Rutte: Samitet e NATO-s mbahen kur është e nevojshme, Shqipëria jashtë kalendarit për vitin 2027
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, konfirmon se Aleanca nuk planifikon të zhvillojë një samit të liderëve në Shqipëri gjatë vitit 2027, duke lënë të hapur mundësinë e një takimi të ardhshëm në Tiranë.
NATO nuk do të organizojë samitin e radhës të liderëve në Shqipëri në vitin 2027. Konfirmimi vjen në një kohë kur Aleanca po rishikon kalendarin e takimeve të nivelit të lartë dhe po redukton numrin e mbledhjeve ministrore.
Në një intervistë për Associated Press, në kuadër të takimit të Komunitetit Politik Evropian në Dublin, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u shpreh se Aleanca është fleksibël për organizimin e samiteve dhe se ato zhvillohen kur konsiderohen të nevojshme.
“Ne jemi fleksibël me samitet e NATO-s. Ne i zhvillojmë samitet kur kemi nevojë për to”, deklaroi Rutte, duke shtuar se takimi i ardhshëm do të mbahet kur të ekzistojë një domosdoshmëri për të.
Më herët, kryeministri Edi Rama kishte konfirmuar se samiti nuk do të zhvillohet në vitin 2027, pasi aleatët nuk kanë arritur ende një dakordësi për datën e takimit të ardhshëm. Ai bëri të ditur se Shqipëria mbetet e gatshme ta presë samitin në vitin 2028, nëse NATO vendos të organizojë një të tillë.
Ndërkohë, ndryshimet në kalendarin e NATO-s nuk kufizohen vetëm te samiti i liderëve. Aleanca nuk zhvilloi mbledhjen e ministrave të Mbrojtjes në tetor 2026 dhe nuk parashikon një takim të tillë as për tetorin e vitit 2027. Gjithashtu, ministrat e Jashtëm do të zhvillojnë vetëm një takim vitin e ardhshëm, në vend të dy takimeve të zakonshme.
Sipas raportimit të Associated Press, këto ndryshime vijnë në një periudhë tensionesh brenda Aleancës lidhur me shpenzimet e mbrojtjes, luftën në Ukrainë dhe zhvillimet në Iran.
Për Shqipërinë, shtyrja e samitit përbën një ndryshim të rëndësishëm nga plani fillestar, sipas të cilit Tirana ishte përcaktuar si vendi pritës pas samitit të vitit 2026 në Ankara. Megjithatë, vendi mbetet kandidatura e përcaktuar për të pritur samitin e ardhshëm, pa një datë të konfirmuar.
© 2026 Argumentum




















































