Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Euronews gjatë Samitit për Zgjerimin në Bruksel, deklaroi se Shqipëria synon të përmbyllë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2027. Ai foli për protestat në Shqipëri, marrëdhëniet me Serbinë, njohjen e Kosovës dhe idenë e përfshirjes graduale të vendeve kandidate në mekanizmat e vendimmarrjes së BE-së.
BRUKSEL – Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po punon për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2027, por shmangu dhënien e një garancie për anëtarësimin në vitin 2030.
Gjatë intervistës për Euronews, në kuadër të Enlargement Summit në Bruksel, Rama tha se plani për përmbylljen e negociatave mbështetet nga Komisioni Europian dhe se, deri tani, procesi po ecën sipas parashikimeve.
“Gjithçka po ecën në përputhje me planin”, u shpreh ai, duke shtuar se përfundimi i negociatave do të ishte një arritje thelbësore për Shqipërinë. Megjithatë, sipas tij, vendimi përfundimtar do të jetë më i ndërlikuar, pasi kërkon dakordësinë e 27 vendeve anëtare.
I pyetur nëse Shqipëria mund të bëhet anëtare në vitin 2030, pas Malit të Zi që synon anëtarësimin në vitin 2028, Rama u shpreh se përvoja e tij në procesin europian e ka bërë më të kujdesshëm ndaj afateve.
“Kam parë afate që janë fashitur rrugës, kam parë se si BE nuk ka realizuar premtimet e veta”, tha kryeministri.
Intervista e plotë:

Moderatore: Kryeministër, kemi dëgjuar që ideja e zgjerimit është në një pikë shumë interesante sepse gjërat po ecin. Mali i Zi me shumë gjasë do bëhet pjesë për dy vjet. Tashmë Mbretëria e Bashkuar duket sikur do të kthehet. Kanadezëve u është ofruar një lloj ri anëtarësimi, por në të njëjtën kohë ka ende probleme. Si e perceptoni këtë moment sepse po ndodhin gjëra?
Kryeministri Edi Rama: Po ndodhin gjëra dhe ka shumë çështje komplekse tani që flasim, por në fund të fundit nuk ka asgjë më të mirë se Bashkimi Europian. Kështu e shoh unë!
-A mund t’ju bëj një pyetje dhe nuk do të bëjmë koment për çdo vend. Por doja t’ju pyesja veçanërisht për Serbinë. Ka një ndryshim në udhëheqje dhe ju pyes sepse vitin e kaluar ju ishit bashkautor të një editoriali, që në fakt u diskutua bashkë me Aleksandër Vuçiç. Pas këtij ndryshimi të udhëheqjes do të ketë më shumë ndërlikime sepse ne nuk e dimë se çfarë mendojnë lista e studentëve.
Kryeministri Edi Rama: Po se diti Euronews, si ta di unë? Dhe po përpiqem të marr prej jush atë çfarë dini dhe ju nuk e dini. Po pres që ta mësoj nga Euronews.
-Do tua sjellim, do tua u japim dhe këtë lajm. Por a mendoni që kjo do të ndihmojë në një fare mënyre?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, ajo çfarë di është që fituesit në Beograd nuk tregojnë hapje për atë që është çështja më e dashur për mua, për shqiptarët, që është çështja e njohjes së Kosovës. Ata janë tërësisht të mbyllur ndaj kësaj çështje, kështu që, kjo nënkupton se muzika në Beograd nuk do të ndryshojë.
-Megjithatë është e rëndësishme. Dua të vijoj me Shqipërinë, por në mënyrë të përsëritur kemi dëgjuar vit pas viti që Serbia është një vend kyç për Ballkanin dhe nuk mund të flitet për zgjerim në Ballkanin Perëndimor e për një rajon të stabilizuar nëqoftëse Serbia nuk është pjesë. A e konsideroni njësoj të rëndësishme?
Kryeministri Edi Rama: Kush e ka thënë këtë?
-Komisionerët, sa për fillim, Antonio Kosta e ka thënë shumë herë. Është një vend që nuk mund ta shpërfillesh, është shumë i madh në rajon. A do bini dakord me këtë dhe të thoni që është përgjegjësi dhe e qeverisë së re, që ka një fqinjësi me të cilën duhet të bien dakord, të ecin mirë?
Kryeministri Edi Rama: Unë nuk i jap leksione askujt. Mua më japin leksione, duke qenë se jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht pjesë e BE. Kështu që, jemi ne ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione. Ky është rregulli këtu në Bruksel.
Pra, nuk do t’i jap leksion askujt, por do të them thjesht, që po, Serbia është një pjesë shumë e rëndësishme e këtij mozaiku të Ballkanit Perëndimor, por gjithmonë kam qenë avokat i faktit që nuk duhet ta lëmë Serbinë të shkojë në drejtimin e gabuar dhe njëfarësoj të braktisë projektin europian sepse kjo do të dëmtonte pikë së pari rajonin tonë. Nga ana tjetër, sidoqoftë e dimë si shkojnë gjërat. Nëqoftëse do të hysh në Bashkimin Europian të duhet të realizosh gjëra në shumë aspekte. Kur bëhet fjalë për aspekte të caktuara, Serbia ka dëshmuar një hezitim dhe jo vetëm normalizimi me Kosovën, por dhe qëndrimi që ka karshi Rusisë, sanksioneve dhe gjërave të tjera. Pra, unë do të thoja, po, na duhet Serbia të jetë me ne, duhet që Serbia të jetë pjesë e një fqinjësie që duhet të jetë pjesë e plotë e BE, por edhe një herë, Serbia duhet të tregojë rezultate dhe duhet ta meritojë plotësisht këtë përkatësi duke realizuar plotësisht atë çka është e panegociueshme në raport me BE.
– Në këtë pikë ka dy teori në Bruksel; një është që mali i Zi do të anëtarësohet në BE në 2028 për dy vjet, është i vogël dhe nuk krijon probleme për askënd. E ndoshta kjo u tregon dhe të tjerëve që zgjerimi është, po vazhdon dhe ky është fundi i historisë apo ka dhe një teori tjetër që thotë Mali i Zi do të jetë në 2028 anëtar dhe Shqipëria do të jetë në “pole-position” për t’u anëtarësuar në vitin 2030. E di që ju nuk doni të flisni për shifra megjithatë le të flasim, a mendoni, cila mendoni që do të jetë rasti, teoria e dytë që ju do të anëtarësoheni në 2030 apo e para?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, nuk jam më kaq i ri në këtë detyrë dhe kam parë gjëra që nuk do të t’i besonit siç thënë dhe dikush megjithatë unë shoh afate që janë fashitur rrugës, kam parë se si BE nuk ka realizuar premtimet e veta; kam parë se si BE është i aftë të realizojë dhe më shumë nga ç‘pret. Kështu që nuk i dihet kurrë me BE. Nuk e di, ajo çfarë di si fakt është që ne po punojmë shumë fort me një plan të përbashkët, një plan i mbështetur plotësisht nga Komisioni për t’i përmbyllur negociatat në fund të 2027-s. Ndërsa flasim, gjithçka po ecën në përputhje me planin. Nëse do të jetë kështu, do të vazhdojë kështu deri në fund të vitit tjetër, do të përmbyllim negociatat dhe kjo do të jetë absolutisht thelbësore, sepse do të nënkuptojë që ne kemi bërë punën tonë dhe pastaj kur puna, ose kur vjen fjala tek puna e 27-ve, kjo është më e ndërlikuar sepse flasim për 27 ‘’mjekë’’ që duhet të bëhen bashkë, të mblidhen bashkë dhe të kenë të njëjtën ide për një ‘’pacient’’ dhe janë patologë.
– Krahasuar me raportin e vitit të kaluar dhe kemi qenë këtu vitin e kaluar ditën kur doli raporti, thuhej se Shqipëria është në rrugën e duhur, po kryen reforma por gjithashtu edhe theksoi edhe fushat me mangësi që ishte ekuilibri i pushteteve; foli për korrupsionin, për gjyqësorin. A mund të shihni diçka që mendoni se do të ndryshojë në këtë raport pak ditë më pas apo mendoni që do të mbetet e njëjta gjë?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, është pjesë e së gjithës kësaj, deri në fund të ditëve, pra është pjesë, marrja me këtë çështje është pjesë e punës deri në fund të ditëve sepse nëqoftëse nuk do të kishim probleme, atëherë do të ishim si Zvicra e ndoshta do të thoshim’’ nuk vijmë të rrimë me ju. Ndoshta jeni ju që duhet të vini të rrini me ne”. Por pikërisht sepse kemi probleme apo çështje me të cilat duhet të përballemi , jemi në një fazë ku ende nuk jemi gati për të qenë anëtarë me të drejta të plota të BE dhe nga ana tjetër, pikërisht pse ky proces është më efikasi dhe procesi më mrekullibërës për vendet që të shndërrohen në shtete e demokraci funksionale, duhet ta bëjmë për hir tonë, për hir të fëmijëve tanë. Po. Kemi probleme dhe po luftojmë që t’i zgjidhim, të përballemi me to dhe procesi po na ndihmon ta bëjmë këtë gjë me mjete që në të kundërt nuk do t’i kishim. Pra, është një bekim i madh të jesh në zemër të Europës dhe të vish nga një histori aq mizore, prej së cilës kemi ardhur e që nuk do të na lejonte t’i bënim të gjitha këto transformime nëse nuk do të kishim mundësinë e BE përpara vetes, kështu që ky është dallimi, ky është ndryshimi. Pse nuk funksionon në Afganistan, në Irak, në vende të tjera ku iu premtua demokraci, iu premtuan institucione funksionale dhe një e ardhme e shndritshme dhe për fat të keq, nuk ndodhi. Pse? Sepse nuk kanë BE si pikë horizonti dhe si burim dije për mënyrën se i ndërtohet shteti, sesi ndërtohen institucionet.

– Në këtë pikë, kur behet fjalë për raportin nuk prisni asgjë që do të jetë thelbësisht ndryshe nga viti i kaluar që mund të cenojë?
Kryeministri Edi Rama: Nuk ka asnjëherë thelbësisht ndryshe me Bashkimin Europian. Është një martesë ku çdo gjë është e parashikuar apo jo? Jo, është e parashikueshme. Kur behet fjala për të marrë më shumë është e lehtë për të parashikuar. Kur ndodh për të marrë më pak ndonjëherë befasohesh por nuk mendoj se është diçka që do të vijë përveçse me dobi për ne dhe popullin shqiptar sepse kemi punuar shumë fort. Nuk ka qenë e lehtë. Kemi dhe ne ato pengesat tona të brendshme dhe pavarësisht jemi siguruar që ekipi ynë të jetë në kohë në Bruksel çdo javë, çdo ditë, të ulen e të flasin me këta burokratë që janë alienët më të jashtëzakonshëm që mund të gjesh në jetën reale dhe dinë që kaq mirë si të të torturojnë dhe dinë kaq mirë si të nxjerrin më të mirën prej teje kështu që zgjedh, nëqoftëse i reziston torturës fiton, nëqoftëse nuk i qëndron torturës atëherë je, shkon për dreq. E kam fjalën për ndjesi.
– Folët për disa prej pengesave që mund të shfaqen. Gjatë 8-9 muajve të fundit kemi parë natyrisht protesta që janë shfaqur, janë fashitur, janë shfaqur, janë fashitur. Kanë nisur me resortin dhe natyrisht kjo është diçka që mblidhet me dy teori, që do të thotë që është demokraci dhe njerëzit protestojnë, por nga ana tjetër mund të jetë dhe diçka e akumuluar që mund të ndikojë në proces. Çfarë mendoni për këtë në raport me procesin e zgjerimit?
Kryeministri Edi Rama: Për fat të mirë ose për fat të keq kjo është shumë herë më e nuancuar dhe e ndërlikuar sesa stereotipe të tilla, nëse është kështu apo ashtu kjo apo jo. E ndoshta do të duhej një tjetër ditë që të përpiqeshim të shpjegonim gjithçka, por ajo çka mund të them është që Shqipëria është në një tjetër fazë. Kemi hedhur një hap historik, nga një vend që kishte nevojë, pra të përmbushte nevojat, në një vend me pritshmëri të larta dhe njerëzit në vend sot kanë pritshmëri të larta dhe e dimë nga historia, e dimë nga ata që kanë studiuar kombet dhe demokracitë që vjen një moment në kohë ku të duhet të përballesh jo më me nevojat, por me pritshmëritë e larta. Kjo është e para.
E dyta, nuk jemi vetëm ne. Po ndodh gjithkund dhe do të ishte dhe më e ndërlikuar ma ha mendja për vende që ende nuk e shohin që po vjen sepse kemi një realitet të ri që po sfidon realitetin tonë të përbashkët, që është realiteti i medias sociale. Janë dy botë të ndryshme. Dhe për ta përfunduar me të do t’ju them vetëm një gjë, që e kam parë personalisht, e kam përjetuar personalisht dhe munda ta vlerësoj aty personalisht, si një fuqi për të krijuar një përballje kryekëput skizofrenike me realitetin. Kishim protestues që ishin të dhunshëm dhe ndryshe nga çdo vend tjetër që u përball me të tilla momente të dhimbshme kishim dyfishin e të plagosurve, të lënduarve nga Policia. Pra, Policia ishte pala më e dëmtuar në këto demonstrata por po të shihnit median sociale, po të shihni televizionet që marrin informacione nga mediat sociale, në fakt ajo çfarë do të mendonit për atë që ka ndodhur në Shqipëri, është që është unike për brutalitetin e policisë. Është vetëm një shembull. Mund t’ju përmend shumë të tillë, ju mund të përmendni shumë të tillë, dikush tjetër mund të përmendë shumë të tillë. Na duhet të përballemi me këtë brez që po rritet në realitetin e vet. Nuk është e lehtë.
– Herën e fundit që folëm në Tivat më thatë se besonit që kjo është e frytë nga media sociale por protestuesit mund të thonë që forca vjen nga policia dhe jo nga ata. Pra dikush do të thotë që ‘’po, policët janë lënduar’’. Ju treguat që shifra është dyfish, por protestuesit mund të thonë që ka ndryshim midis dhunës së policisë dhe protestuesve sepse ata kanë armë dhe normalisht mund të argumentohet që ka situata që thonë se policët mund të lëndohen megjithatë protestuesit thonë që nuk kemi as armë, jemi paqësore, kjo është mënyra se si apo më mirë është një rezultat i asaj çfarë thuhet se si duhet menaxhuar gjëja në terren?
Kryeministri Edi Rama: Po më provokon? E ke seriozisht apo po më provokon që të kemi një diskutim më interesant?
– Mos hymë në debate se çfarë mund të bëjë ose jo policia.
Kryeministrit Edi Rama: Jo, jo ishte vetëm një shembull. Mund t’ju jap shembuj të tjerë
– Për këto imazhe, për këto pamje, ju do të doni që në fakt që të qetësoni, pra të gjithë duhet te qetësohen sepse ka, po themi, efekte për shkak të zgjerimit apo mund të thoni që duhet të ndryshoni se duhet të ndryshojmë dhe qeveria ime është e përgatitur të ndryshojmë?
Kryeministri Edi Rama: Pikësëpari, ditën që do të mendoj që unë nuk kam nevojë të ndryshoj dhe qeveria nuk ka nevojë të ndryshojë, atëherë do ta lë këtë punë. Unë dua të ndryshoj. Jeta ime është një jetë ndryshimesh në të gjitha aspektet, edhe në martesë. Unë kam ndryshuar në çdo lloj mënyre. Gjithmonë sepse unë jetoj për ndryshimin.
Kjo është ajo çfarë bëj të tërë kohem, ajo çka kam tërë kohë ndër mend. Pra ju gjithmonë dëgjoni. Nuk do t’ju mërzis me fakte se çfarë po ndryshojmë duke qenë se si po ndryshojmë që kur flamengot zbriten në shesh dhe ajo çfarë është risi tashmë në mënyrën e veprimit të qeverisë përkundrejt qytetarëve duke përdorur mes të tjerash dhe AI. Ajo çfarë po përpiqem t’ju them, është se kjo nuk ka të bëjë me Shqipërinë, me veten apo me qeverinë. Ka të bëjë me botën e re ku jetojmë. Ka të bëjë me faktin që po jetojmë dy realitete të ndryshme dhe është një realitet që do bëhet gjithnjë e më i vështirë për Europën dhe për demokracitë që po shpenzojmë miliarda e triliona për të mbrojtur qiejt e për të fortifikuar kufijtë e tyre, por ende nuk po e kuptojnë se ajo çka ka nevojë për mburojë, është mendja e të rinjve dhe fëmijëve tanë të cilët janë krejt të pambrojtur e brenda mendjes së të cilëve po ndodhin gjëra që largqoftë, do ta bëjnë Europën e së nesërmes të menaxhohet e të drejtohet nga një lloj krejt ndryshe njerëzish. Kjo është ajo çfarë po përpiqem të them. Nuk po rrekem të relativizoj atë çfarë thonë protestuesit apo cilat janë arsyet e vërteta e kështu me radhë. Po ju them thjesht që po jetojmë në përplasje realitetesh që sapo kanë zënë fill, sepse ju thoni ‘’qetësohemi’’ e kështu me radhë. E them tërë kohën, unë jam një njeri që gjithmonë, ju e dini, kërkoj të debatoj, të përballem me njerëzit, të sfidoj e të sfidohem, por nuk është e lehtë kur thua ‘’po proteston’’, për çfarë? Do të dëgjohesh? Eja. Dua t’ju dëgjoj, dua të flas më ju. “Jo nuk duam t’ju dëgjojmë, nuk duam të flasim me ty, duhet të ikësh”.
Më fal, por nuk ma dhatë ju këtë punë. E kam këtë punë, më është dhënë nga populli shqiptar dhe kam një kontratë kështu që eja, le të flasim. Jam gati t’ju dëgjoj. “Jo, jo”! Pra nuk flasim, nuk ka dialog, nuk ka diskutim, por thelbi i çështjes është që ndryshe nga vende të tjera, kjo fazë e re dhune ka si karakteristike një numër shumë të ulët njerëzish, nuk është se është populli shqiptar në rrugë, janë shumë më tepër njerëz.
– Pra nuk janë kaq shumë njerëz. Janë ata njerëz që janë në rrugë që mendojnë se duhet të ikni.
Kryeministri Edi Rama: Në rrugë patjetër e thonë, pse rrinë në rrugë pastaj nëqoftëse nuk do donin që unë të ikja.
– Pra, nuk ju kanë prekur asnjëherë? Nuk kanë prekur politikat e qeverisë suaj. Kur shihni protesta, nuk ndikon kjo në agjendën tuaj të politikave sepse kjo është çështja, kjo është pikëpyetja këtu në samit. Ky kontekst po krijon probleme në procesin e zgjerimit?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, është me rëndësi t’i dëgjosh njerëzit. Mos ta nisësh duke treguar fajin por për të kuptuar çfarë nuk shkon, çfarë ndodh, çfarë duan këta njerëz. Është demokraci, është liri. Njerëzit kanë të drejtën të bëjnë atë çfarë duan të bëjnë. Problemi fillon kur njerëzit nuk e kuptojnë që liria e tyre përfundon kur nis liria e tjetrit, duhet të respektojmë dhe tjetrin. Por është një sfidë. Është një sfidë interesante. A ndikohem? Po ndikohem, sepse po përpiqem të kuptoj si të bëj më shumë dhe si të bëj më mirë dhe Shqipëria po ecën shumë mirë kur vjen fjala për shifrat, për rritjen, kur vjen fjala për rrugëtimin europian, kur bëhet fjala për turistët që po vijnë e kur bëhet fjalë për shumë gjëra. Por nga ana tjetër është shumë e qartë, njerëzit duan më shumë nga ajo çfarë krijohet prej ekonomisë. Dhe ajo është ajo çfarë po përpiqemi të trajtojmë.
-Kam edhe një pyetje të fundit sepse më kanë thënë që duhet të largoheni në kohë.
Kryeministri Edi Rama: Po pse duhet të largohemi gjithmonë në kohë? Unë dua të rri më shumë këtu me ju.
– Do t’ju bëj dy pyetje. Afati i 2030 apo horizonti i 2030 ka efekte dhe për vende të tjera europiane sepse ju dhe Italia bëtë një marrëveshje për emigracionin dhe kjo natyrisht ndryshoi lojën shumë në Itali, por gjithashtu dhe bisedën në BE për këtë, e dimë marrëveshjen. Pra, emigrantët e parregullt transferohen në Shqipëri dhe zbatohet legjislacioni italian. Por ka patur shumë pyetje për këtë marrëveshje sepse është nënshkruar për 5 vjet dhe në 2030-ën nëse bëheni anëtar, atëherë nuk jeni më një ekstra territor i BE-së. Çfarë do ndodhë me këtë marrëveshje?
Kryeministri Edi Rama: Nuk mendoj se është një çështje kaq e madhe,
– Është për Giorgia Melonin.
Kryeministri Edi Rama: Më lini të përfundoj se ju doni ta mbyllni në kohë. Nuk është një çështje kaq e madhe sa duhet të zërë mendjen e Europës. Mendoj që është një përpjekje për të gjetur një rrugëzgjidhje apo një rrugëzgjidhje të ndryshme për të trajtuar një çështje, e cila nuk është se do të zhduket se do të forcojmë kufijtë, se do të zhduket vetëm sepse do të lidhim marrëveshje të këtij lloji dhe nuk do të zhduket për aq kohë sa përdoret për qëllime të politikës së brendshme nga parti të ndryshme, që duan të marrin copa të elektoratit, duke folur për këtë gjë që është një sfidë e jashtëzakonshme. Është një sfidë civilizimi rreth asaj çfarë jemi dhe do të jemi nesër.
– Por ju thoni që kjo çështje nuk do të fashitet, por natyrisht mund t’i dërgohet një mesazh italianëve që përgatituni për një botë
Kryeministri Edi Rama: Kush tha që duhet të jap mesazhe italianëve? Si do guxoja? Unë nuk shoh as televizion italian. Unë pres që italianët të më japin mua mesazh.
– Por idea është që a mund të jetë çështje që në 2030-ën do bëhemi anëtar dhe pastaj a do vazhdojë apo jo?
Kryeministri Edi Rama: Doni që të nxirrni një titull?
-Jo, jo, po bëj pyetje.
Kryeministri Edi Rama: Doni që të nxirrni një titull për motrën time në Romë, por nuk do t’ua jap. Marrëveshja do të qëndrojë në fuqi për aq kohë sa të jetë e nevojshme edhe përtej në 2030-ën, 2040-n, 2050-n deri sa ajo të jete kryeministre e Italisë.
– 2050 do të ishte tjetër çështje, por kam edhe një argument të fundit për këtë. BE duhet sikur tashmë po eksploron partneritete të ndryshme; me kanadezët, me këtë anëtarësim të asociuar kanë pak vende të tjera që kryetarja e Komisionit nuk duhet ta bënte ketë se nuk ekziston, por nga ana tjetër ka patur një dokument të përbashkët francezo-gjerman që në periudhe të ndërmjetme mund të ç‘kyçnin përfitime nëqoftëse arrini rezultate. Si mendoni për këtë ide?
Kryeministri Edi Rama: Cila ide?
– Që në fazën e ndërmjetme afrohesh me BE , pra nuk je anëtar me të drejta të plota, por nuk je jashtë ‘’dhomës’’, po themi? Jeni dakord me këtë ide të përkohshme? Kam përshtypjen që është një ide, një propozim që u bë në Tivat dhe nuk e kam dëgjuar më.
Kryeministri Edi Rama: Po sepse s’më ke takuar më shpesh që ta diskutojmë. Është diskutuar dhe është diskutuar në çdo rast. Nuk ka të bëjë me Shqipërinë apo me Malin e Zi apo me kë vjen pas. Ka të bëjë me vetë BE. Ka të bëjë me vetë Europën. Çfarë është Europa e çfarë kërkon të jetë. Unë besoj fort se në një botë që po çmendet, ku ka realitete që po ndryshojnë, forca që krejt befas po bëhen shumë të rëndësishëm, BE duhet të bëjë diçka që është po kaq e guximshme dhe që shkon përtej asaj pune të zakonshme të përditshme, që është e mirë për ne për arsyet që përmenda më parë. Unë kam bindjen se procesi i bazuar në meritë, duhet të jetë. Gjithkush duhet të kalojë nëpër këtë proces. Askush nuk duhet të kërkojë asnjë dhuratë, asnjë rrugë të shkurtër apo ndonjë fleksibilitet në proces, sepse në fund të fundit është njësoi si patenta. Të duhet patentë, por të duhet edhe ta drejtosh mirë mjetin, se ndryshe nëqoftëse merr patentën pa mësuar se si t’i japësh makinës, do të përplasesh. Po kjo, është. Duhet të jetë në të njëjtën kohë sidoqoftë. BE duhet të jetë në gjendje të pikasë, të gjeje momentin Helmut Kohl, siç e quaj unë. Kur Helmut Kohl shkoi tek muri që ishte rrëzuar, nuk iu tha bashkëqytetarëve gjermano-lindor që ‘’tani jeni të lirë, por kam lajm për ju. Keni nja 33 kapituj që duhet t’i kaloni’’. Ju tha: ‘’Mirë se vini , të gjithë bashkë jemi në këtë situatë apo në këtë gjendje’’. Pra, proces bazuar në meritë, por të gjithë përreth tryezës. Këtë duhet të bëjë Evropa sot, të sjellë gjithkënd rreth tryezës si pjesë e së njëjtës familje. Ashtu siç Ursula sjell ‘’7 fëmijët ‘’ e saj. Ne jemi 7. Po të na numëroni, jemi 5 vende negociuese apo në proces në Ballkanin Perëndimor plus Moldavinë dhe Ukraina. 7 ‘’Fëmijët’ e Ursulës po Ursula nuk i rriti fëmijët atje në lagje, dhe ju tha që ‘’shiko, rrituni aty dhe pastaj kur të rriteni e të piqeni, ejani të hani këtu me mamin edhe babin’’. Jo, i mbajti rreth tryezës dhe sigurisht që nuk ishin ata që merrnin vendime rreth tryezës, nuk morën më shumë se ç ‘meritonin. Duhet të shkonin në shkollë, në shkollë të mesme, në universitet, pastaj duhet të sillnin ca para në familje dhe pastaj mund të bëheshin gjithmonë e më tepër pjesë e vendimmarrjes. Kështu duhet të ndodhë. Duhet të jemi rreth tryezës dhe pastaj të gjithë kalojmë në procesin bazuar në meritë dhe kur dikush rritet mjaftueshëm behet anëtarë.
Kurse, ndërsa dikush nuk është rritur ende mjaftueshëm, është aty i pranishëm, por jo anëtar me të drejta të plota, por merr diçka më shumë nga tryeza. Dhe kur dikush si Serbia nuk realizon, është në tryezë, por nuk merr asgjë nga tryeza, por është ulur rreth tryezës dhe mesazhi për botën, për aktorët e tjerë është që ‘’jo jo, nuk mund t’i thoni asnjë popullsie në rajon, nuk mund t’i thoni moldavëve, serbëve, ukrainasve dhe të te tjerëve që kurrë nuk do të jenë pjesë e jona sepse ata janë këtu, janë pjesë e jona, janë ‘’fëmijët’’ e Ursulës, do të rriten mirë dhe pastaj do të vazhdojmë. Në të kundërt nëqoftëse i lë fëmijët në lagje aty, vajza nuk vjen më në shtëpi se do bjerë në dashuri me një gangster rus. Djali nuk do jetë më i lumtur që të ndjekë procesin me meritë se do t’i pëlqejë të luajë me lodra kineze dhe pastaj ndoshta do të martohet me një robot kinez që duket si një bukuroshe bionde. Nuk është ide e mirë t’i lësh fëmijët në lagje. Ideja më e mirë është t’i mbash fëmijët në shtëpi. Kështu që, na merrni në shtëpi. Është shtëpia jonë siç është dhe shtëpia juaj dhe pastaj keni gjithë kohën të na jepni dhe dru apo të na dënoni në tualet, të na thoni qëndroni në dhomë bëni detyrat, të mos na jepni mëngjes, të na thoni që nuk do hani drekë sepse ne nuk po japim rezultate në luftën kundër veseve tona. Këtë duhet të bëjë Europa, në të kundërt le të rrimë në lagje. Dhe meqë ra fjala nuk ka të bëjë me shqiptarët sepse ne mund të na lësh në lagje, ne do qajmë për ju, do luftojmë për ju dhe do presim që të na vijë ai litari që lëshohet nga dritarja por ka të bëjë me të tjerët.
– Mund dhe të përfundoni në dhomën e pritjes në paradhomë me britanikët.
Kryeministri Edi Rama: Është ironike në fakt. Britanikët duhet të presin tani se ne i kemi pritur mjaftueshëm kështu që janë pas Shqipërisë dhe Malit të Zi. Kështu që le tu kthehen një herë bazave. Është kaq për të qeshur.
– Çfarë është për të qeshur?
Kryeministri Edi Rama: Që të jesh para britanikëve pas mijëra vitesh që ishin në krye të gjithkujt dhe gjithçkaje, tani duhet të rrinë pas.
– Pra shqiptarët duhet t’u thonë britanikëve që rrini aty në fund të radhës.
Kryeministri Edi Rama: Shqipëria do të përshëndesë çdo progres që do të bëjnë ata në rrugën drejt BE, inkurajojmë që të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe inkurajojmë po kështu që të kenë kurajë dhe ta kalojnë këtë çmenduri e të kthehen në shtëpi sepse nuk është se po ia dalin mirë aty në mes të oqeanit. Kjo është ajo çfarë shoh. Dhe në fakt dua të them që është shaka sepse britanikët janë shumë hakmarrës dhe nuk dua që të më kthehen pastaj, kështu që i dashur kushdo që po ndjek këtë që po them nga ajo pjesë e botës, është shaka, është shaka. Duhet të jeni në Bashkimin Europian, duhet të jeni kudo që doni, jeni një mbretëri, ju takon juve. Unë s’jam askush t’ju jap leksione kështu që mos e merrni seriozisht. Është Euroneës, mos e merrni seriozisht
– Ose merrni seriozisht. Në këtë pikë kryeministër, faleminderit për kohën, faleminderit shumë që u bashkuat në Samit me ne.
Kryeministri Edi Rama: Ishit fantastike. Po filloj të ndiej që je më e interesuar për mua sesa herën e kaluar sepse më keni dhënë më shumë minuta. Faleminderit!
© 2026 Argumentum





















































