Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në raportin vjetor të progresit të Komisionit Europian, Shqipëria vlerësohet më lart se asnjëherë më parë.
Kryeministri e konsideroi këtë një tjetër moment krenarie për Shqipërinë europiane.
“Një tjetër dëftesë notash domethënëse dhe inkurajuese nga Komisioni Europian. Një tjetër hap përpara drejt objektivit historik të bashkimit me Europën”, tha Rama.
Por, sipas tij, “detyrat përpara nesh janë ende të shumta, kurse koha e kalendarit të ngjeshur të negociatave gjithnjë e më e ngushtë”.
“Dhe ky vlerësim nuk i bën as më të vogla, as më pak aktuale problematikat e jetës së përditshme të vendit, të cilat kanë pasur, kanë dhe do të kenë të gjithë vëmendjen time, të qeverisë, të shumicës parlamentare. Përkundrazi, vlerësimi i lartë i raportit të sotëm na motivon për të bërë ende më shumë dhe për t’i bërë gjërat ende më mirë”, u shpreh Kryeministri.
Sipas tij, “momenti është optimal”.
“Dera e BE është e hapur dhe mundësia e hyrjes është më reale se kurrë. Historia nuk do të na e falte kurrësesi mbytjen në lugën e ujit të pistë të dasive, mllefeve e xhelozive që e kanë penguar vazhdimisht Shqipërinë të ngrihet në lartësinë e potencialit të saj. Kokën lart dhe përpara Shqipëri”, u shpreh kryeministri Rama.
© 2026 Argumentum





















































