një pjesë e rëndësishme e deklaratës së Von der Leyen iu kushtua rezultateve të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ajo tha se Maqedonia e Veriut ka përfituar tashmë 140 milionë euro, ndërsa pagesa të tjera priten në javët në vijim.
Von der Leyen përmendi gjithashtu anëtarësimin e vendit në SEPA, duke theksuar se tarifat e transaksioneve kanë rënë me më shumë se 90%, si dhe uljen e kostove të roamingut dhe përfshirjen e Maqedonisë së Veriut në infrastrukturën evropiane të inteligjencës artificiale.
Sipas saj, këto janë shembuj të integrimit gradual në tregun dhe strukturat evropiane, edhe përpara anëtarësimit të plotë.
“Zgjerimi është një proces në dy drejtime”, tha Von der Leyen, duke nënvizuar se ndërsa vendet kandidate duhet të jenë të gatshme për anëtarësim, edhe vetë BE-ja duhet të përgatitet për një Union më të madh.
Ajo njoftoi se Komisioni Evropian do të paraqesë javën e ardhshme rishikimet e politikave të para-zgjerimit, ku do të shqyrtohen institucionet, politikat dhe buxheti i BE-së, me synimin për ta përgatitur Unionin për zgjerimin e ardhshëm.

Mickoski: Proces i qartë, i parashikueshëm dhe pa kushte të reja
Nga ana e tij, kryeministri Hristijan Mickoski tha se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por kërkoi një proces të qartë, të parashikueshëm dhe të bazuar në rregulla të qarta.
Në takimin me Ursula von der Leyen, Mickoski ngriti veçanërisht çështjen e marrëdhënieve me Bullgarinë, duke kërkuar një përfshirje më aktive të BE-së në dialogun mes Shkupit dhe Sofjes.
Sipas tij, qëllimi është krijimi i kushteve për një zgjidhje të qëndrueshme evropiane, ku marrëveshjet të jenë të qarta dhe detyrimet të zbatohen nga të gjitha palët, pa vendosjen e kushteve të reja gjatë procesit të integrimit.
“Pozicioni ynë është i qartë, argumentet tona janë të qarta. Jemi të gatshëm të bisedojmë, të debatojmë dhe në fund të ditës të gjejmë një zgjidhje”, kishte deklaruar Mickoski përpara vizitës së Von der Leyen.
Pas takimit, ai bëri të ditur se, në përputhje me këshillën e presidentes së Komisionit Evropian, Maqedonia e Veriut do të kërkojë një takim bilateral mes ministrave të Jashtëm të dy vendeve.
Ministri i Jashtëm Timço Mucunski pritet të kërkojë takim me homologen e tij bullgare në Sofje javën e ardhshme, në kuadër të diskutimeve për Korridorin VIII. Mickoski tha se për këtë qëllim është kërkuar edhe dërgimi i një note diplomatike.
Von der Leyen konfirmoi se javën e ardhshme do të tentohet një hap i parë për të zhbllokuar dhe rikthyer në lëvizje procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
“Evropa do të jetë në krahun tuaj”
Në fund të deklaratës së saj, Von der Leyen vlerësoi edhe situatën ekonomike të Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar momentin aktual në rajon si një mundësi që Shkupi duhet ta shfrytëzojë.
“Evropa do të jetë në krahun tuaj”, tha ajo, duke përsëritur se qëllimi i Komisionit Evropian është që qytetarët e Maqedonisë së Veriut të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.
Takimi në Shkup vjen në një moment kur procesi i integrimit të vendit mbetet i lidhur me çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe marrëdhëniet me Bullgarinë, ndërsa Brukseli kërkon avancimin e reformave dhe ndërmarrjen e hapit që do të mundësonte hapjen e grupit të parë të negociatave.
© 2026 Argumentum




















































