Prof. Asoc. Dr. Arben Cici
Ish-ambasador
Orët e fundit ekranet telvizive na pompuan me lajmin se individë vendas, të dhjamosur mirë për vite me radhë në kolltuqet dhe privilegjet e tyre, janë zgjuar për t’u vetë-ofruar si ndërmjetës, dialogues, madje “me derën hapur si gjithmonë”, ose “të mos harrojmë se jemi të gjithë shqiptarë”, për zgjidhjen e krizës që po përjeton Shqipëria.
Si në harmoni më këtë orkestrim të çjerrë, edhe disa institucione ndërkombëtare na kanë kthyer në kujtesë vitit 1997 ku, falë ndërmjetësimit të tyre, Shqipëria i është kthyer normalitetit të dhimbshëm.
Për të gjithë këta vetë-sakrifikues të orës së fundit dëshiroj të kujtoj se:
- Ndërmjetësit ose dialoguesit duhet të jenë individë dhe institucione me dinjitet; jo nga ligji ose kushtetuta, jo nga posti i lartë politik që u është falur (jo merituar), por nga angazhimi politik dhe përkushtimi, ndërgjegja dhe përgjegjësia e llogaridhënia përgjatë gjithë kohës që ata qendrojnë në rehatinë e kolltukut të tyre.
- Ndërmjetësit ose dialoguesit duhet të jenë individë dhe institucione të paanshëm; jo nga posti i lartë që u është dhuruar (jo merituar) por nga veprimtaria e tyre përgjatë shtrydhjes së privilegjeve të tyre.
- Ata duhet të pranohen nga palët që janë në përballje përgjatë krizës. Por ata nuk janë të tillë, sepse përgjatë jetës së tyre politike dhe institucionale, të gjatë apo të shkurtër, kanë qenë të barrikaduar në llogoren e pushtetit dhe as kanë marë mundimin të ngrenë kokën të shikojnë shoqërinë dhe qytetarët, aq më pak studentët dhe nxënësit e prindërit e tyre.
- Këta individë nuk meritojnë as të dëgjohen jo më të besohen, sepse përgjatë kohës së tyre në karrigen e pushtetit, sa herë kanë hapur gojën kanë thënë të pavërteta. Edhe së fundmi pretendojnë se kanë qenë edhe studentë të dhjetorit 90!
- Këta individë as nuk denjuan të bzanin përgjatë 135 ditëve të protestës shembullore të qytetarëve shqiptarë, përkundrazi tallnin, përbuznin dhe bullizonin, së bashku me piruetat e tyre të OJQ-ve, të gjithë ata që sfiduan botën mbarë me sjelljen e tyre dhe mesazhet që fatkeqësisht nuk hynë në asnjë zyrë të shtetit të madh faraonik.
- Këta individë dhe institucione u trimëruan çuditërisht sot në një kohë që, vetëm disa muaj më parë, u trembën nga vezën e pulave dhe i konsideruan ato si rrezik kombëtar dhe dhunë e papranueshme me pasoja antikombëtare, antirajonale, antievropiane, antiamerikane dhe antiglobale.
- Shqipëria është ndezuar jo për të njëjtat arsye që filloi viti i mbrapshtë 1997, por për të njëjtat arsye për të cilat u ngritën studentët e vitit 1991, prindërit e tyre dhe minatorët e rrethinave të Tiranës.
- Ndërmjetësit dhe institucionet ndërkombëtare të vitit të mbrapshtë 1997, filluan angazhimin e tyre stabilizues të Shqipërisë duke bërë presion të fortë mbi qeverinë e asaj kohe me qëllim, fillimisht, qetësimin e situatës. Falë këtij presioni në rritje qeveria u dorëhoq dhe u krijua një qeveri e stabilitetit kombëtar me kryeministër që vinte jo nga qeveria e mëparshme.
- Ndërmjetësit dhe institucionet ndërkombëtare të vitit të mbrapshtë 1997 krijuan një presion të gjithanshëm mbi qeverinë e asaj kohe që u përball me zemërimin e qytetarëve. Presioni i tyre i fokusuar drejt qeverisë dha rezultatin e kërkuar: qetësimin e situatës dhe paqtimin e pjesshëm bipartiak, por jo stabilizimin afatgjatë politik të vendit.
- Ndërmjetësit dhe institucionet ndërkombëtare të vitit 2026 nuk gëzojnë të njëjtin kredibilitet tek qytetarët shqiptarë si ata të vitit të mbrapshtë 1997. Sot ata shënjestrohen si bashkëfajtorë të situatës politike në Shqipëri, falë përkëdheljes së pushtetit dhe qeveritarëve tw viteve tw fundit.
- Ndërmjetësit dhe institucionet ndërkombëtare të vitit 2026 nuk janë mjaftueshmërisht të besueshëm tek qytetarët shqiptarë, sepse akuzohen se janë investuar vetëm drejt stabilitokratisë, duke harruar demokracinë, respektimin e kritereve të Kopenhagës dhe shtetin e të drejtës nw Shqipwri.
- Shqipëria e vitit 2026 nuk ka nevojë për ndërmjetësues dhe dialogues me qëllim ruajtjen e statuquo-së sw aktorëve politikë dhe jetëgjatësinë e tyre, me justifikimin absurd se nuk ka të tjerë, duke lënë problemet të fshehura poshtw raporteve optimiste të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare.
- Për zgjidhjen e kësaj krize të Shqipërisë 2026, që në fakt është një krizë e pushtetit, nuk duhet “diplomacia e Krokodilit”. Restoranti Krokodil ne Strasbourg e zgjidhi krizën bipartizane politike në vitin 2010, duke lwnw jashtë litarin e krizës me të gjitha problemet që pasojnë deri më sot: Zhvillimi i zgjedhjeve vazhdoi edhe me më shumë probleme dhe sërish partitë politike humbëse nuk e njohën rezultatin duke reaguar sipas strategjive të tyre partiake.
- Shqipëria 2026 nuk ka nevojë për një “Krokodil” të dytë. Restoranti Krokodil ne Strasburg është shumë i vogël, si për të zgjidhur problemet e Shqipërisë 2026, ashtu edhe për të ofruar verën e shtrenjtë të vitit 2010 për të gjithë protestuesit që vazhdojnë të thithin gazin lotsjellës, pa datë skadence, që në ditët e para të revoltës së tyre në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
- Sot në këtë përplasje janë përballë e ardhmja me të shkuarën, qytetari me politikën, studenti dhe gjimnazisti me qeveritarin dhe ish-qeveritarin, prindi dhe familjari me deputetin e dhjamur nga korrupsioni, pensionisti me ushtrinë shtypëse të administratës.
Ndaj, individët dhe institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare përpara se të vetë-ofrohen për ndërmjetësin dhe dialog duhet së pari kuptojnë thelbin e asaj që po ndodh në Shqipëri dhe arsyet e kësaj përballjeje mes së ardhmes dhe së shkuarës.
…… sepse ashtu siç thonë francezët: “Qui sème la misère récolte la colère!”
© 2026 Argumentum





















































