Çfarë duhet të dimë për samitin e liderëve në Shenzhen dhe pritshmëritë e tij
Takimi i 33-të i Liderëve Ekonomikë të APEC-ut zhvillohet më 18–19 nëntor në Shenzhen, nën temën “Ndërtimi i një komuniteti Azi-Paqësor për të përparuar së bashku”. Presidenti Xi Jinping do të kryesojë takimin, ndërsa në fokus do të jenë hapja ekonomike, inovacioni dhe bashkëpunimi rajonal.
Shenzhen, një nga qendrat më të rëndësishme të teknologjisë dhe inovacionit në Kinë, bëhet këtë javë qendra e diplomacisë ekonomike të rajonit Azi-Paqësor, duke pritur Takimin e 33-të të Liderëve Ekonomikë të APEC-ut, më 18 dhe 19 nëntor.
Kina, e cila mban presidencën e APEC-ut për vitin 2026, ka zgjedhur temën “Building an Asia-Pacific Community to Prosper Together” (Ndërtimi i një komuniteti Azi-Paqësor për të përparuar së bashku), duke vendosur në qendër të agjendës perspektivën e një bashkëpunimi më të hapur, gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt zhvillimit të përbashkët.
Presidenti kinez Xi Jinping do të kryesojë takimin dhe do të mbajë fjalën e tij. Ai gjithashtu do të organizojë një darkë mirëseardhjeje për liderët dhe përfaqësuesit pjesëmarrës, si dhe do të zhvillojë takime dypalëshe me drejtues të huaj në margjinat e samitit.
Tri prioritetet e Kinës për APEC 2026
Agjenda e presidencës kineze mbështetet në tri shtylla kryesore: hapjen ekonomike, inovacionin dhe bashkëpunimin.
Hapja ekonomike synon nxitjen e një ekonomie rajonale më të integruar, promovimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe kundërshtimin e proteksionizmit. Në këtë kuadër, një rëndësi të veçantë ka perspektiva e Zonës së Tregtisë së Lirë të Azi-Paqësorit (FTAAP).
Inovacioni përbën prioritetin e dytë, me vëmendje të veçantë ndaj transformimit digjital, inteligjencës artificiale dhe krijimit të motorëve të rinj të rritjes ekonomike.
Ndërsa shtylla e tretë, bashkëpunimi, synon shfrytëzimin e avantazheve të ekonomive anëtare, koordinimin e politikave dhe shkëmbimin e përvojave për përfitim të ndërsjellë.
Mbi 300 aktivitete dhe rezultate konkrete gjatë vitit të presidencës kineze
Gjatë vitit 2026, Kina ka organizuar, në bashkëpunim me ekonomitë e tjera anëtare, më shumë se 300 takime dhe aktivitete të APEC-ut, me mbi 10 mijë pjesëmarrës.
Në këtë kuadër janë zhvilluar dhjetë takime ministrore, që kanë mbuluar fusha të ndryshme, përfshirë tregtinë, turizmin, energjinë, sigurinë ushqimore, transportin, financat, pyjet, zhvillimin e burimeve njerëzore dhe fuqizimin ekonomik të grave.
Ndër rezultatet e arritura deri tani përfshihen riafirmimi i mbështetjes për Zonën e Tregtisë së Lirë të Azi-Paqësorit dhe miratimi i udhërrëfyesit të APEC-ut për shërbimet.
Gjithashtu, është hartuar vizioni për bashkëpunimin digjital dhe inteligjencën artificiale, ndërsa janë avancuar iniciativa për rritjen e rolit ekonomik të grave, zhvillimin e turizmit inteligjent, administrimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe forcimin e sistemeve ushqimore rajonale.
Këto rezultate përbëjnë bazën mbi të cilën pritet të ndërtohen angazhimet e mëtejshme të liderëve.
Çfarë pritet nga Samiti i Shenzhen-it?
Një nga rezultatet kryesore të pritshme është miratimi i Deklaratës së Liderëve të APEC-ut, dokumenti më i rëndësishëm politik dhe ekonomik i takimit, i cili do të përcaktojë drejtimet e ardhshme të bashkëpunimit mes ekonomive anëtare.
Priten gjithashtu rezultate më konkrete në fushat e tregtisë, ndërlidhjes rajonale, ekonomisë digjitale dhe inteligjencës artificiale.
Një tjetër zhvillim i veçantë lidhet me Samitin e Drejtuesve të Biznesit të APEC-ut (APEC CEO Summit), që do të zhvillohet më 17–18 nëntor, nën temën “To Prosper and Win the Future Together” (Të prosperojmë dhe të fitojmë së bashku të ardhmen).
Presidenti Xi Jinping do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes dhe do të mbajë një fjalim kryesor.
Sipas informacionit të publikuar nga Xinhua, në këtë samit pritet të prezantohet edhe një Iniciativë e Shenzhen-it. Për herë të parë në historinë 30-vjeçare të këtij takimi, një dokument përfundimtar pritet të marrë formën e një iniciative.
Dimensioni gjeopolitik: Takimi Xi–Trump–Putin në Shenzhen
Përtej agjendës ekonomike, një nga zhvillimet që pritet të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare është takimi i përbashkët mes Presidentit kinez Xi Jinping, Presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin. Takimi, i konfirmuar nga pala kineze, pritet të zhvillohet më 19 nëntor, në margjinat e Samitit të APEC-ut.
Ky takim i jep Shenzhen-it një rëndësi të veçantë diplomatike, duke sjellë në të njëjtën tryezë liderët e tri fuqive me ndikim të madh në politikën dhe ekonominë ndërkombëtare. Ai zhvillohet në një periudhë të karakterizuar nga tensionet gjeopolitike, rivaliteti ekonomik, lufta në Ukrainë dhe sfidat për sigurinë ndërkombëtare.
Përtej agjendës zyrtare të APEC-ut, takimi trepalësh pritet të jetë një moment me interes të veçantë për diplomacinë ndërkombëtare. Ai do të ofrojë mundësinë për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi marrëdhëniet mes fuqive të mëdha, stabilitetin strategjik dhe çështjet kryesore të rendit ndërkombëtar.
Në këtë mënyrë, Shenzhen-i do të jetë jo vetëm një qendër e diskutimeve për të ardhmen e ekonomisë Azi-Paqësor, por edhe një skenë e rëndësishme e diplomacisë globale.
Kina, për herë të tretë në krye të APEC-ut
Viti 2026 shënon herën e tretë që Kina pret Takimin e Liderëve Ekonomikë të APEC-ut, pas Shangait në vitin 2001 dhe Pekinit në vitin 2014.
Në vitin 2001, liderët miratuan Akordin e Shangait, duke shënuar një etapë të re për bashkëpunimin Azi-Paqësor në fillim të shekullit XXI.
Në vitin 2014, Agjenda e Pekinit përcaktoi një partneritet të orientuar drejt së ardhmes dhe vendosi një hap të rëndësishëm drejt realizimit të vizionit për Zonën e Tregtisë së Lirë të Azi-Paqësorit.
Në vitin 2026, Kina synon të avancojë vizionin e ndërtimit të një komuniteti Azi-Paqësor dhe të përdorë Deklaratën e Liderëve si bazë për një udhërrëfyes dhe një kuadër të përbashkët veprimi.
Një samit me rëndësi përtej rajonit
APEC përfaqëson një nga mekanizmat më të rëndësishëm të bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar, duke bashkuar 21 ekonomi me peshë të konsiderueshme në prodhimin, tregtinë dhe investimet globale.
Në një periudhë të karakterizuar nga pasiguria ekonomike, tensionet tregtare dhe transformimi teknologjik, takimi i Shenzhen-it do të jetë një provë për aftësinë e ekonomive anëtare për të gjetur pika të përbashkëta dhe për të ndërtuar mekanizma bashkëpunimi.
Përtej deklaratave politike, rëndësia e samitit do të matet nga angazhimet konkrete që do të ndërmerren për tregtinë, inovacionin dhe zhvillimin e përbashkët.
Shenzhen 2026 synon të shënojë jo vetëm përmbylljen e vitit të presidencës kineze të APEC-ut, por edhe një hap tjetër në diskutimin mbi të ardhmen e ekonomisë Azi-Paqësor dhe rolin e saj në ekonominë globale.





















































