Të hënën, në Qendrën Kombëtare të Konferencave të Kinës në Pekin, u hap Forumi i Pekinit 2026 për Reagimin e Shpejtë ndaj Ankesave Publike. Tema e përhershme e forumit është “Qytet i njerëzve, e ardhme më e mirë”, ndërsa tema për vitin 2026 është “Epoka inteligjente digjitale dhe qyteti i njerëzve”.
Në programin e veprimtarisë janë ceremonia e hapjes, si edhe forumi kryesor, gjashtë forume paralele, katër sesione diskutimi dhe një ceremoni mbyllëse. Gjithashtu, u shfaq “Linja e posaçme telefonike e Pekinit 2”, një film dokumentar që përqendrohet te mekanizmi i “Reagimit të shpejtë ndaj ankesave publike” (SRPC), dhe u organizuan aktivitete shoqëruese, si “Vizitë në linjën telefonike ‘12345’” dhe ture në qytet.
Forumi ka tërhequr vëmendje të gjerë nga të gjitha shtresat e shoqërisë, me një pjesëmarrje entuziaste të të ftuarve. Në të marrin pjesë më shumë se 3 200 veta, përfshirë mbi 240 të ftuar të huaj nga më shumë se 70 vende. Krahasuar me edicionet e mëparshme, numri dhe rangu i të ftuarve janë rritur, ndërsa forumi është më i ndërkombëtarizuar dhe më profesional.
Në ceremoninë e hapjes, personalitete të rëndësishme nga mbarë bota mbajtën fjalime, ndër të cilët drejtori i përgjithshëm i Grupit Mediatik të Kinës Shen Haixiong, kryetari i Akademisë Kineze të Shkencave Shoqërore (CASS) Gao Xiang, nënsekretarja e përgjithshme e OKB-së dhe drejtore ekzekutive e Programit të OKB-së për Vendbanimet Njerëzore Anacláudia Marinheiro Centeno Rossbach, drejtori i “Sciences Po” (Instituti i Studimeve Politike i Parisit) të Francës Luis Vassy dhe nënkryetari i Bashkisë së Athinës në Greqi Jorgos Janaros.
Një sërë rezultatesh u paraqitën në ceremoninë e hapjes.
“Përmbledhja e punimeve shkencore mbi reformën për reagimin e shpejtë ndaj ankesave publike në Pekin (2026)” bashkon punime të rëndësishme akademike nga studiues të shquar prej mbarë botës, përfshirë Zhang Yi, drejtor i Institutit të Qeverisjes së Kryeqytetit pranë CASS-së dhe anëtar i Departamentit Akademik të CASS-së; Omar Razzaz, studiues i lartë në Shkollën “Kennedy” të Harvardit, dhe Tony Prosser, profesor në Universitetin e Bristolit në Mbretërinë e Bashkuar. Vëllimi përfshin 12 punime në gjuhën kineze dhe nëntë në anglishte.
Monografia e parë në gjuhën angleze mbi SRPC-në, me titull “Si funksionon qeverisja urbane? Rasti i reagimit të shpejtë ndaj ankesave publike në Pekin”, është botuar bashkërisht nga Shtëpia Botuese e Shkencave Shoqërore e Kinës dhe “Springer”, një grup botues akademik me autoritet ndërkombëtar. Ajo përmbledh 12 punime dhe sjell gjetjet kërkimore të më shumë se 10 studiuesve të shquar nga universitete e institucione të ndryshme akademike anembanë botës, përfshirë CASS-në, Universitetin e Pekinit, Universitetin “Tsinghua”, Universitetin “Renmin” të Kinës dhe Universitetin e Harvardit.
Që nga viti 2019, Pekini, duke iu përmbajtur filozofisë së qytetit të njerëzve, ka përdorur Linjën e Posaçme të Shërbimit për Qytetarët “12345” si kanalin kryesor për të zbatuar në mënyrë inovative reformën e SRPC-së të udhëhequr nga ndërtimi i Partisë. Bashkia e Pekinit ka krijuar një mekanizëm në shërbim të qytetarëve që ofron reagim të shpejtë, përpunim efikas, reagim në kohë dhe qeverisje proaktive për kërkesat e qytetarëve, duke hapur një rrugë të re për qeverisjen e megaqyteteve që jep përgjigje aktive ndaj kërkesave të banorëve. Gjatë më shumë se shtatë vjetëve, janë trajtuar afërsisht 200 milionë raste, me shkallën e zgjidhjes dhe shkallën e kënaqësisë që e tejkalon 97 %. Për të promovuar dhe shpjeguar vlerat e SRPC-së dhe për të forcuar shkëmbimet ndërkombëtare dhe të mësuarit e ndërsjellë në qeverisjen urbane, forumi, si një aktivitet i orientuar drejt qeverisjes, akademik dhe ndërkombëtar, mbahet çdo dy vjet. Ai i tregon botës historinë e gjallë të “qeverisjes së Kinës” dhe është bërë një nga platformat e rëndësishme të shkëmbimit të hapur të Pekinit.
Forumi organizohet bashkërisht nga Akademia Kineze e Shkencave Shoqërore, Grupi Mediatik i Kinës, Komiteti i Partisë i Bashkisë së Pekinit dhe Qeveria Popullore e Bashkisë së Pekinit. Për të forcuar kërkimin akademik dhe komunikimin ndërkombëtar, si partnerë të forumit janë ftuar Programi i Kombeve të Bashkuara për Vendbanimet Njerëzore dhe organizata JCPA e Mbretërisë së Bashkuar./cgtn





















































