REAL POLITIK NR. 134
1 – 15 NENTOR 2026
Komente “ flash” mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shqip dhe shkurt, vetëm me 1000 fjalë nga analisti i mirënjohur,
DR. Jorgji KOTE
1.Katastrofa republikane dhe cunami demokrat!
Po, të tilla ishin zgjedhjet e mesmandatit të 3 Nëntorit në SHBA. Faktet dhe rezultatet flasin vetë. Demokratët fituan Dhomën e Përfaqësuesve me 255 vende nga 218 të shumicës absolute; fituan edhe Senatin me 55 nga 45 senatorë që kishin kundrejt 44 të republikanëve, nga 53 deri tani.
Këto zgjedhje ishin testi dhe barometri më i madh politik sidomos për Presidentin Trump; edhe pse nuk e kishte emrin në fletën e votimit atje ishte bilanci i Presidencës, e ardhmja politike e tij dhe e republikanëve. Kur pëlqyeshmëria publike ndaj tij ka rënë në 32 për qind, më e ulta pas Harry Truman më 1946.
Demokratët shkëlqyen me disa arritje historike dhe spektakolare. Në Kansas City, për herë të parë nga viti 1932 fitoi demokrati Adam Hamilton. Në Teksas, i “ perla dhe kështjella zgjedhore” e republikanëve, ku ata nuk “lëshonin pe“ nga viti 1988 fituan thellë senatori demokrat James Talarico, “Kenedi“ i ri amerikan dhe guvernatorja e parë latine Gina Hinojosa. Në Miçigan fitoi dhe u zgjodh muslimani i parë demokrat në Senat egjiptiano-amerikani Abdul El Sayed dhe lista vazhdon gjatë.
Lufta për Senatin ishte një Thriller i vërtetë. Aty Demokratët konfirmuann fitoren në 4 bastionet e tyre – Xhorxhia, Neë Hampshire, Minesota dhe Miçigan dhe fituan në të shtatë basionet tradicionale republikane: Karolina e Veriut, Karolina e Jugut, Ajova, Ohajo, Teksas, Kansas dhe Maine.
Megjithëse republikanët ishin në avantazh të madh sa u takon parave, falë edhe kontributit të Elon Musk me 500 milion dollarë, u vërtetua parashikimi i një strategu të Presidentit Trump se “të gjitha paratë e botës nuk e zëvendësojnë dot entusiazmin e munguar” te republikanët.
Tre shkaqet kryesore të kësaj humbjeje të rëndë janë lufta në Iran, çka e pranoi edhe vetë Presidenti Trump, politikat e gabuara me tarifat tregtare dhe qëndrimet ndaj Ukrainës dhe Rusisë. Kjo mbasi efektet e tyre janë ndjerë në përditshmërinë e njerëzve në SHBA, në shtrenjtimin e kostos së jetesës, krejt ndryshe nga premtimet e Presidentit Trump kur erdhi në Shtëpinë e Bardhë.
Kështu, inflacioni, nga 2,5 në Janar 2025 ka kapur shifrën rekord 3,7 për qind.
Sipas ekonomistit të njohur amerikan Mark Zandi, 8 muajt e fundit të luftës në Iran i kanë kushtuar mesatarisht çdo amerikani 2000 dollarë. Ndërsa kostoja totale e kësaj lufte për SHBA-të ishte 47 miliard dollarë; ndërsa për ekonominë amerikane ajo llogaritet në 265 miliard Dollarë. Gjirthashtu, ajo ka shkaktuar 1/3 e rritjes së inflacionit.
Ndërkohë, ndryshe nga pretendimet e Presidentit Trump se barrën e tarifave tregtare do ta përballonin të huajt, ka ndodhur krejt e kundërta. Janë amerikanët e thjeshtë që kanë ” paguar” 90 për qind të efekteve të atyre tarifave, si pasojë e rritjes së çmimeve të mallrave të konsumit dhe dyfishimit të çmimit të benzinës.
As marrëveshja që Trump bëri gjatë muajit Tetor me Presidentin Putin për livrimin e 300.000 ton naftë në muaj nuk pati efekte në tregun amerikan dhe atë botëror. Kjo sepse 300.000 ton naftë tregu amerikan i thith brenda 14 orëve, mbasi ai konsumon 500.000 ton në ditë!
Ca më keq akoma, kjo marrëveshje bashkë me heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë u panë si lëshim dhe favor tjetër amerikan për Rusinë, në dëm të Ukrainës dhe Europës. Mirëpo 66 për qind e amerikanëve mbështetin Ukrainën, çka ndikoi në këto zgjedhje bashkë me tepërimet në mbështetjen ndaj Izraelit.
2.Progres apo Regres Report?

Kjo është pyetja që shtrohet mbasi njihesh me Raportin e Progresit 2026 për Shqipërinë. Se në1216 faqet e tij, krahas fjalëve të mira të përgjithshme standarde, ashtu siç edhe pritej, ka më shumë kritika dhe qortime të ashpra, pavarësisht nga gjuha “kadife“ diplomatike e Brukselit. Aty flitet për krimin e organizuar, paratë e pista, korrupsionin, klimën e prishur dhe të helmuar politike, pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të lartë, dosjen famëkeqe Balluku, dhunën ndaj medias dhe protestave paqësore, mungesën e tansparencës publike, tendera të shitur, ligje të diskutueshme, keqqeverisje vendore, etj. Aq sa kur mbaron raportin të vjen ndërmend shprehja e njohur “hiç, hiç, por Abili vdiq“. Ja pse kanë të drejtë shumë ekspertë kur propozojnë që ky Raport i Komisiont Europian të quhet “Performance Report“.
3.Shumë zhurmë për asgjë!

Kjo mund të thuhet pa asnjë tepërim pas përfundimit të bisedimeve për paqe në Abu Dabi më 10 – 112 Nëntor midis SHBA-ve, Rusisë dhe Ukrainës, takimet Kushner-Witkoff me Presidentin Putin në Moskë dhe Presidentin Zelenski në Dublin më 13-14 Nëntor. Rezultatet e tyre të njohura ishin larg pohimit të bujshëm të Presidentit Trump. Se nuk pati asnjë marrëveshje, ca më pak të madhe. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe mbasi midis Moskës dhe Kievit nuk ka besim por armiqësi të shtuara; Rusia vazhdon me intensitet bombardimet ndaj objekteve civile dhe energjitike të Ukrainës; edhe në ditët e bisedimeve në Abu Dabi, 12 rajone të saj ishin pa energji elektrike. Pastaj, Putini jo vetëm nuk është tërhequr asnjë centim nga pozicionet e tij të njohura, por ai po kërkon më shumë tokë, territore dhe lëshime strategjike edhe në Europë. Veç Ukrainës pa ushtri, pa NATO, pa Donbas dhe pa trupa perendimore ai tani po kërkon edhe një arkitekturë të re të sigurisë europiane; ose tërheqjen e NATO-s në pozicionet përpara vitit 1997 me pretendime ndaj vendeve Balltike, Polonisë, Moldavisë, etj!! Sa larg kërkesave legjitime për një Ukrainë sovrane në territoret e saj, të lirë në krijimin e aleancave të saj politike dhe uhtarake dhe me garanci sigurie perendimore. Ndryshe, çdo paqe do të ishte pushtim dhe kapitullim i Ukrainës. Se Putini synon rikrijimin e Perandorisë Cariste dhe ndryshimin e kufijve të Europës në tavolinën diplomatike ose edhe me forcë. Mirëpo, siç e tha Ministri i Jashtëm gjerman, Johan Wadepful “Ne nuk na duhet një arkitekturë e re sigurie, por rivendosja e asaj ekzistuese“ Ndryshe, gjithçka tjetër do të ishte si te komedia shekspiriane “shumë zhurmë për asgjë“!
4.Gjithçka për Ukrainën!

Ishte mesazhi kryesor i Samitit të BE-së në Dublin më 13 – 14 Nëntor. Caktimi i shtatëshes negociatore me Rusinë me Francën, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Poloninë dhe Italinë, Këshillin dhe Komisionin Europian; mbështetje ekonomike/ financiare, ndihma për të kapërcyer dimrin, që Rusia të mos e gjunjëzojë Kievin me sisteme të mbrojtjes kundërajrore dhe stërvitje ushtarake si ajo që filloi në Lituani më 9 Nëntor, etj. Sepse, duke mbrojtur dhe shpëtuar Ukrainën, Europa mbron vehten e saj, sovranitetin, integritetin territoril, vlerat dhe demokracinë liberale.
© 2026 Argumentum





















































