Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u ka bërë apel sot shtetasve amerikanë në Tiranë të shmangin protestat dhe tubimet, pas përshkallëzimit të situatës në protestën që po zhvillohet në Rrugën e Durrësit, pranë sheshit “Skënderbej”.
Në një njoftim për shtyp, ambasada e SHBA-së bën të ditur se protesta në Rrugën e Durrësit është përshkallëzuar në dhunë për shkak të hedhjes së gurëve.
Sipas ambasadës amerikane, protesta mund të shtrihet edhe në blloqet përreth dhe pranë ndërtesave qeveritare, duke sjellë shtim të pranisë policore, probleme në trafik, devijime të qarkullimit dhe bllokime rrugësh.
Ambasada thekson se personelit të saj në Tiranë i është rekomanduar të shmangë protestat.
Gjithashtu, ajo u bën thirrje shtetasve amerikanë të qëndrojnë vigjilentë dhe të vendosin sigurinë personale në plan të parë.
“Ndiqnni mediat lokale dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve vendore të rendit për t’u informuar mbi zhvillimet më të fundit”, thuhet në njoftim.
Ambasada këshillon shtetasit amerikanë të shmangin protestat dhe tubimet, të tregojnë kujdes ndaj mjedisit përreth, të kufizojnë shpërqendrimet në vende publike, të ndjekin mediat lokale dhe të kenë një plan emergjence ose një rrugë alternative për t’u larguar.
Po ashtu, u rekomandon të shmangin tërheqjen e vëmendjes dhe të mbajnë një profil të ulët.
© 2026 Argumentum




















































