Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri thirrje sot qytetarëve shqiptarë që t’u bashkohen studentëve, gjimnazistëve dhe të rinjve që prej ditësh protestojnë kundër qeverisë, duke i ftuar të mblidhen nesër, në orën 10:00, para Universitetit.
Në një videomesazh drejtuar qytetarëve, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për përdorim të dhunës policore ndaj protestuesve, duke pretenduar se mbi dy mijë të rinj, gjimnazistë, studentë dhe të mitur janë dhunuar, ndaluar ose arrestuar gjatë protestave.
Kreu i PD-së e cilësoi situatën si rikthim të “terrorit të kuq”, ndërsa tha se protesta e pedagogëve dhe profesorëve në mbështetje të studentëve ka rrëzuar strategjinë e qeverisë për të frikësuar protestuesit.
“Ky mesazh i drejtohet çdo shqiptari: Prej një jave, Tirana po përjeton terrorin e kuq që Shqipëria nuk e njihte më që nga ditët e zeza të regjimit komunist. Prej një jave, fëmijët shqiptarë, nën moshë, gjimnazistë dhe studentë po dhunohen barbarisht nga grupe narkokriminelësh me uniformë”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se gjatë protestave janë përdorur shkopinj gome, gaz lotsjellës dhe plumba gome ndaj studentëve, gjimnazistëve, gazetarëve dhe qytetarëve.
“Prej një jave, mbi dy mijë vajza, djem, gjimnazistë, të mitur, studentë, janë dhunuar egërsisht, ndaluar apo arrestuar dhe kanë mbushur paraburgimet e vendit nga burgu famëzi i Burrelit, gjer në burgun e Beratit”, u shpreh ai.
Berisha akuzoi gjithashtu Ramën se po përdor masa represive për të mbrojtur pushtetin, ndërsa kritikoi edhe bonusin prej 2500 eurosh të dhënë për punonjësit e policisë.
“Edi Rama, për të shpëtuar lëkurën e tij, shpalosi dje platformën kriminale të terrorit të kuq. Bazuar në mercenarë, vrasës serialë të paguar 2500 euro, bazuar në mercenarë dhe vrasës serialë të importuar nga jashtë dhe në mjete të teknologjisë së terrorit”, deklaroi kreu i opozitës.
Sipas Berishës, protesta e pedagogëve dhe profesorëve në mbështetje të studentëve ka treguar se të rinjtë nuk janë tërhequr përballë presionit.
“Studentët, gjimnazistët, të rinjtë janë ngritur si feniksi nga hiri. Ata po e bëjnë detyrën e tyre. Tani është radha juaj”, tha ai.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve të të gjitha bindjeve politike, si dhe atyre që nuk janë të angazhuar politikisht, që të kapërcejnë frikën dhe t’u bashkohen të rinjve në protestë.
“Shumica shqiptare që prej një jave mbështet në heshtje, me të gjithë shpirtin studentët, duhet të vrasë frikën dhe të zbresë së bashku me ta në sheshin e mejdanit. Ata studentë sot janë drita e shpresës për Shqipërinë”, u shpreh ai.
Kryetari i PD-së ftoi qytetarët të mblidhen nesër, në orën 10:00, para Universitetit, duke e mbyllur mesazhin me thirrjen: “Të gjithë me të rinjtë, të gjithë tek ata nesër në ora 10:00 para Universitetit, gjer në fitore”.
© 2026 Argumentum





















































