Zv. presidenti i Kinës, Han Zheng, u takua të premten në Tbilisi me presidentin e Gjeorgjisë, Mikheil Kavelashvili.
Han Zheng i përcolli presidentit Kavelashvilit përshëndetjet e përzemërta dhe urimet më të mira të presidentit të Kinës, Xi Jinping. Han vuri në dukje se Gjeorgjia është partnerja e parë strategjike e Kinës në Transkaukazi, si dhe vendi i parë në Euroazi që ka arritur një marrëveshje tregtie të lirë me Kinën.
Zv. presidenti kinez theksoi se gjatë 34 vjetëve që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, të dyja vendet kanë respektuar parimet e respektit e besimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, duke nxitur zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Ai kujtoi që, në qershor të këtij viti, presidentët Xi dhe Kavelashvili njoftuan së bashku ngritjen e marrëdhënieve Kinë-Gjeorgji në nivelin e partneritetit të gjithanshëm strategjik. Kjo ka hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe i ka dhënë një shtysë të re bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Ai tha se të dyja palët duhet të harmonizojnë më mirë strategjitë e tyre të zhvillimit, ta marrin bashkëpunimin me cilësi të lartë në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë” si udhërrëfyes për të promovuar bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella në fusha të ndryshme, të kryejnë në mënyrë aktive shkëmbimet njerëzore e kulturore, si edhe të nxisin vazhdimisht lidhje më të ngushta midis dy popujve.
Nga ana e tij, presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Kavelashvili, i kërkoi Han Zheng-ut t’i përcillte presidentit Xi Jinping përshëndetjet e sinqerta dhe urimet e tij më të mira.
Kavelashvili u shpreh se Gjeorgjia dhe Kina janë dy qytetërime të lashta me histori të gjatë, që e respektojnë njëra-tjetrën dhe i besojnë njëra-tjetrës. Ai vuri në dukje se lidhjet e bashkëpunimit mes dy vendeve po forcohen vazhdimisht, ndërsa shkëmbimet mes popujve po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Gjeorgjia krenohet shumë me bashkëpunimin e saj me Kinën, shtoi ai.
Presidenti gjeorgjian tha se Gjeorgjia, si një nga vendet e para që iu bashkua nismës “Një brez, një rrugë”, është e gatshme të thellojë bashkëpunimin me Kinën në fusha si ndërlidhja, zhvillimi i infrastrukturës, ekonomia e tregtia, turizmi, sporti dhe arsimi. Zgjerimi i këtij bashkëpunimi do të sjellë më shumë përfitime për të dyja vendet dhe do të përmirësojë mirëqenien e popujve të tyre, duke nxitur njëkohësisht zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit të gjithanshëm strategjik Gjeorgji-Kinë.-cgtn





















































