Pjesa kontinentale e Kinës do të vendosë sanksione ndaj një kompanie të përdorur nga babai i Shen Pao-yang, një separatist që mbështet me ngulm “pavarësinë e Tajvanit” , për të vazhduar marrëdhëniet tregtare me ndërmarrjet kontinentale dhe për t’iu shmangur penaliteteve të mëparshme, deklaroi të mërkurën një zëdhënës i Pekinit.
Chen Binhua, zëdhënës i Zyrës për Çështjet e Tajvanit të qeverisë kineze, tha në një konferencë shtypi se pjesa kontinentale kishte njoftuar sanksione qershorin e vjetshëm kundër kompanisë “Sicuens International Co., Ltd.”, e drejtuar nga Shen Tu-cheng, babai i Shen Pao-yang.
Një hetim zbuloi se Shen Tu-cheng kishte vazhduar bashkëpunimin tregtar dhe të biznesit me kompani në pjesën kontinentale nën emrin e një kompanie tjetër, “VWAY”, për t’iu shmangur sanksioneve dhe për të përfituar ekonomikisht, tha Chen.
Pjesa kontinentale nuk do të lejojë që kompanitë e lidhura me separatistët pro “pavarësisë së Tajvanit” të përfitojnë nga marrëdhëniet me të, tha Chen, duke shtuar se “VWAY” do të ndalohet të kryejë çdo lloj transaksioni me organizata, ndërmarrje dhe individë në pjesën kontinentale të Kinës.
Duke vënë në dukje se veprimet e Shen Pao-yang ishin famëkeqe, Chen tha se pjesa kontinentale kundërshton me vendosmëri të gjitha format e aktiviteteve separatiste për “pavarësinë e Tajvanit”.
“Askush dhe asnjë forcë nuk mund të bashkëpunojë me forcat separatiste që mbështesin ‘pavarësinë e Tajvanit’ , ndërkohë korrin përfitime nga zhvillimi i pjesës kontinentale,” vuri në dukje Chen.
I pyetur për të komentuar pjesëmarrjen e Kevin Tsai-t, një artist i njohur tajvanez që vepron shpesh në pjesën kontinentale, në ceremoninë e inaugurimit të selisë së fushatës së Shen Pao-yang, kandidat i Partisë Demokratike Progresive për kryetar të bashkisë së qytetit Taipei, Chen tha se pjesa kontinentale respekton dhe mbron të drejtat e ligjshme të bashkatdhetarëve tajvanezë për lirinë e fjalës dhe të shprehjes, por nuk lejon paqartësinë e qëndrimit mbi çështjet thelbësore.
Chen tha se Tajvani është një pjesë e pandashme e Kinës dhe se parimi i “një Kine” është një konsensus i gjerë ndërkombëtar dhe një bazë e përbashkët politike për banorët në të dyja anët e Ngushticës së Tajvanit.
Në përgjigje të një pyetjeje tjetër mbi artistët tajvanezë që postuan urime për atdheun gjatë festës së Ditës Kombëtare më 1 tetor, Chen tha se shprehje të tilla patriotike ishin të natyrshme për bashkatdhetarët tajvanezë, duke shtuar se pjesa kontinentale i njihte dhe i mbështeste plotësisht ato. Chen kritikoi autoritetet e Partisë Demokratike Progresive për kërcënimet e përsëritura ndaj këtyre artistëve tajvanezë, duke thënë se veprime të tilla vetëm sa i lëndojnë thellë ndjenjat patriotike të popullit të Tajvanit./cgtn





















































