Panairi i 19-të i Bashkëpunimit në Biznes dhe Teknologji Evropë-Kinë u zhvillua në Chengdu, në provincën Sichuan, duke mbledhur rreth 700 ndërmarrje dhe institucione nga më shumë se 20 vende e rajone, shkruan “China Daily”.
Adam Dunnett, sekretar i përgjithshëm i Dhomës së Tregtisë të Bashkimit Europian në Kinë, deklaroi në ceremoninë e hapjes se 75 për qind e kompanive europiane që operojnë në Kinë, të cilat iu nënshtruan një sondazhi, raportuan se efikasiteti i tyre prodhues në këtë vend është më i lartë se kudo tjetër në botë. Ndërkohë, 94 për qind e tyre besojnë se tregu kinez është me rëndësi jetike për zinxhirët e tyre të furnizimit.
foto nga “ChinaDaily”
Luis Rubio, president i Dhomës së Tregtisë Spanjolle në Kinë, u shpreh se dhoma që ai përfaqëson ka sjellë 10 kompani në panair. Duke vënë në dukje se Spanja zotëron shumë fabrika në sektorin e energjisë së re, Rubio theksoi se është tejet optimist për bashkëpunimin dypalësh.
Programi i panairit përfshinte një ceremoni hapjeje dhe një sesion plenar, diskutime tematike, vizita në parqe industriale, takime për krijimin e partneriteteve të biznesit, si dhe aktivitete për promovimin e investimeve.
Fushat kryesore të fokusuara në panair përfshinin energjinë e re dhe mbrojtjen e mjedisit, biomedicinën, produktet bujqësore, robotikën inteligjente, teknologjitë e avancuara, arsimin profesional dhe shërbimet ligjore për biznesin.
foto nga “ChinaDaily”
Sipas të dhënave zyrtare, ky panair vjetor tërhoqi mbi 14.000 kompani kineze dhe europiane që nga fillimi i tij, duke çuar në arritjen e më shumë se 3300 marrëveshjeve të synuara bashkëpunimi.
Qendra e Biznesit dhe Inovacionit për Bashkëpunimin Kinë-Europë, e ndodhur në Zonën e Teknologjisë së Lartë të Chengdusë, ku u zhvillua dhe panairi, funksionon si një platformë e nivelit kombëtar për bashkëpunimin me Europën dhe strehon 54 projekte me pjesëmarrje të huaj.
Aktiviteti treditor u organizua bashkërisht nga Dhoma Kineze e Tregtisë Ndërkombëtare dhe Dhoma e Tregtisë e Bashkimit Europian në Kinë./cgtn





















































