Takimi dyditor i ministrave të Jashtëm të Grupit të 20 ekonomive më të mëdha të botës (G20), i zhvilluar në Atlanta të Shteteve të Bashkuara më 30–31 tetor, përfundoi pa një deklaratë të përbashkët të vendeve pjesëmarrëse, për shkak të dallimeve mbi çështjet kryesore të sigurisë ndërkombëtare, veçanërisht luftën në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme.
Në përfundim të takimit, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, publikoi një deklaratë të kryesuesit (Chair’s Statement), e cila përmbledh temat dhe prioritetet e diskutuara gjatë dy ditëve të punimeve. Dokumenti, i publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit më 31 tetor, nuk paraqet një marrëveshje të miratuar bashkërisht nga të gjitha vendet anëtare, por pasqyron orientimin e presidencës amerikane dhe çështjet që ajo vendosi në qendër të diskutimeve.
Në konferencën për shtyp pas përfundimit të takimit, Rubio pranoi se vendet pjesëmarrëse janë ende larg gjetjes së zgjidhjeve që mund të pranohen nga të gjithë për problemet ndërkombëtare. Megjithatë, ai vuri në dukje se disa prej vendeve të përfaqësuara në G20 po bashkëpunojnë për çështje konkrete, veçanërisht në fushën e zinxhirëve të furnizimit dhe mineraleve kritike.
“Unë nuk do t’ju krijoja përshtypjen sot se jemi pranë gjetjes së zgjidhjeve të pranuara universalisht për këto probleme”, deklaroi Rubio, duke shtuar se bashkëpunimi mes disa vendeve mbetet i mundur në fusha të caktuara të interesit të përbashkët.
Siguria energjetike, prioritet i presidencës amerikane
Një nga temat kryesore të deklaratës përfundimtare ishte siguria energjetike dhe nevoja për të garantuar furnizim të bollshëm, të qëndrueshëm dhe me çmime të përballueshme.
Sipas dokumentit, energjia është një kusht themelor për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve. Rritja e çmimeve të karburanteve, gazit natyror dhe energjisë elektrike ndikon drejtpërdrejt në ekonomitë familjare, bizneset dhe konkurrueshmërinë industriale.
Presidenca amerikane argumenton se garantimi i aksesit në energji nuk është i mjaftueshëm nëse furnizimi nuk është i bollshëm dhe ekonomikisht i përballueshëm. Për këtë arsye, vendet duhet të investojnë në infrastrukturën energjetike dhe në zhvillimin e sistemeve të reja të prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë.
Deklarata evidenton rritjen e kërkesës globale për energji, të nxitur nga shtimi i popullsisë, industrializimi, zhvillimi ekonomik, elektrifikimi, zgjerimi i transportit dhe rritja e përdorimit të teknologjive digjitale.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua teknologjive bërthamore civile, përfshirë reaktorët e vegjël modularë dhe mikroreaktorët, të cilët mund të kontribuojnë në sigurimin e energjisë elektrike në sasi të mëdha dhe në mënyrë të vazhdueshme.
Megjithatë, dokumenti pranon se energjia bërthamore nuk është një alternativë e përshtatshme për të gjitha vendet. Në këtë kuadër, presidenca amerikane thekson të drejtën sovrane të çdo shteti për të zgjedhur burimet e veta energjetike, pa u kufizuar nga vendimet e vendeve të tjera.
Zinxhirët e furnizimit dhe mineralet kritike
Një tjetër prioritet i deklaratës ishte forcimi i zinxhirëve globalë të furnizimit, të cilët konsiderohen thelbësorë për ekonominë moderne, sigurinë ushqimore dhe zhvillimin teknologjik.
Dokumenti veçon rëndësinë e plehrave kimike për prodhimin bujqësor, lëndëve të para për industrinë përpunuese dhe mineraleve kritike për sektorin energjetik, prodhimin e avancuar dhe teknologjitë e reja.
Për të përballuar ndërprerjet dhe pasiguritë në furnizim, vendet e G20-s duhet të rrisin shkëmbimin e informacionit, transparencën dhe mobilizimin e investimeve.
Presidenca amerikane kërkon gjithashtu përmirësimin e procedurave për dhënien e lejeve dhe rishikimin e rregullave që ndikojnë në efikasitetin e zinxhirëve të furnizimit.
Në këtë proces, një rol të rëndësishëm duhet të luajë sektori privat. Qeveritë dhe bizneset duhet të krijojnë partneritete për të avancuar përpunimin, rafinimin dhe riciklimin e mineraleve kritike.
Deklarata nënvizon se investimet afatgjata kërkojnë rregulla të qëndrueshme dhe të parashikueshme, si dhe marrëveshje kontraktuale që garantojnë siguri për investitorët.
Hormuzi dhe Bab el-Mandebi, rëndësia e korridoreve detare
Në pjesën që trajton tensionet gjeopolitike, deklarata ndalet te ndërprerjet e rëndësishme të furnizimit global me energji gjatë vitit 2026 dhe nevoja për të garantuar qarkullimin e sigurt e të pandërprerë të burimeve energjetike.
Në këtë kuadër, theksohet rëndësia e lundrimit të sigurt dhe e kalimit tranzit në rrugët ujore ndërkombëtare, si dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike.
Ngushticat e Hormuzit dhe Bab el-Mandebit, të përmendura që në hyrje të deklaratës, janë pjesë e diskutimeve mbi sigurinë e rrugëve ndërkombëtare të transportit dhe ndikimin që ndërprerjet e tyre mund të kenë në ekonominë globale.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u shpreh gjithashtu se rrugët kryesore të tregtisë ndërkombëtare duhet të mbeten të sigurta dhe të hapura për qarkullimin tregtar. Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, ai theksoi se zinxhirët e sigurt të furnizimit janë thelbësorë për rritjen ekonomike dhe se duhet të forcohen kapacitetet globale për furnizimin me minerale kritike.
Në këtë kontekst, deklarata trajton edhe përdorimin e tregtisë ushqimore si instrument presioni politik. Sipas saj, bllokimi ose ngadalësimi i qëllimshëm i tregtisë së produkteve ushqimore dhe bujqësore për të ushtruar presion ndaj një shteti tjetër për çështje të palidhura me tregtinë përbën një sfidë në rritje për sistemin tregtar ndërkombëtar.
Presidenca amerikane kërkon që komuniteti ndërkombëtar të pajtohet se produktet ushqimore dhe bujqësore nuk duhet të përdoren si mjete shtrëngimi ekonomik apo politik.

Pa konsensus për Ukrainën dhe konfliktet ndërkombëtare
Pavarësisht prioriteteve ekonomike të deklaruara, takimi u zhvillua në një klimë të vështirë diplomatike, për shkak të dallimeve mes vendeve pjesëmarrëse për konfliktet ndërkombëtare.
Lufta e Rusisë në Ukrainë ishte një nga çështjet që ekspozoi më qartë ndarjet brenda grupit. Pjesëmarrja e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, shkaktoi kundërshtime nga disa përfaqësues evropianë, të cilët shprehën rezerva për praninë e Moskës në takim, në kushtet e vazhdimit të sulmeve ruse ndaj Ukrainës.
Sekretari amerikan i Shtetit kishte anuluar fotografinë tradicionale të përbashkët të ministrave, pasi disa diplomatë evropianë kundërshtuan përfshirjen e Lavrovit dhe kërcënuan se do të bojkotonin fotografinë ose do të largoheshin prej saj.
Edhe Polonia, e përfaqësuar në takim nga ministri i Jashtëm Radosław Sikorski, shprehu vështirësitë për arritjen e një qëndrimi të përbashkët. Sikorski vuri në dukje se, kur në të njëjtën tryezë ulen vende të përfshira në luftëra, është veçanërisht e vështirë të arrihet një linjë e përbashkët.
Përveç Ukrainës, dallimet përfshinë konfliktin që përfshin SHBA-në, Izraelin dhe Iranin, politikat tarifore amerikane dhe veprimet e Kinës në Detin e Kinës Jugore. Edhe vendimi i administratës amerikane për të mos ftuar Afrikën e Jugut, ndonëse është anëtare e G20-s, u bë pjesë e mosmarrëveshjeve mes pjesëmarrësve.
Në këto rrethana, ministrat nuk arritën të hartonin një komunikatë të përbashkët, e cila do të kërkonte konsensusin e të gjitha palëve. Në vend të saj, u publikua deklarata e kryesuesit amerikan, e cila rendit prioritetet e diskutuara, pa shpallur marrëveshje të përbashkëta për çështjet kryesore të sigurisë ndërkombëtare.
Ebola: 2 miliardë dollarë për përballimin e epidemisë
Deklarata përfshin gjithashtu një pjesë mbi bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër Ebolës.
Sipas dokumentit, 2 miliardë dollarë të mobilizuar gjatë një aktiviteti të zhvilluar në shtator në Nju Jork, nën presidencën amerikane të G20-s, kanë ndihmuar në përshpejtimin e reagimit ndaj epidemisë.
G20 vlerësoi punën e komuniteteve dhe të personelit shëndetësor që po përballen drejtpërdrejt me sëmundjen, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit ndërkombëtar për frenimin e përhapjes së saj.
Nga Atlanta drejt Samitit të Liderëve në Miami
Në përfundim të takimit, ministrat falënderuan qytetin e Atlantës dhe shtetin e Georgias për mikpritjen. Programi përfshiu edhe një element të diplomacisë sportive amerikane, përmes njohjes me traditën e futbollit amerikan dhe rivalitetin universitar mes Universitetit të Georgias dhe Universitetit të Floridës.
Presidenca amerikane falënderoi vendet pjesëmarrëse për kontributin në diskutimet e zhvilluara dhe shprehu pritshmërinë për Samitin e Liderëve të G20-s në Miami, i cili do të shënojë fazën e ardhshme të presidencës amerikane.
Në vitin 2027, presidenca e G20-s do t’i kalojë Mbretërisë së Bashkuar.
© 2026 Argumentum





















































