Prof. Dr. Fadil Maloku,
sociolog
Shikuar përmes “thjerrëzës” së sociologjisë diplomatike, çështja e pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës (Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja) është mjaft interesante për t’u eksploruar, e aq më tepër kur kemi parasysh se kjo temë asnjëherë dhe askund nuk është trajtuar aq seriozisht, as nga qeveria e as nga opozita e Kosovës! Madje, edhe sot e kësaj dite, askush nuk i di as shkaqet, as pasojat e këtij “abstenimi” (jo)vullnetar të Republikës sonë për t’u marrë më seriozisht me këtë çështje të interesit shtetëror e kombëtar. Mirëpo, ajo që është edhe më absurde është se asnjë qeveri e deritanishme nuk ka dalë, të paktën, me ndonjë Projekt-Propozim apo me ndonjë ad hoc road map ekselente kur janë në pyetje kahjet se në ç’mënyrë dhe çfarë hapash duhet të bëjë diplomacia kosovare për t’i thyer barrierat dhe për t’i ndjekur procedurat e nevojshme rreth kësaj çështjeje.
Përshtypja ime fillestare sociologjike ishte se kjo farë indiference, apo abstenimi, madje, në njëfarë mënyre, edhe “vetëkënaqësie” absurde, fillet i ka qysh nga koha kur diplomacia amerikane, përmes shuttle diplomacy, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, luajti një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në sigurimin e njohjeve ndërkombëtare për Kosovën. Ishte kjo kohë kur Kosova ende nuk kishte përvojë, as staf elementar të përfaqësimit diplomatik, e lëre më ndonjë grupim ekspertësh që do ta vazhdonte procesin e shtrirjes së njohjeve të mëtejshme nëpër botë me forca vetanake.
Në vitet e para të pavarësisë, që tashmë është sekret publik, diplomacia amerikane luajti rol dominues në sigurimin e shumicës së njohjeve ndërkombëtare për Kosovën. Mirëpo, kjo mbështetje strategjike e Uashingtonit nuk arriti ta zëvendësonte pafundësisht ndërtimin e një diplomacie operative e profesionale, e as një sosh të qëndrueshme e të aftë për ta vazhduar vetë këtë proces tejet të rëndësishëm për shtetësinë e Kosovës.
Madje, edhe sot e kësaj dite, vetëm 22 nga 27 shtetet anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën. Kjo nënkupton se Kosova ende ka nevojë për një angazhim serioz dhe profesional për ta kompletuar “dosjen” e njohjeve të shteteve anëtare të BE-së. Në këtë kuptim, për ta kuptuar më mirë strategjinë dhe detyrimin që e pret qeverinë e Kosovës, sidomos në raport me pesë shtetet mosnjohëse, kujtoj se ajo duhet sa më shpejt ta përfshijë në agjendën e saj faktin nismëtar që secili prej këtyre pesë shteteve nuk ka qëndrim identik ndaj Republikës sonë.
Greqia, për shembull, në vazhdimësi na deklaron se shteti i saj po ndjek një qasje konstruktive dhe fleksibile ndaj Kosovës, edhe pse nuk e njeh pavarësinë e saj. Megjithatë, nga ana e Kosovës duket se ka një ngurrim për t’iu përgjigjur kësaj qasjeje, që, dorën në zemër, ende mbetet dykuptimëshe! E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Rumaninë, si një shtet i Evropës Juglindore me rëndësi historike, gjeopolitike dhe ekonomike në rajon, nga përvoja e së cilës Kosova do të mund të mësonte shumëçka për mënyrën e transformimit të saj nga një sistem i njëmendësisë komuniste në një shoqëri plurale demokratike.
Problemi, apo, siç thuhet, “topi”, mbetet tani në anën tonë, ku, sa po kuptoj, diplomacia jonë nuk po dëshmon se ka një strategji, të paktën publike, në këtë drejtim! Po them kështu edhe për faktin se, të paktën deri më tani, nuk kemi parë ndonjë hap konkret që ajo është duke ndërmarrë në këtë sferë. Mosnjohja nga këto pesë shtete e vështirëson dukshëm edhe avancimin tonë drejt anëtarësimit në BE, ku vendimet kyçe të procesit të zgjerimit, përfshirë hapjen e negociatave dhe pranimin e anëtarëve të rinj, kërkojnë unanimitetin e shteteve anëtare. Kur është fjala për konceptin e “unanimitetit” të plotë të të gjitha shteteve anëtare, duhet theksuar se kohëve të fundit ky fakt po debatohet si një pengesë serioze, sidomos për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe disa shtete baltike, që ende gravitojnë si shtete “periferike” të Evropës.
Megjithatë, tani duhet pohuar se mosnjohja e këtyre pesë shteteve, de facto (por jo edhe de jure), nuk e pengon Kosovën të bashkëpunojë në forma të tjera me BE-në. Kjo edhe për shkakun e thjeshtë se secili prej këtyre shteteve ka ca interesa specifike gjeopolitike e gjeostrategjike, të cilat ne nuk po arrijmë t’i identifikojmë dhe të nisim “ofensiva” diplomatike për t’i ezauruar veç e veç interesat specifike të secilit prej tyre. Ose, thënë edhe më thjeshtë, Kosova po përballet me pesë pengesa të ndryshme politike, e assesi me një bllok të vetëm homogjen.
Dhe, kur jemi këtu, mendoj se diplomacia jonë aktuale do të duhej që tani t’i trajtonte këto njohje të munguara ndërkombëtare jo thjesht si ekskluzivitet të lobimit diplomatik, por edhe si një proces sistematik të ndërtimit të besueshmërisë shtetërore, të konsolidimit të marrëdhënieve strategjike dhe të krijimit të interesave konkrete që shtetet e apostrofuara mund të kenë për bashkëpunim me ne si Republikë e re.
Natyrisht, ky angazhim, përveç vullnetit të mirë, kërkon veprime konkrete nga të dyja palët: Kosova duhet ta ndryshojë mënyrën se si e ka zhvilluar diplomacinë e vet deri më tani, ndërsa shtetet që ende nuk e njohin duhet ta rivlerësojnë qëndrimin e tyre “abstenues”, në dritën e realitetit të ri politik e juridik që u krijua pas vitit 2008. Në këtë kuadër të kësaj drite rivlerësimi, këto shtete do të duhej ta kishin parasysh edhe çështjen e nevojës për siguri e stabilitet në Ballkanin Perëndimor.
Dhe, kur jemi te këto “drita”, kujtoj se shqetësimet për integritetin territorial, çështjet e brendshme dhe marrëdhëniet me Serbinë janë faktorët dominues, sidomos kur është fjala për Greqinë, Rumaninë dhe Spanjën. Po i theksoj këto tri shtete edhe për faktin se, për shembull, me Rumaninë do të ishte shumë e rëndësishme të thellohej bashkëpunimi në sferën e sigurisë, të ekonomisë dhe, sidomos, të arsimit. Sepse, ndryshe nga Spanja dhe Qiproja, të cilat kanë probleme të ndjeshme të separatizmit dhe integritetit territorial, Rumania e ka mosnjohjen e Kosovës të lidhur më shumë me parimin e integritetit territorial, politikën e saj rajonale dhe marrëdhëniet me Serbinë, por edhe me çështjen e pakicës së konsiderueshme hungareze, sidomos në Transilvani.
Me Greqinë, e cila nuk e njeh Kosovën për shkak të çështjes së Qipros, frikës nga precedentët separatistë dhe lidhjeve tradicionale me Serbinë, ne kemi nevojë që, përmes një diplomacie të re, më aktive dhe më të drejtpërdrejtë, ta zgjerojmë bashkëpunimin bilateral në dobi të interesit tonë dhe atij rajonal. Gjithashtu, edhe me Spanjën, si një ish-perandori, ndonëse ajo ka disa probleme identike me tonat, do të duhej të zhvillohej një argumentim i qëndrueshëm juridik e diplomatik, duke marrë seriozisht ndjeshmëritë e brendshme që ka ky shtet. Vlen të theksohet se Spanja vetë përballet me një kontradiktë interesante: në njërën anë ajo mbron integritetin e saj territorial, ndërkohë që brenda kufijve të saj ka identitete kombëtare dhe lëvizje politike (Katalonia dhe Baskia) që kërkojnë shtetësi të veçantë. Kjo, natyrisht, nuk do të thotë se rasti i Kosovës dhe ai i Katalonisë janë juridikisht të njëjtë.
Sa i përket mosnjohjes nga Sllovakia dhe Qiproja, këto dy shtete përbëjnë ndoshta rastet më interesante dhe më paradoksale në mesin e pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin Kosovën. Vlen të theksohet se Qiproja përfaqëson paradoksin e shtetësisë së ndarë, pasi refuzimin e njohjes e bazon kryesisht në shqetësimin që lidhet me precedentin e shkëputjes territoriale, ndonëse vetë përballet me një realitet të ngjashëm të ndarjes territoriale.
Për t’i shkrirë këto pengesa mjaft serioze, por jo të patejkalueshme, një task-forcë diplomatike e jona do të duhej urgjentisht, përmes një dialogu tejet ofensiv institucional, t’i niste “ofensivat” e reja. Natyrisht, këtu askush nuk po thotë se këto “ofensiva”, të mbështetura nga një diplomaci pragmatike e praktike në raport me këto shtete, kanë garanci të plota se ndonjëri prej tyre do ta ndryshojë qëndrimin. Por, të paktën, ato mund të na ndihmojnë t’i dëshmojmë përparimet tona dhe qëndrueshmërinë e shtetësisë së Republikës, në funksion të sigurisë dhe stabilitetit rajonal, në një kohë kur në nivel global po ndodhin lëvizje tektonike që e kërcënojnë këtë status quo.
Dhe, për t’i bërë këto “detyra shtëpie”, diplomacia jonë do të duhej të përgatiste paraprakisht një ekip të përhershëm për njohjet e apostrofuara. Sepse, pa një strukturë apo një task-forcë profesionale me mandat shumëvjeçar, e cila do ta bashkonte gjithë potencialin e diplomacisë shqiptare (këtu llogaris shumë edhe në atë të Shqipërisë), pastaj gjithë potencialin e juristëve, ekonomistëve dhe studiuesve të tjerë, ne e kemi pothuajse të pamundur ta “delegojmë” më tej procesin e animimit të këtyre shteteve drejt njohjes. Për të qenë edhe më konkret, mendoj se, në kuadër të këtij Projekt-Propozimi ofensiv të diplomacisë, të cilin po pres ta shoh të përfshirë në “betejat” për njohjen nga pesëshja e lartcekur, duhet të kemi për secilin shtet një analizë të thelluar, si për interesat dypalëshe, ashtu edhe për natyrën e pengesave që kushtëzojnë qëndrimin e tij. Pra, na duhet një plan veprimi me objektiva të matshëm, me kontakte të rregullta me qeverinë, parlamentin dhe, pse jo, edhe me akademinë (ndonëse kjo e fundit ka kohë që duket se është zhytur në një gjumë dogmatik!?), si dhe me shoqërinë civile, ku herë pas here do të bëhej një vlerësim periodik i rezultateve dhe i përparimit të arritur.
Megjithatë, në gjithë këtë “odisejadë” tonën diplomatike duhet të kuptojmë se nuk mjaftojnë vetëm vizitat formale të nivelit të lartë nëpër këto shtete. Është kështu, ngase përvoja e gjatë e vendeve që kanë kërkuar njohje na ka mësuar se suksesi i këtij angazhimi nuk varet vetëm nga cilësia e diplomacisë, por edhe nga mënyra se si funksionon vetë shteti dhe nga ambicia e tij për t’u konsoliduar e afirmuar si në nivelin rajonal me fqinjët përreth, ashtu edhe në nivelin kontinental dhe atë global. Krahas kësaj mënyre të të bërit diplomaci, Kosova duhet të investojë shumë në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, pastaj në funksionimin e institucioneve dhe në krijimin e mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, të cilat Evropa i ka të instaluara në korpusin e vet të të drejtave të pakicave. Është e njohur nga përvojat e njohjeve të shteteve të tjera se argumentet e apostrofuara nuk e prodhojnë automatikisht njohjen, por detyrimisht e forcojnë dhe e afirmojnë argumentin se Kosova është një partnere e qëndrueshme dhe një shtet serioz e kompetent që i përmbush premtimet dhe përgjegjësitë e veta, të cilat i parashtrojnë standardet e kësaj “ndërtese” të ftohtë, siç e kam identifikuar unë aulën e BE-së.
Dhe, kur jemi te kjo “ndërtesë” e ftohtë, kujtoj se edhe ajo do të duhej të ushtronte disa obligime ndaj Republikës së Kosovës. Në këtë korpus obligimesh, BE-ja, apo, thënë më ndryshe, Brukseli, do të duhej fillimisht ta niste një proces të rivlerësimit periodik të politikës së saj ndaj Kosovës. Qëndrimet e saj të vitit 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës nga Serbia, nuk do të duhej të mbeteshin domosdoshmërisht të pandryshueshme, pa u shqyrtuar ndërkohë zhvillimet e mëvonshme, funksionimi i institucioneve të Kosovës dhe realiteti i ri rajonal. Pastaj, do të duhej të vazhdonte ta dallonte rastin e Kosovës nga çështjet e saj të brendshme. Kjo vlen sidomos për Spanjën dhe Qipron, por deri diku edhe për Rumaninë. Ngase, shqetësimet eventuale për integritetin e tyre territorial mund të jenë faktorë realë politikë, por analogjia ndërmjet rasteve të ndryshme duhet të shqyrtohet ekskluzivisht mbi bazën e historisë dhe rrethanave juridike përkatëse, e jo përmes frikës nga precedentët, siç po veprohet tashmë gati dy dekada.
Dhe, së fundi, mendoj se kjo “pesëshe” do të duhej të fillonte, më në fund, ta zgjeronte bashkëpunimin praktik dhe pragmatik me Kosovën, sikurse me të gjitha shtetet e tjera, të mëdha e të vogla. Sepse, mosnjohja formale e Kosovës, realisht, nuk do të duhej të paraqiste probleme dhe pengesa serioze për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore, institucionale, ekonomike, akademike e kulturore.
Në këtë skemë analitike, si detyrë dhe obligim përfundimtar i kësaj “odisejade të ofensivave”, Kosova duhet definitivisht të kalojë nga diplomacia që kërkon njohje në diplomacinë që ofron dhe ndërton interesa për njohje.
© 2026 Argumentum





















































