Prof. dr. Fadil Maloku, sociolog
Tani, pasi u qartësua problemi i votimit të Ligjit për Specialen dhe çështja e zgjedhjes së Presidentes, para institucioneve të formuara, duket se ka shumë punë për t’u bërë. Dhe nëse konstatojmë se deri më tani sfida kryesore e partive politike, e sidomos e qeverive që i “prodhoi” vota qytetare gjatë periudhës së ngërçit, pra, një periudhe stagnacioni, ishte ajo e “betejave” politike për të marrë sa më shumë pushtet, tani, pas tejkalimit të kësaj situate, çështja apo pyetja fundamentale sociologjike që i pret akterët qeveritarë dhe ata opozitarë është kjo: çfarë hapash do të ndërmarrin ata lidhur me përgjegjësitë që kanë mbi supet e tyre në këtë mandat?
Natyrisht, këtu nuk e kam ndërmend t’ia përkujtoj publikut programet e harruara gjatë katër palë zgjedhjeve torturuese, por më duhet t’i “alarmoj” për top-prioritetet, sfidat dhe obligimet që janë krijuar me marrëveshjet ndërkombëtare, por edhe për “ofensivat” apo hapat që ata do të duhej t’i ndërmerrnin sa më shpejt, sidomos në rastin e aktgjykimit të Dhomave të Specializuara.
Thënë më thjesht, Qeverinë aktuale nuk e presin vetëm temat e Speciales dhe ato të rinnegocimit me Serbinë për “gëdhendjen” eventuale të Asociacionit, por edhe një varg sfidash të tjera që, në fakt, prekin në palcë shtetndërtimin, marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në dhe proceset integruese në BE, pastaj gjetjen e një formule për sundimin e ligjit, krizën ekonomike, problemet energjetike dhe, mbi të gjitha, plagën e emigrimit të pjesës më vitale të “trurit kombëtar”, pra, të kapitalit njerëzor (brain drain).
Nga këndvështrimi sociologjik, këto tema janë më tepër se një agjendë politike. Pra, janë një testim tejet serioz i kapacitetit të shtetit për ta konvertuar legjitimitetin e fituar elektoral në legjitimitet institucional. Sepse, nga përvojat e vendeve që i kanë kaluar ethet e tranzicionit, një qeveri mund t’i fitojë zgjedhjet me një narrativë të fuqishme politike, por angazhimi shtetëror kërkon një qasje më praktike e më pragmatike se sa euforike. Shteti, përveç sigurisë e stabilitetit, që testohet çdo ditë përmes aktiviteteve funksionale, kërkon dhe insiston edhe në një përgjegjësi, transparencë e llogaridhënie maksimale, si edhe në një konsensus minimal shoqëror dhe një aftësi kreative për t’i menaxhuar situatat dhe sfidat që i shfaqen në përditshmëri.
Kështu që hipoteza që do ta shtroja në këtë analizë ad hoc ka të bëjë pikërisht me dilemën: a do të vazhdojë qeveria ta qeverisë Kosovën sërish përmes logjikës dhe narrativës së “kaosit” të kontrolluar politik, apo do të kalojë në logjikën e re të konsolidimit të shtetit? Them kështu jo nga shkaku se këtu po e zbuloj “ujin e valë”, por pikërisht nga shkaku se këtu qëndron ajo “thembra e Akilit” për një performancë të qëndrueshme të mandatit të saj qeveritar. Tani, nëse “logjikën e konsolidimit të shtetit” e perceptojmë nga pozicioni i “shtrirjes së sovranitetit” qeveritar dhe nga pozicioni i mëhershëm i opozitës, e cila bëri plot kompromise, jo veç nga “gryka” e Asociacionit, por edhe si një paketë sfidash shtetërore, atëherë do të mund ta kuptojmë saktësisht skemën e këtyre problematikave apo sfidave, ashtu siç i kam identifikuar me lentën time sociologjike. Ndërkaq, qeveria po edhe opozita, në rast se dëshirojnë t’i marrin parasysh si pika reference këto rekomandime, janë të lirë ta bëjnë këtë.
Sfida e parë – Dhomat e Specializuara dhe strategjia që na duhet
Kam thënë dhe prapë po e ritheksoj se qeveria, bashkë me opozitën, në aulën e Kuvendit, por jo vetëm aty, duhet ta përgatisin në qetësi strategjinë shtetërore (e cila nuk guxon të bëhet në stilin “o ruk o burra!”) për Apelin, duke u përqendruar sidomos në krijimin e një task-force diplomatike, sosh të lobimit dhe një politike. Këto do të ishin disa nga pikat fillestare të angazhimit institucional, sepse protestat dhe përplasjet e 5 tetorit treguan se kjo çështje mund të prodhojë me lehtësi sërish mobilizim qytetar dhe tension ndërmjet Kuvendit, Qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare.
Sfida e dytë – Asociacioni / Asociacioni i komunave me shumicë serbe
Sfida e Asociacionit (“Zajednicës”), në gjykimin tim, krahasuar me sfidat që do t’i numëroj më poshtë, mbetet një nga nyjet më të ndërlikuara, sepse prek njëkohësisht edhe dialogun me Serbinë, edhe marrëdhëniet me BE-në, e madje edhe Kushtetutën dhe raportin shumicë–pakicë. Draft-statuti i ofruar ka gjithsej 45 nene dhe ndahet në 7 kapituj. Unë këtu, kalimthi, po paraqes vetëm disa elemente “vdekjeprurëse” të këtij draft-statuti.
I pari është neni 7, ku thuhet se komunitetet e tjera (jo serbe) duhet të përfaqësohen në të gjitha organet e Asociacionit, duke reflektuar diversitetin etnik të komunave anëtare. Ajo çfarë i mungon këtij neni, edhe një laik i thjeshtë do e kuptoj se i mungon një “siguresë” elementare juridike, e cila do e mundësonte krijimin e një mekanizmi obligativ!? Ky nen, është shumë konfuz po edhe absurd dhe si i tillë mendoj se Gjykata jonë Kushtetuese do duhej të jap mendimin përfundimtar.
Pastaj, neni 12: Asociacioni mund të krijojë marrëdhënie dhe të hyjë në marrëveshje bashkëpunimi me asociacione të tjera vendore dhe ndërkombëtare të komunave, autoriteteve lokale, rajoneve dhe njësive të tjera të vetëqeverisjes lokale në shtetet e tjera. Në gjykimin tim, fakti dhe akti që ky Asociacion do të mund të hyjë në marrëveshje bashkëpunimi me entitete ndërkombëtare nënkupton cenim të pariparueshëm (në të ardhmen!) të sovranitetit, i cili edhe ashtu, me Planin e Ahtisaarit, është i lëndueshëm dhe tejet diskriminues për shqiptarët e veriut të Kosovës.
Neni 13: Asociacioni do të angazhohet në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të komunitetit serb të Kosovës. Ky nen është aq absurd dhe i panevojshëm, kur kihet parasysh superdiskriminimi pozitiv që ushtrohet aktualisht, ku Kushtetuta, si akti më i lartë i vendit, nuk mund ta ndryshojë as edhe një germë të vetën pa pëlqimin e serbëve?! Fatkeqësisht, ky nen, në vend që të propozojë alternativa të qytetarisë (ashtu siç ka shumë shembuj në gjithë botën demokratike), po bën dyfishim dhe betonim afatgjatë të një komuniteti (një grushti qytetarësh serbë!) mbi baza etnike!? Është edhe neni 15, ai 16 dhe 21, për të cilët kam shkruar më herët.
Ja rekomandimet e mia sociologjike: Draftit të Marrëveshjes së Ohrit, për t’iu shmangur keqkuptimeve dhe keqinterpretimeve eventuale, do t’i duhej t’i shtohej një “siguresë” (ekskluzivisht juridike), edhe për pakicën shqiptare që jeton dhe vepron ende në pjesën veriore të vendit. Një “siguresë” e tillë, përveç shmangies së keqkuptimeve, do të mund t’u garantonte qytetarëve (shumicës) shqiptarë se ky tip Asociacioni kurrë nuk do të mund të shndërrohej në një “Republika Srpska” kosovare. Andaj, lus gjithë elitën politike aktuale që “barrën” dhe përgjegjësinë e Asociacionit (ndaj të cilit dikur LVV-ja ishte e pakompromis) ta debatoni sërish në aulën e Kuvendit me opozitën, shoqërinë civile dhe sidomos botën akademike, nëse ka mbetur ende ndonjë! Sepse kjo Qeveri do të përballet me presion për të kaluar nga një dialog kryesisht deklarativ në zbatimin konkret të Marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015, por edhe të asaj të vitit 2023, që nuk u nënshkrua, por që ka “peshë specifike” në raport me Serbinë. Kjo sfidë është veçanërisht e rëndësishme, sepse tensionet eventuale në veri mund të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në marrëdhëniet me BE-në dhe në thithjen e fondeve që i presin shtetet në transicion.
Sfida e tretë – Raporti me Uashingtonin, Brukselin dhe aleatët perëndimorë
Kur jemi te kjo sfidë, nuk mendoj se temë do të jetë vetëm ajo e dialogut (në fakt, për mua ka qenë negocim!), por edhe temat e reformave të thella në sundimin e ligjit, në administratë, në ekonomi, në energji, në mjedis dhe standardet evropiane. Kur jemi te sfida e raportit me Uashingtonin, këtu duhet të ecim si në “teh të shpatës”, për shumë arsye. Sepse kemi të bëjmë njëkohësisht edhe me probleme të natyrës politike, edhe me ato diplomatike e sidomos me ato strategjike, të cilave duhet t’u jepen përgjigje “kirurgjikale”: si të ruhet autonomia e vendimmarrjes së Kosovës pa krijuar përplasje me këta partnerë, që ende janë “hisedarë” në sovranitetin që kemi, por që kanë qenë edhe vendimtarë për sigurinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Këtu na duhet një task-forcë e fortë diplomatike dhe një e tillë lobuese. Ndërkaq, jam shumë i bindur se në këtë fushë, “Kisingjeri” shqiptar dhe një nga zërat më të spikatur të diplomacisë dhe mendimit gjeopolitik shqiptar, profesori Lisen Bashkurti, do të ndihmonte shumë.
Sfida e katërt – Resurset energjetike, energjia dhe punësimi
Realisht, sikur të jetonim në një shtet normal që pak a shumë i ka shtyllat e sigurisë dhe stabilitetit në një shkallë të lakmueshme, energjia dhe punësimi i kontingjenteve të reja që futen në tregun e punës do të duhej të ishin top-tema të debatit dhe angazhimit të shtetit. Por, meqë po jetojmë në një ambient ku procesi i finalizimit të shtetësisë ende është në proces, ku demokracia ende nuk “banon” full time, ku pavarësia ende mbetet dëshirë, Qeveria dhe opozita, po edhe mediet bashkë me shoqërinë civile, duhet të merren me tema ekskluzivisht politike. Sepse, sikur të kishim hapësirë, do ta kuptonim se tema e energjisë nuk është vetëm çështje e furnizimit me rrymë, por edhe një faktor përcaktues për konkurrueshmërinë ekonomike, gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe sigurinë sociale të vendit. Nuk thuhet kot se çdo pasiguri energjetike, sikurse është ajo evidente në shoqërinë tonë, mund t’i rrisë kostot e prodhimit, t’i dobësojë ndërmarrjet dhe ta frenojë investimin, veçanërisht në sektorët që kanë nevojë për furnizim të pandërprerë. Në këtë kontekst, gjykoj që Qeveria aktuale do të duhej të bënte plane që punësimi të mos matet vetëm me numrin e vendeve të krijuara, por edhe me sigurinë e tyre, pagat, kushtet e punës dhe mundësitë për zhvillim profesional. Përndryshe, mund të kemi punësim formal pa siguri ekonomike dhe rritje të punësimit pa ndërtuar një perspektivë të qëndrueshme për kontingjentet e reja, gjë që është joproduktive.
Sfida e pestë – Emigrimi i resurseve njerëzore
Tani, kur dalim nga lenta sociologjike dhe bëjmë përpjekje të futemi në atë ekonomike, kuptojmë një paradoks interesant që “syri” i qytetarit të rëndomtë e ka vështirë ta “kapë” në përditshmërinë e tij monotone. Paradoksi qëndron te konstatimi se Kosova, dosido, mund të ketë rritje ekonomike, por, në të njëjtën kohë, asaj po i treten kapacitetet e fuqisë punëtore dhe të kapitalit njerëzor përmes emigrimit. Dhe kur jemi te emigrimi, si plagë e vjetër që tani është shndërruar në normalitet, kuptojmë se ai, në fakt, është një ndër sfidat më të ndërlikuara strukturore për Kosovën, sepse nuk nënkupton vetëm largimin fizik të qytetarëve, por edhe dobësimin e potencialit të saj demografik, profesional dhe zhvillimor. Kur të rinjtë profesionistë, që marrin diploma dhe kanë kualifikime që BE-ja tashmë ua njeh, dhe që janë profesionistë e të shkathët, sidomos në sferën kompjuterike, e projektojnë të ardhmen e tyre jashtë vendit, shteti humb kapitalin më vital, por edhe investimet që i ka bërë në arsimimin dhe formimin e tyre. Ndërkaq, sikur shteti t’i kushtonte vëmendje të posaçme arsimimit dhe edukimit mediatik të brezave që po vijnë, jam shumë i bindur se këtë angazhim në kapitalin njerëzor do ta shndërronte në një zhvillim të qëndrueshëm dhe në një shpresë konkrete sidomos për të rinjët.
Sfida e gjashtë – Sundimi i ligjit dhe reforma institucionale
Këto fusha mund të trajtohen si sfida të ndërlidhura strukturore që e presin Qeverinë e Kosovës. Fillimisht duhet theksuar se këtu, nga këndvështrimi sociologjik, nuk kemi të bëjmë vetëm me probleme ekonomike, teknike apo demografike, por me çështje që prekin në palcë fundamentin e cilësisë së jetës dhe besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit për të frenuar dhe “mirëmbajtur”, përveç të tjerash, edhe komponentën e sundimit të ligjit dhe atë të reformës institucionale.Kjo, në rastin tonë, nuk reduktohet vetëm në harmonizimin e legjislacionit me standardet evropiane, por, para së gjithash, edhe në transformimin e vetë kulturës së funksionimit të shtetit. Sepse Republika jonë ende vuan shumë nga nepotizmi dhe kultura e lidhjeve klienteliste, të cilat, dorën në zemër, janë pengesa tejet serioze për afirmimin e standardeve të profesionalizmit, efikasitetit dhe meritokracisë, ashtu siç i kultivon bota perëndimore. Dhe tani, po qe se ky transformim nuk shoqërohet me rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit, pavarësinë e gjyqësorit dhe depolitizimin e administratës publike, atëherë reforma rrezikon të mbetet vetëm ikonografi dhe folklorizëm. Kur jemi te kjo sfidë madhore për Republikën, duhet theksuar se testi apo prova e vërtetë e progresit institucional nuk do të matet vetëm me numrin e ligjeve që do të miratohen në Kuvend, por kryesisht nga mënyra se si qytetari do ta përjetojë “dorën” e shtetit në jetën e përditshme.
Sfida e shtatë – Luftimi i krimit dhe korrupsionit
Kur jemi te fenomeni i korrupsionit, i cili pothuajse i ka përcjellë të gjitha vendet në tranzicion, kemi të bëjmë edhe me një premtim publik që ndërlidhet me ardhjen e LVV-së në pushtet. Pothuajse shumica e parametrave që e matin këtë dukuri tejet kërcënuese për një shtetësi të re si Kosova janë ende të ngadaltë dhe tejet të padukshëm. Po e them kështu, për shkak se Kosova ka shënuar rënie në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të vitit 2025, duke u renditur e 76-ta nga 182 vende, tre vende më poshtë se në vitin 2024.
Po ashtu, edhe shumë raporte të BE-së shprehin shqetësim të thellë për mungesën e përparimit në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta, si dhe për mungesën e rezultateve konkrete në çështjet e profilit të lartë. Në anën tjetër, nuk duhet harruar as fakti se qytetarët kosovarë ende vazhdojnë të perceptojnë se gjykatat dhe prokuroritë nuk janë të pavarura dhe se ato gjenden nën “prangat” e politikëbërësve dhe grupeve klanore që japin edhe ryshfet. Mirëpo, meqë në mars të vitit 2026 Qeveria miratoi Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurive të Pajustifikuara, si një nga reformat kryesore në forcimin e sundimit të ligjit, ekziston shpresa se Qeveria Kurti 4 do ta çojë deri në fund luftën kundër krimit dhe korrupsionit…
© 2026 Argumentum





















































