Protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama u shoqëruan të shtunën me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të policisë në Tiranë, ku u përdorën gaz lotsjellës dhe autoboti i ujit për shpërndarjen e turmës.
Dy protesta u zhvilluan paralelisht në kryeqytet: njëra e organizuar nga studentët para Ministrisë së Arsimit dhe tjetra nga Partia Demokratike para Kryeministrisë.
Studentët kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke këmbëngulur në karakterin e pavarur të lëvizjes së tyre. Kur mbështetës dhe përfaqësues të Partisë Demokratike marshuan nga Kryeministria drejt Ministrisë së Arsimit për t’iu bashkuar protestës, një pjesë e studentëve kundërshtuan përfshirjen e opozitës. Kjo solli përplasje verbale dhe fizike mes dy grupeve.
Situata u tensionua më tej kur disa protestues dogjën dy kazanë mbeturinash dhe i shtynë drejt forcave të policisë, ndërsa persona të maskuar hodhën gurë dhe sende të tjera drejt efektivëve. Pranë Kryeministrisë u hodhën gjithashtu molotovë dhe fishekzjarrë.
Policia ndërhyri me gaz lotsjellës, spraj dhe autobotin me ujë për të shpërndarë protestuesit. Rreth 1 200 efektivë ishin angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë dy tubimeve.
© 2026 Argumentum





















































