Presidenti kinez Xi Jinping ka bërë thirrje për të bërë përpjekje për ndjekjen me vendosmëri të një rruge me karakteristika kineze në zhvillimin e programeve shëndetësore të vendit, për të siguruar përparim vendimtar në nismën “Kina e Shëndetshme” gjatë periudhës së Planit të 15-të Pesëvjeçar (2026-2030).
Xi, i cili është gjithashtu Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, i tha këto gjatë një takimi kombëtar për shëndetësinë, të mbajtur në Pekin të hënën dhe të martën.
Xi Jinping-u theksoi se shëndeti i njerëzve është një simbol i rëndësishëm i prosperitetit dhe forcës kombëtare. Që nga Kongresi i 18-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës, Komiteti Qendror i PKK-së e ka vendosur mbrojtjen e shëndetit të njerëzve në një pozicion strategjik me përparësi zhvillimi, ka përcaktuar udhëzimet e punës për shëndetin e mirëqenien për epokën e re, ka marrë vendime dhe ka hartuar plane madhore për të ndërtuar një Kinë të shëndetshme dhe ka promovuar krijimin e sistemit më të madh të shërbimeve mjekësore në botë, sistemit të mjekësisë tradicionale, sistemit të parandalimit e kontrollit të sëmundjeve dhe sistemit të sigurisë mjekësore. Kauza e shëndetit dhe mirëqenies ka arritur suksese historike dhe ka bërë përparim të gjithanshëm.
“Kina e shëndetshme që po ndërtojmë, është një Kinë e shëndetshme e ekuilibruar, përfshirëse, me cilësi të lartë dhe efikase, e cila duhet të ketë aftësi të forta për menaxhimin shëndetësor, për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, për shërbime mjekësore, për mbështetjen e sigurimeve mjekësore, për inovacion farmaceutik e për trajnimin e talenteve, në mënyrë që të përmbushë në mënyrë efektive nevojat shëndetësore në rritje të njerëzve dhe të sigurojë që treguesit kryesorë të shëndetit të vazhdojnë të përmirësohen vazhdimisht,” u shpreh kreu i shtetit kinez.
Xi vuri në dukje më tej që sektori i shëndetësisë dhe mirëqenies luan një rol vendimtar e themelor. “Ne duhet ta zbatojmë me vendosmëri strategjinë e dhënies përparësi zhvillimit të shëndetit dhe ta integrojmë mbrojtjen e shëndetit të njerëzve në të gjitha politikat, duke e reflektuar atë në të gjitha aspektet e punës sonë. Po ashtu, ndikimit në shëndetin e njerëzve duhet t’i jepet përparësi gjatë planifikimit, hartimit të politikave, vlerësimit të projekteve dhe ndërtimit inxhinierik,” tha ai.
Xi Jinping theksoi se parandalimi është strategjia më ekonomike e efektive shëndetësore dhe shprehu nevojën për të zbatuar me përpikëri masat themelore dhe ato rrënjësore në shëndetësi e higjienë, për të forcuar themelet e shëndetit publik. Ai bëri thirrje për orientimin e të gjithë shoqërisë për të krijuar një koncept të saktë për shëndetin dhe për t’u angazhuar në vetëpërmirësim e në menaxhim efektiv të shëndetit, si edhe për orientimin e të rinjve për të zhvilluar shprehi të mira studimi dhe jetese, duke arritur zhvillim të gjithanshëm në fushën e moralit, inteligjencës, formës fizike, estetikës dhe punës. Presidenti kinez bëri thirrje për krijimin e një mjedisi të mirë ekologjik e jetësor, duke inkurajuar dhe mbështetur aktivitetet kombëtare të kalitjes fizike e të kalimit të kohës së lirë në mënyrë të shëndetshme. Ai e vuri theksin në forcimin e mbikëqyrjes së sigurisë ushqimore dhe në përmirësimin e sistemit të parandalimit dhe kontrollit të sëmundjeve, për të parandaluar me vendosmëri epidemitë në shkallë të gjerë./cgtn





















































